E Diel, 1 Nëntor 2026

Rexhepi: Mali i Zi nuk ka pretendime ndaj Kosovës

Pejë, 10 gusht - Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi e ka cilësuar vijën kufitare midis Kosovës dhe Malit të Zi si një çështje jo problematike, duke thënë se kufiri aktual është bazë për përcaktimin e demarkacionit zyrtar dhe se edhe në bisedat me autoritetet e shtetit fqinj, me homologun e tij malazias, janë pajtuar se dy shtetet fqinje nuk kanë asnjë pretendim territorial.
“Së shpejti komisionet e të dy shteteve do të nisin punët zyrtarisht për të përcaktuar kufirin”, është shprehur Rexhepi, për të shtuar se pas shqetësimeve të blegtorëve të këtij rajoni për pronat e tyre atje dhe bisedave me homologun e tij malazias edhe ky problem është zgjidhur.
“Mali i Zi nuk ka pretendim as për një metër katror të Kosovës”, ka përforcuar konstatimin e vet ministri Rexhepi të martën në Pejë, pas një takimi me dyer të mbyllura me drejtorin e Drejtorisë së Policisë së rajonit të Pejës, kolonelin Ahmet Hasi.
Ministri i Brendshëm ka thënë se vendimi i ushtruesit të detyrës së drejtorit të përgjithshëm të PK-së, Behar Selamit, i cili e shoqëronte në këtë vizitë, për metodologji të re pune, ka dhënë rezultate edhe në këtë rajon. “Patrullimi këmbë është treguar i frytshëm dhe ky efikasitet është rezultat i afrisë së policisë me qytetarin”, ka vlerësuar ai.
Behar Selimi, për të cilin thuhet se është ideator i zbatimit të patrullimit këmbë, ka folur për pakënaqësinë eventuale të disa policëve për mënyrën e re të patrullimit. “Kjo ankesë vjen pikërisht nga ata që më vite të tëra kanë bërë punë policie për administratën ndërkombëtare”, ka thënë ai, duke shtuar se praktikë e policisë ndërkombëtare në Kosovë për një decenie ishte puna me vetura. “Nuk ka asnjë shtet në botë policia e të cilit kryen punën e vet profesionale vetëm duke u endur me vetura”, ka thënë Selimi.
Selimi ka dhënë edhe konstatimin se Peja tashmë nuk është një vend kronikash të zeza, ndërkohë që shfaqjen e maskave herë pas herë në Dukagjin e ka cilësuar dukuri në rënie. “Pavarësisht intensitetit, maskat një ditë do të eliminohen”, ka thënë ai. 
Drejtori i PK-së në Pejë, koloneli Ahmet Hasi, duke konstatuar se gjendja e sigurisë
në rajonin që mbulon Drejtoria e tij është e mirë ka thënë se metodologjia e
patrullimit në këmbë ka krijuar ura bashkëpunimi dhe identifikim problemesh të
komunitetit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›