Skenderaj, regjistrimi nisi nga familja Jashari
Në ditën e parë të regjistrimit, anëtarë të Komisionit komunal për regjistrim në Skenderaj, regjistrues e kontrollorë e kanë nisur punën e tyre me familjen Jashari në Prekaz, ku janë pritur nga Murat Jashari.
Fadil Nura, kryetar i Komisionit komunal për regjistrim, njëherësh nënkryetar i Komunës së Skenderajt, ka thënë se është nder dhe kënaqësi që procesi i regjistrimit në këtë komunë të fillohet në familjen Jashari, familje kjo e proceseve të mëdha kombëtare dhe shtetërore, pikënisje e kthesave dhe e të gjitha sukseseve të vendit tonë.
Nura ka thënë se edhe në dy fshatrat ku jetojnë edhe pakica serbe, Syriganë e Bajë, janë kryer të gjitha përgatitjet, është shpërndarë materiali i nevojshëm dhe pritet që gjithçka të shkoj siç duhet.
Në anën tjetër, përfaqësuesi i familjes Jashari, Murat Jashari, shprehu mendimin se procesi i regjistrimit është shumë i rëndësishëm kur dihet fakti se nga viti 1981 nuk ka pasur regjistrim të popullsisë dhe të ekonomive familjare.
“Dihet se gjatë gjithë këtyre viteve e sidomos gjatë viteve të 90 dhe deri pasluftës, janë bërë shumë lëvizje të qytetarëve, qoftë në mërgatë apo edhe nëpër vende të ndryshme. Ka ndodhur edhe lufta dhe shkatërrimet e saj, andaj regjistrimi është jetik për rifillimin e një jete të re, për rifillimin e një shteti të ri”, ka thënë Jashari, duke shtuar se është e rëndësishme të dihet saktë numri i qytetarëve dhe ekonomive familjare.
Ai ka uruar që ky proces i rëndësishëm të shkojë në mënyrën më të mirë të mundshme.
Komisioni Komunal ka 9 anëtarë dhe udhëhiqet nga nënkryetari i Komunës, Fadil Nura. Ekipi regjistrues përbëhet prej 26 + 2 kontrollorëve dhe 136 regjistruesve, aq sa janë edhe qarqe të regjistrimit.(KosovaPress)