Prioritetet e Qeverisë
Kryeministri Hashim Thaçi ka deklaruar të martën se objektivi kryesor i kabinetit të ri qeveritar do të jetë fuqizimi i sundimit të rendit dhe ligjit, qeverisja e mirë, transparente, efikase dhe efektive, zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik, lufta e pakompromis ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, të gjitha këto në funksion të implementimit të plotë të standardeve të integrimit në Bashkimin Europian dhe në NATO.
Kryeministri Thaçi në takimet me ambasadorët e Gjermanisë, Belgjikës dhe Francës, shprehu vullnetin dhe gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për forcimin e bashkëpunimit në të gjitha sferat me interes të përbashkët.
Sipas një komunikate për media të Kryeministrisë, ambasadorët e vendeve të BE’së në Kosovë e përgëzuan Thaçin për rizgjedhjen në postin e Kryeministrit dhe për formimin e institucioneve të reja, duke shprehur bindjen që reformat e gjithëmbarshme në politikë, ekonomi dhe legjislacion vetëm sa do të thellohen në mandatin e ri të Qeverisë së Kosovës.