"Tango", dy çmime për trupën Durrësit
"Tango" e Mrozhek dhe trupa e teatrit profesionist të Durrësit rrëmbejnë dy çmime në Festivalin e Teatrit Mbarëshqiptar të zhvilluar në Dibër të Maqedonisë. Driada Dervishi, regjisorja e kësaj trupe, është vlerësuar për realizimin e regjisë më të mirë të festivalit me tragjikomedinë "Tango" të dramaturgut të mirënjohur polak, Slavomir Mrozhek. Një tjetër çmim, ai i aktorit më të mirë joprotagonist, ka shkuar për aktorin durrsak Hysen Bashhysa. Nga data 5 deri më 12 tetor në Dibër të Madhe të Maqedonisë u zhvillua edicioni i shtatë i Festivalit të Teatrit Mbarëshqiptar, në të cilin konkurruan trupa të ndryshme profesioniste nga Shqipëria, Maqedonia dhe Kosova. Trupat teatrore konkurrente kanë qenë nga Prizreni, Korça, Durrësi, Fieri, Gjilani, Kumanova, Vlora dhe Gjakova. Menjëherë pas ndarjes së çmimeve, regjisorja Driada Dervishi ka ndarë emocionet që shkakton gjithmonë marrja e një çmimi dhe pritja e nxehtë e artdashësve dibranë. Trupa e Durrësit u prezantua në këtë festival me tragjikomedinë "Tango". Regjia dhe interpretimi i njërit prej aktorëve joprotagonistë të kësaj shfaqjeje morën vlerësimin maksimal të jurisë dhe të spektatorëve. Aktori Bashhysa u nderua me çmim për interpretimin e rolit të Eugjenit në "Tango". Juria e përbërë nga kritikë të teatrit, aktorë e regjisorë ka vlerësuar si shfaqjen më të mirë të Festivalit komedinë "Hiqe ministrin nga priza" të trupës teatrore të Gjakovës. Aktorja më e mirë protagoniste u shpall Adriana Matoshi, ndërsa aktori më i mirë Muharrem Hoxha. Prezantimi dinjitoz në Festivalin VII të Maqedonisë është një fillim i mbarë për sezonin teatror vjeshtë-dimër të këtij viti.
Pas shfaqjes së premierës në fillim të tetorit në sallën e teatrit "Aleksandër Moisiu" të Durrësit, tragjikomedia do të vihet sërish në skenë mbrëmjen e 15 tetorit, ndërsa pas shfaqjes është menduar të organizohet një ceremoni për marrjen e dy çmimeve nga trupa e teatrit profesionit që mban emrin e aktorit të madh. Ky është i treti vit radhazi që trupa e teatrit "Aleksandër Moisiu" fiton çmime në këtë festival mbarëkombëtar. Edhe në edicionin e kaluar trupa durrsake fitoi dy trofe, atë të regjisores dhe aktorit më të mirë të festivalit me dramën "Vajza pa prikë" të A.N. Ostrovskit. Për regjisoren e teatrit të Durrësit vlerësimet janë konsideruar gjithmonë një shtysë më shumë për të vazhduar me këmbëngulje dhe pasion në rrugën e bukur të teatrit, që deri më sot nuk është vlerësuar nga pushteti vendor mes të cilit dhe teatrit ekziston një marrëdhënie e nderë.