E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ vendos kriteret për koalicionet në zgjedhje

 

BLEDAR HOTI

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miraton me unanimitet të plotë kriteret që duhet të plotësojnë koalicionet politike në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Në mbledhjen e djeshme të KQZ-së janë përcaktuar kërkesat dhe dokumentacioni që duhet të paraqesin partitë politike, të cilat më 28 qershor do të konkurrojnë si koalicion politik. Kur duhen dhe katër ditë nga skadimi i afatit zyrtar për depozitimin e koalicioneve politike, KQZ-ja ka përcaktuar rregullat dhe dokumentacioni që duhet të paraqiten nga partitë. Rregulli kryesor është që marrëveshja e koalicionit të partive politike duhet të firmoset nga të gjitha krerët e partive që bëjnë pjesë në të. Si kërkesë tjetër është paraqitja e “marrëveshjes së koalicionit, ku të shprehet vullneti i partive përkatëse për të qenë pjesëmarrëse të këtij koalicioni”. “Duhet të paraqitet emri i koalicionit, i cili do të shënohet në fletën e votimit. Emrin dhe mbiemrin e personit të autorizuar nga të gjitha partitë pjesëmarrëse të koalicionit zgjedhor, i cili do të ketë të drejtën të caktojë vëzhgues në KZAZ, KQV dhe në VNV”, thuhet në vendimin e KQZ-së. Gjithashtu personi që do të jetë përfaqësuesi i këtij koalicioni do të ketë të drejtën të delegojë kompetencat dhe personave të tjerë. Vendimi i KQZ-së u mor pas kërkesës së bërë nga ana e partive politike. Vetë përfaqësuesit e partive kërkonin nga KQZ-ja përcaktimin e disa rregullave, për mënyrën e daljes në një koalicion të përbashkët politik.
Fondi i partive pezull
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të mos djegur afatin ligjor të mënyrës së ndarjes së fondit të partive politike, që do të përdoren për fushatën zgjedhore, ka miratuar dje vetëm skemën e ndarjes, duke mos votuar për shifra konkrete, si dhe sa do të përfitojnë partitë politike. Shkak i mos ndarjes së fondit në zëra të veçantë është fakti se qeveria ende nuk e ka akorduar shumën përkatëse. Ndërsa Kodi Zgjedhor përmban edhe kriterin që shuma për fushatën elektorale duhet të miratohet nga Kuvendi i Shqipërisë, mandati i të cilit mbaron zyrtarisht më 11 maj. Nisur nga kjo, KQZ-ja pret që Ministria e Financave të çelë fondin përkatës për përballimin e fushatës elektorale, ku zyrtarisht fushata nis më 28 maj.

Partitë duhet të paraqesin në KQZ

1.     Marrëveshjen e koalicionit ku të shprehet vullneti i partive përkatëse për të qenë pjesëmarrëse të këtij koalicioni

2.     Emrin e koalicionit i cili do të shënohet në fletën e votimit

3.     Emrin Mbiemrin e personit të autorizuar nga të gjitha partitë pjesëmarrëse të koalicionit zgjedhor, i cili do të ketë të drejtën të caktojë vëzhgues në KZAZ, KQV dhe në VNV.

4.     Personi i autorizuar sipas pikës 3 të këtij vendimi ka të drejtë ta delegojë ketë të drejtë personave te tjerë sipas KZAZ-ve.

5.     Kërkesa për regjistrimin e koalicionit zgjedhor në KQZ duhet të nënshkruhet nga të gjithë kryetarët e partive pjesëmarrëse të koalicionit zgjedhor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›