Topi dekreton shitjen e OSSH te CEZ
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekretoi dje kontratën mes qeverisë shqiptare dhe kompanisë çeke CEZ për shitjen e 76% të aksioneve të OSSH-së. Sipas zyrës së shtypit të Presidencës, kreu i shtetit dekretoi shpalljen e ligjit “Për miratimin e kontratës së shitjes së 76% të aksioneve të OSSH-së, ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës të Republikës së Shqipërisë dhe ÇEZ”, ligjin “Për dhënien e së drejtës së përdorimit, për 15 vjet, në brezin e frekuencave E-GSM dhe GSM 1800, bashkimit të ofertuesve, përfaqësuar nga Postë Telekomunikacioni i Kosovës Sha”, shpalljen e ligjit “Për planifikimin e territorit” etj. Gjithashtu, Presidenti dekretoi dhe disa ndryshime në ligjin “Për sistemin e taksave vendore”, ligj i cili u kundërshtua nga opozita, si dhe ligjin “Për mbrojtjen e fondit të bimëve mjekësore, eterovajore e tanifere natyrore”, etj.