E Hënë, 2 Nëntor 2026

ACAC: TVSH po favorizon socialistët

03/06/2005  PS e PD zënë pjesën më të madhe të lajmeve politike

Koalicioni Shqiptar Kundër Korrupsionit me tre organizata anëtare, Instituti i Sondazheve dhe Opinioneneve, IDRA dhe Qendra për Transparencën dhe Informimin e Lirë, kanë prezantuar dje raportin, financuar nga NDI, mbi monitorimin e mediave në fushatën zgjedhore gjatë periudhës 14 deri më 27 maj 2005. Nga monitorimi ka rezultuar se televizioni dhe radioja publike i kanë dhënë një hapësirë të madhe lajmeve të PS-së dhe qeverisë. Për sa u përket mediave private, bëhet e ditur se disa prej tyre i japin më shumë hapësira mazhorancës dhe disa opozitës. Për sa u përket gazetave, ato në përgjithësi kanë shprehur preferencat e tyre politike por në ndonjë rast kanë tentuar edhe balancimin. Ndërsa vihet re se partitë e vogla gjejnë shumë pak hapësira në lajmet televizive apo në gazeta.

Televizionet

Televizioni Shqiptar sipas raportit nuk e ka kryer detyrën e tij të informacionit të barazpeshuar për publikun, megjithëse paguhet nga paratë e taksapaguesve. Nga monitorimi, rezulton se TVSH i ka dhënë mazhorancës rreth 64 për qind të hapësirës së lajmeve politike, ndërsa PD-së i është kushtuar vetëm 15 për qind e kohës dhe kjo në kontekst negativ. “Kjo analizë tregon se ky stacion televiziv, i vetmi shërbim publik në vend, ia cakton 64 për qind të programeve politike të tij partisë politike në pushtet dhe në mënyrë krejtësisht pozitive”, thuhet në raport. Për sa u pëket televizioneve private, kohën më të barazpeshuar e ka pasur në raportimet e tij televizioni Top Channel, me nga 26 për qind të kohës për të dy subjektet politike. Televizioni Klan ka rezultuar me 43 për qind të kohës për PS dhe Qeverinë dhe 33 për qind të kohës për PD, me kontekst pozitiv për këtë të fundit. I pozicionuar në krah të qeverisë dhe PS ka rezultuar TVA, i cili konsiderohet si fuqimisht pro qeverisë me 61 për qind të kohës së transmetimit, kundrejt 21 për qind që i lihet PD. Në monitorimin e radiove, janë vënë re tendenca të dukshme të Radio Tiranës në transmetimin e informacioneve që kanë të bëjnë me PS dhe Qeverinë me 66 për qind të kohës, kundrejt 20 për qind që i kushtohet PD. Për sa u përket radiove të tjera, Top Albania Radio ka rezultuar e barazpeshuar në komentet e saj për sa u përket partive.

Gazetat

Në ndryshim me televiozionet, sipas monitorimit, gazetat nuk raportuan për qeverinë gjatë kohës së monitorimit dhe në vend të saj i kushtonin një hapësirë të konsiderueshme veprimtarive zgjedhore të partive politike. Sipas raportit, një numër gazetash mbështesin PD-në dhe LSI-në, ndërsa një palë tjetër dashamërisë kundrejt PS-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›