AAK thotë se janë duke u zhvilluar biseda sekrete mes Kosovës dhe Serbisë

Prishtinë 10 gusht – Bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë tani me kanë filluar, ka thënë te martën në një konferencë për media, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini. “I kemi thirrur media që të ia bëjmë me dije opinionit që Qeveria e Kosovës është duke zhvilluar biseda sekrete me Serbinë dhe krejt kjo po bëhet larg opinionit” ka pohuar Ardian Gjini, teksa ka refuzuar në vazhdimësi që të afrojë detaje tjera në lidhje me pohimet e tij për zhvillimin e të ashtuquajturave biseda sekrete. “Ju themi që kemi informacion shumë kredibil i cili e pohon dhe konfirmon tani me zhvillimin e bisedave sekrete mes zyrtarëve të lartë të Qeverisë së Kosovës dhe atyre të Serbisë” ka pohuar Gjini. Sipas tij, AAK-ja i dinë emrat e personave që janë të përfshirë në bisedime dhe vendtakimin e bisedave. “I kemi të gjitha te dhënat dhe i kemi të gjitha të qarta, vetëm ju takon juve mediave që të pyesni Qeverinë në lidhje me këto biseda, nëse ata refuzojnë të përgjigjen ose mohojnë bisedat e tilla, atëherë ne do te dalim me informacione shtesë dhe me konkrete” ka potencuar nënkryetari i AAK-së Ardian Gjini, përderisa i ka quajtur të parëndësishme se a janë duke u zhvilluar bisedime teknike apo politike. “Nuk ka rendësi, se paku jo tani, që të dihet a janë bisedime teknike apo politike, ajo që tani ka rendësi është që Qeveria e Kosovës është duke biseduar me Qeverinë e Serbisë dhe krejt kjo larg syrit të opinionit dhe pa dijeninë e opinionit” ka thënë Gjini. Ky i fundit ka paralajmëruar një konferencë tjetër gjate kësaj jave, ku siç ka thënë ai, do te shpalosen faktet e bisedave në mes Kosovës dhe Serbisë të cilat sipas tij janë duke u zhvilluar në mënyrë të fshehtë. “Ne do të thërrasim edhe një konferencë tjetër të radhës gjatë këtyre ditëve ku do të bëjmë shpalosjen e të dhënave tjera në lidhje me pohimin e ngritur që bisedat mes Kosovës dhe Serbisë tani me po zhvillohen” ka pohuar Gjini. Ai zhvillimin e bisedave sekrete e ka quajtur rrezik të madh për proceset politike nëpër të cilat po kalon vendi. “As para lufte dhe as pas lufte nuk ka pasur biseda sekrete. Në këto periudha ka pasur agjendë të qartë të bisedimeve dhe është kuptuar natyra e atyre bisedave, formati i përfaqësimit dhe rezultatet eventuale. Ndërkaq tani pas shpalljes se pavarësisë vije deri të bisedat sekrete dhe kjo nuk arsyetohet në asnjë mënyrë” është shprehur Gjini. Sipas tij, përgjigja për këto biseda duhet kërkuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës si dhe në kryeministri.