Berisha prezanton Rulin dhe Roshin
03/06/2005 Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka prezantuar dje në Gjirokastër kandidatët për deputet të zonave 90 dhe 92, Genc Ruli dhe Artur Roshi. Gjatë fjalës tij, Berisha ka akuzuar kandidatët socialistë që garojnë në Gjirokastër se pastrojnë paratë në favor të klanit të Kryeministrit. “Ruli ka përkarshi një kandidate si Çeço, e cila, në të vërtetë, nuk bën asgjë tjetër veçse lan paratë e pista të familjes dhe klanit të saj me kryetarin e Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime, duke i murosur paratë nëpër pallate. Mafia është bërë rreziku më i madh i shqiptarëve sot. Bajlozët e zinj Tavo, Bime, e Aleksandër Kalivopulli, janë kontrabandistët e jugut”, tha Berisha. Kreu demokrat u shpreh i bindur se PD dhe aleatët do të korrin një fitore të thellë në zgjedhjet e ardhshme të ngjashme me ato të vitit 1992. “Këta muaj po riprodhojnë historinë e ‘92, kur shqiptarët u bashkuan për t'u ndarë nga diktatura dhe sot janë të bashkuar për t'u ndarë nga sistemi i korrupsionit dhe kjo është mrekullia e dytë shqiptare”, tha Berisha.