E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjerimi i bulevardit “Bill Klinton” dëmton bizneset

Prishtinë, 10 gusht - Më shumë se dhjetë pronarë të bizneseve të vogla në rrugën “Bill Klinton” janë ankuar se bllokimi i rrugës nga Komuna u ka shkaktuar atyre humbje materiale.
Rruga “Bill Klinton” është duke u zgjeruar nga 4 në 6 korsi. Zgjerimi i saj bëhet nga paraja e buxhetit komunal. Kjo rrugë është mbyllur për qarkullimin e automjeteve para më shumë se një jave, për shkak të punimeve që janë duke u bërë.
“Sikur Komuna të na njoftonte më herët për mbylljen e rrugës, ne nuk do të kishim paguar qiranë për këta muaj dhe nuk do të kishim blerë shumë mall”, ka thënë Fatmir Dedi, pronar i shpagetarisë “Toni”. Sipas tij, Komuna duhet t’ua kompensojë humbjet që u janë shkaktuar nga rregullimi i rrugës, për çfarë ka rënë shitja e mallit.
Ai ka thënë se para fillimit të punimeve shpagetaria e tij gjatë drekës ka pasur shumë myshterinj, kurse tani në të njëjtën kohë i ka vetëm nga 3-4 klientë.
“Më herët nuk kishte vende për t’u ulur mysafirët dhe për të  ngrënë drekë, kurse tani të gjitha vendet janë të zbrazëta”, është shprehur ai.
Edhe Eroll Rexha, pronar i “Good-Year”, ka thënë se fitimet e të gjitha bizneseve në këtë rrugë kanë rënë deri në 60 për qind. Ai ka thënë se gjatë tërë ditës shkojnë në vendin e punës vetëm për ta mbajtur orarin e punës, sepse fitime nuk ka.
”Kot po rrimë, punë nuk ka që nga fillimi i punimeve të rrugës, kurse ka rënë shumë pas mbylljes së saj”, ka thënë ai.
Ardiana Alshiqi, punëtore në një lokal, e cila nuk ka dashur t’i përmendej emri i lokalit ku punon, ka thënë se fillimet e punimeve në këtë rrugë jo vetëm që kanë ndalur punën në bizneset përreth rrugës, por janë në hall edhe nga pluhuri, për shkak të punimeve.
Ndërsa zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Muhamet Gashi, ka thënë se Komuna nuk do t’i kompensojë dëmet e bizneseve për shkak të rënies së punës së tyre, porse atyre lokaleve do t’u hiqen taksat komunale.
”Kompensim nuk do të ketë, por Komuna do të jetë e kujdesshme që t’i lirojë nga taksat komunale ato biznese”, ka thënë Gashi.
Nga ana tjetër, pronarët e bizneseve kanë theksuar se janë paralajmëruar se ajo rrugë, për shkak të punimeve në të, së shpejti do të jetë e mbyllur edhe për këmbësorë.
“Aq gjatë sa rruga do të jetë e mbyllur për këmbësorë, po aq edhe ne do të mbetemi pa punuar dhe pa fitime”, ka thënë pronari i lokalit “Good-Year”, Eroll Rexha.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›