Scheffer: Zgjedhjet të rëndësishme për BE-në
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer vlerësoi dje rëndësinë e zhvillimit të zgjedhjeve të 28 qershorit sipas standardeve evropiane. Deklarata e zyrtarit të lartë të NATO-s u bë gjatë takimit me Presidentin Bamir Topi. “Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Scheffer, vlerësoi rëndësinë e mbajtjes në Shqipëri të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme parlamentare, sipas të gjitha standardeve ndërkombëtare, që do të ishte një tjetër element dhe një hap i sigurt në të ardhmen evropiane të vendit”, thuhet në njoftimin e Presidencës. Nga ana e tij, kreu i shtetit garantoi zgjedhje të lira dhe të ndershme në 28 qershor. Scheffer u takua gjithashtu edhe me kryeministrin Berisha, ku theksoi se Shqipëria meritoi anëtarësimin në NATO. “Anëtarësimi i vendit tuaj, zoti Kryeministër dhe shkëlqesi ambasadore, nuk ishte një dhuratë, nuk ishte diçka që jepet lehtë. Ishte një shpërblim për punën e palodhur të shumë viteve dhe suksesin e reformave të vështira dhe ndonjëherë të komplikuara, të cilat u ndërmorën me vendosmëri të palëkundur”, tha Scheffer. Nga ana e tij kreu i qeverisë deklaroi gjatë konferencës për shtyp se pjesë e bisedës ishin edhe zgjedhjet e përgjithshme.