Zarif: Hapat e njëanshëm të serbëve, të padobishme

(E plotësuar) Këshilli i Sigurimit është duke mbajtur një seancë me dyer të mbyllura lidhur me gjendjen në Kosovë, në të cilën po merr pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj.
Seanca, e cila ka nisur pas mesnatës, ka qenë e hapur vetëm në hapje të saj.
Në fjalën e tij, ushtruesi i detyrës së shefit të misionit UNMIK në Kosovë, Farid Zarif, ka thënë se të gjitha institucionet ndërkombëtare do të veprojnë sipas mandatit dhe kompetencave.
Zarif po ashtu ka thënë se të gjitha institucionet ndërkombëtare, KFOR dhe EULEX i kanë të qarta kompetencat e tyre dhe e dinë se çfarë do të bëjnë.
Sa i përket vendosjes së barrikadave të serbëve në veri të Kosovës, Zarif është shprehur se hapat e njëanshme dhe të ngutshme të serbëve nuk janë të dobishme, andaj duhet koordinuar që gjithçka të rrjedhën pa probleme.
Debati është duke vazhduar me dyer të mbyllura dhe pritet të zgjasë edhe disa orë.
Mbledhja e Këshillit të Sigurimit për Kosovën mbahet me kërkesë të Serbisë dhe Rusisë, për shkak të situatës së tensionuar në pjesën veriore të Kosovës.
Takimi është caktuar pas konsultimeve shumë orëshe të vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ndërsa me insistimin e vendeve perëndimore, nuk do të jetë e hapur për opinion.
Vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së u janë dërguar letra e ministrit të Jashtëm të Serbsië, Vuk Jeremiq, dhe ajo e ambasadorit rus në OKB, Vitali Çurkin.
Çurkin në letrën e tij ka theksuar se kërkon mbledhje urgjente të hapur, në mënyrë që të “shqyrtohet situata në Kosovë për shkak të mundësisë së përshkallëzimit të tensioneve”.
Serbët bllokojnë KFOR-in polak
Ministri për Kosovë pranë Qeverisë së Serbisë, Goran Bogdanovic ka vizituar pesëmbëdhjetë minuta pas mesnatës serbët, të cilët kanë vendosur barrikada te pika kufitare në Jarinje.
Ai me këtë rast ka biseduar me serbët e rebeluar lidhur me gjendjen aktuale në këtë vendkalim kufitar.
Po ashtu, Bogdanovic është informuar edhe për gjendjen në pjesët tjera të veriut, sidomos për barrikadën e vendosur në vendin Soqanica, ku është bllokuar njësia e KFOR-it polak.
Serbët nga ana e tyre kanë thënë se gjithë natën do ta kalojnë në barrikada.
Në vendin Soqanica në territorin e komunës së Leposaviqit rreth orës 23.00 qytetarët serbë kanë bllokuar një njësi të KFOR-it, e cila po kthehej në bazën “Noting hill” nga drejtimi i Mitrovicës.
Sipas medieve serbe, një numër i madh i serbëve është në barrikadës, derisa ushtarët e KFOR-it kanë parkuar automjetet pranë rrugës dhe qëndrojnë para tyre.
Ndryshe, serbët kanë bllokuar me kamionë rreth orës 20:30 pikën kufitare në Jarinje. Ata kanë vendosur kamionë nga të dyja anët e kufirit, përkatësisht nga territori i Serbisë dhe i Kosovës, duke paralizuar kështu totalisht qarkullimin e automjeteve në këtë vend.
Ata po ashtu duke vendosur kamionë nga të dyja anët e territorit kanë bllokuar edhe pikën kufitare në Bërnjak.
Vazhdojnë të mbeten të bllokuara edhe ura kryesore dhe ajo lindore mbi lumin Ibër, ku është vendosur sasi e madhe e rërës.
Gjatë ditës së enjte janë vënë barrikada edhe mes Leposaviqit në drejtim të Jarinjes, si dhe në disa lokacione në drejtim të pikës kufitare Bërnjak.
Vendosja e barrikadave ka nisur pas paralajmërimit të Qeverisë së Kosovës për dërgimin e policëve dhe doganierëve në pikat kufitare 1 dhe 31 në veri.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në një konferencë për media të mbajtur të enjten mbrëma ka thënë se plani operacional për dërgimin e policëve dhe doganierëve në Bërnjak dhe Jarinje është hartuar në koordinim me faktorët relevantë ndërkombëtarë.
Ndryshe, Prishtina zyrtare tashmë ka paralajmëruar dërgimin e doganierëve dhe policisë kufitare në veri, ndërkohë që strukturat paralele serbe kanë kërcënuar se të gjithë serbët në veri të Kosovës të premten në mëngjes do të dalin në rrugë, për të parandaluar vendosjen e policisë dhe doganave të Kosovës në pikat kufitare Bërnjak dhe Jarinje.
Një ditë para se të dërgohen policët dhe doganierët në veri të Kosovës, për vizitë në vendin tonë ka qëndruar sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, i cili ka bërë të qartë se nuk do të lejohet destabilizimi i situatës, duke mos përjashtuar mundësinë e ndërhyrjes së KFOR-it në rast të eskalimit të dhunës.
Ndërkohë, EULEX-i ka bërë të ditur se operacionet doganore në portat kufitare do të kryhen nga doganierët e EULEX-it, në prezencë të doganierëve të Kosovës.
Tensionet në veri janë shtuar pasi që Policia e Kosovës më 25 korrik ndërmori aksionin për kthimin e kontrollit në pikat kufitare 1 dhe 31 në veri, të cilat për një kohë të gjatë ishin jashtë kontrollit të Prishtinës zyrtare. Në këto dy pika zhvillohej krimi dhe kontrabanda.
Aksioni për marrjen nën kontroll të pikave në veri në korrik ishte ndërmarrë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë, të cilat pritet të hiqen pas arritjes së marrëveshjes me Serbinë për vulat doganore në Bruksel, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
ROSU mbërrin në bazën e KFOR-it, “Notting Hill”
Pjesëtaret e njësisë speciale të policisë së Kosovës dhe doganieret e Kosovës tanimë janë stacionuar në bazën e KFOR-it në Notting Hill në Mitrovicë, raporton KTV-ja.
Nga ana tjetër, po sipas këtij televizioni, pas orës 00 janë dëgjuar edhe të shtëna në veri të Kosovës.
Në ora 06:00 vendosen doganierët
Ministri i Brendshëm Bajram Rexhepi në një intervistë për KTV-në ka thënë se doganierët e Kosovës do të vendosën në dy pikat në veri pas orës 6 të mëngjesit.
Ai ka thënë se kjo do të ndodh në bazë të planit që është paraparë dhe ata do të përcillen nga KFOR-i dhe policë të EULEX-it.
Nga ana tjetër mësohet se serbët kanë bllokuar një autoblind të KFOR-it polak i cili ka pasur si destinacion bazën e tyre.
Kurse ka reaguar edhe shefi i diplomacisë çeke, Karel Schëarzenberg i cili ka thënë se në rast të trazirave në veri, fajtorë janë serbët.
“Gjithmonë fajtorë do të jenë serbët. Këtë e them nga përvoja”, ka thënë Shëarzenberg.
00:00, doganierët fillojnë vendosjen në veri
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuci e ka bërë të ditur se policët dhe doganierët, të shoqëruar nga EULEX-i e KFOR-i do të fillojnë vendosjen në pikat kuftiare që pas orë 00:00, në pak minuta.
Ai ka thënë se 16 shtatori do të jetë një ditë e zakonshme për të gjithë, përfshirë edhe serbët. Sipas tij, askush nuk duhet të shqetësohet sepse thjesht qeveria po e bën punën e saj në vendosjen e rendit dhe ligjit në veri.
Ai ka thënë se cdo kush që e kundërshton planin, është kundër SHBA-së, BE-së dhe fuqive të mëdha. Sipas tij, ky plan do të zgjasë vetëm 6 muaj ndërsa më pas parashihen hapa të tjerë.
Dodik, e humbëm Kosovën - Stefanovic niset për Jarinj
Goran Bogdanovic, i ashtuquajtur ministër për Kosovën në Qeverinë e Serbisë është nisur për në pikën kufitare në Jarinj bashkë me shefin e delegacionit serb për bisedime me Kosovën, Borislav Stefanoviq.
Media serbe ka kanë thënë se dy zyrtarët serb janë nisur për në veri për t’i mbështetur serbët lokalë në përpjekjet e tyre për t’i penguar forcat e autoriteteve kosovare që të vendosen në pikat kufitare në veri.
Nga ana tjetër, kryetari i Republika Srpska, Milorad Dodik, ka thënë se Serbia do të duhet të pranojë faktin se një ditë policët shqiptarë do të vendosen në kufijtë e Kosovës.
Dodik i bëri këto deklarata në një intervistë për “Veçernje Novosti” dhe tha pavarësisht dhimbjes së madhe Kosova është në duart e fuqive të mëdha.
“Është e qartë se sa e dhimbshme është çështja e Kosovës. Mirëpo, atë e kanë në dorë të mëdhenjtë dhe të fuqishmit. Dhe është krejtësisht e qartë se Serbia këtë nuk mund ta ndalojë më. Gjithçka do të përfundojë dhe një mëngjes do të shohim policë shqiptarë nëpër kufij, të cilët do të ruajnë hapësirën që i është marrë Serbisë. Serbia nuk do të ketë kah t’ia mbajë: ose ta mbrojë territorin me armë, ose të tërhiqet. E këtë të paren nuk do ta rekomandoja, pasi që dihet se ku na çon”, ka thënë Dodik për “Novosti”.
KFOR në gjendje të lartë gatishmërie
Pasi ka dalë në konferencë për shtyp, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi KFOR ka filluar të vë tela më gjemba përderisa e ka mbyllur totalisht pikën kufitare në Jarinje.
Por, përderisa KFOR ka bllokuar këtë pikë kufitare më lartë serbët kanë dalë me kamionë dhe e kanë mbyllur vendkalimin.
Sipas agjencisë serbe të lajmeve “Tanjug”, KFOR në të gjitha anët ka vendosur shenja ku shkruhet “STO ose do t’iu qëllojmë”. Në këto pika ka edhe reflektorë të mëdhenj ku çdo gjë shihet.
Gjendja ushtarake e KFOR-it është në gatishmëri më të lartë që pas luftës në Kosovë ndërkaq pikat kufitare po kontrollohen nga ushtarë francezë, gjermanë dhe amerikanë.
Edhe më herët gjatë ditës por edhe tani serbët kanë vazhduar duke bllokuar rrugën. Pas urës së Ibrit ata akne bllokuar vendin e quajtur Zupç dhe kanë vendosur një barrikadë në Bërnjak.
Pas mesnatës, mbledhja e KS-së
E kërkuar nga Serbia dhe Rusia , mbledhja e Këshillit të Sigurimit për Kosovën do të mbledhet pas mesnatës.
Takimi është caktuar pas konsultimeve të mbrëmshme shumëorëshe të vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ndërsa me insistimin e vendeve perëndimore, nuk do të jetë e hapur për opinion. Megjithatë, raportohet se vetëm fillimi i seancës do të jetë i hapur.
Vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së u janë dërguar letra e ministrit të jashtëm të Serbisë, Vuk Jeremic, dhe ajo e ambasadorit rus në OKB, Vitaly Churkin. Ky i fundit në letrën e tij ka theksuar se kërkon mbledhje urgjente të hapur për sot, në mënyrë që të “shqyrtohet situata në Kosovë për shkak të mundësisë së përshkallëzimit të tensioneve”. (Telegrafi)
Video - KFOR në Jarinj