"Sotiri 2008"...
Në shtatë vite ajo ka ndërruar jo pak, por 30 shtëpi... Asnjëra nuk ishte vërtet e tillë për të dhe shija që i linin pas ishte vetmia dhe ndjenja e boshllëkut... Itsasne Casas, fotografja nga Belgjika, është fituesja e çmimit të madh të konkursit ndërkombëtar të fotografisë, "Sotiri", në edicionin e parë të tij. Ajo është paraqitur me një cikël fotografish që vijnë si një grup imazhesh të thjeshta të jetës së përditshme, që gjithmonë harrohen dhe lihen pas. Autorja prezanton dinamikën e historisë së saj, duke treguar elemente të zhvendosjeve të herëpashershme, që kanë me vete kujtime personale, hapësira, apo objekte. Ajo rrëfen nëpërmjet tyre shenja të eksperiencave të saj. Në fotot e saj gjithçka vjen si një kronikë kujtimesh të fotografuara aty-këtu në ato vende, që për Itsasne në një periudhë të caktuar kohe kanë qenë shtëpia, streha e saj... Por Itsasne është vetëm njëra prej artisteve pjesëmarrëse në konkursin e parë ndërkombëtar të fotografisë "Sotiri", i cili u mbajt në muajin maj në qytetin e Korçës. Pas pesë muajsh, e pas prezantimit fillimisht me publikun e Korçës, fotografitë pjesëmarrëse në konkurs janë ekspozuar në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë në një ekspozitë që do të qëndrojë e hapur deri më 16 tetor. "Ne kishim kohë që e mendonim të zhvillonim një konkurs ndërkombëtar të këtij lloji", tregon Alketa Kurrizo, kuratore e këtij konkursi. "Ne mendonim të bënim një ekspozitë të ndërtuar mbi një koncept të ri. Synimi ishte të mblidhnim rreth vetes pikërisht artistë të rinj, t‘u jepnim atyre hapësira të nevojshme për t‘u rrëfyer nëpërmjet fotografisë", vazhdon më tej ajo. E në të vërtetë "Sotiri" u krijua pikërisht për fotografët e rinj, një konkurs që synon të ndërtojë një traditë të re të zhvillimit dhe promovimit të fotografisë në Shqipëri. Ky projekt kulturor do të mbledhë fotografë të rinj shqiptarë dhe ndërkombëtarë, për të promovuar fotografinë si një formë e shprehjes dhe dinamikës së artit bashkëkohor, e shoqërisë në zhvillim. Edhe vetë Alketa Kurrizo, kuratorja e "Sotirit" është një artiste e re në kërkim të hapësirave e për këtë arsye ky aktivitet është i rëndësishëm për të. "Duke qenë të rinj, këto aktivitete konsiderohen si nevojë, sepse ka shumë syresh që kanë ide dhe koncepte, por që kanë nevojë, kërkojnë një ndihmë për t‘u shfaqur. Është e vështirë të përfshihesh në aktivitete të mëdha, por projekti jonë është i hapur. Aktivitete që mundohen të promovojnë fotografinë. Gjithnjë duke u bazuar te tradita, sepse ne kemi një traditë vërtet të pasur në fotografi. Dhe është mirë ta promovojmë atë nëpërmjet formave të reja, ndaj kemi zgjedhur ta promovojmë në këtë mënyrë, duke u kthyer në vëmendje trashëgiminë në një formë të re", thotë ajo.
Në të parin edicion, ky konkurs u ndërtua mbi konceptin e quajtur "Ruaje këtë". Një praktikë që synon të kthejë në vëmendje nëpërmjet fotografisë procesin e "ruajtjes" së një momenti të vyer. "Të gjitha punët janë përzgjedhur me aplikim online. Praktika kuratoriale pra ka qenë shumë e thjeshtë. Është bërë një lajmërim në disa adresa të rëndësishme artistësh në internet, ndërsa koncepti kuratorial është vendosur online. Artistët duhet të specifikonin fotografinë në bazë të konceptit ‘Ruaj këtë‘, një koncept i cili ka të bëjë me historinë, me faktin se si njerëzit zgjedhin të ruajnë pjesëza të zakonshme të jetës, ngjarjeve, personazheve në fotografi. Pse ata i zgjedhin këto momente dhe çfarë vlere kanë ato? Çfarë vlere marrin kur rikonceptohen në një mënyrë tjetër? Pra, një koncept që lidhet me vetë funksionin e fotografisë në të vërtetë, pasi fotografia e ka këtë shans, ngrin momentin, që në të vërtetë edhe mund të harrohen. Pyetja ishte e thjeshtë: Çfarë keni zgjedhur të ruani dhe pse? Dhe përgjigjet janë këto", thotë Alketa, ndërsa tregon për nga fotografitë e ekspozuara në murin e galerisë.
"Ruaje këtë" vjen si një dëshmi e të dokumentuarit të asaj që më shumë është e rëndësishme, një riprodhim i realitetit në kohën e shkuar. Fragmente të kohës, ndjesi dhe perceptime të ndryshme janë rrëfyer te "Sotiri" në rreth 60 fotografi të autorëve të ndryshëm. Alketa thotë se prej kohësh ka qenë e interesuar për fenomene që vendosen jashtë periferisë së vëmendjes sonë. Duke theksuar këtë informacion të "lënë mënjanë", duke e vënë në qendër të vëmendjes, ai nevojitet të rishihet, të rimendohet, ashtu si historia ndjen të bëjë ndonjëherë. Sipas saj, kur imazhet bëhen dëshmitare të fakteve dhe reflektojnë atë masë të përbashkët të së vërtetës, mund të jenë shenja të paharrueshme. Ka momente dhe fakte që mund të vdesin pa u vënë re. Të tjerë mund ta kalojnë këtë prag. Duke ruajtur kohën, vendin, objekte dhe subjekte, gjithçka e së shkuarës kthehet në fakt të së sotmes.
E tillë është edhe fotografia e Sibel Pipës, e cila ka marrë pjesë në konkurs me një fotografi të titulluar "Go West". Në të ajo ka rrëfyer gjithë ndjesitë e saj në lidhje me rrugëtimin e vendit, Shqipërisë drejt Evropës. Edhe pse në dëshirën e mirë për të dokumentuar një zhvillim ose rrugë të pretenduar se po ndiqet, kjo foto vjen si dëshmi e vërtetë ironike e kësaj dëshire që ka humbur rrugës. Figurimi i gjendjes reale, pa kursyer orientimin ironik për në Perëndim vjen si qëndrim i vullnetshëm i artistes për të treguar ndjesitë e saj për realitetin ku jeton. "Unë e shikoj në këtë mënyrë rrugën nëpërmjet së cilës vendi ynë po shkon drejt Evropës. Është një rrugë gati e kalbur e ne Evropën e shikojmë ende nëpërmjet hapësirave tepër të vogla", tregon Sibel. Ajo është rritur me një aparat fotografik në dorë. Dëshira për të ruajtur kujtimet e ka shtyrë atë drejt fotografisë, ndërsa tregon e bindur se fotografia dhe aparati nuk kanë për t‘u ndarë asnjëherë prej saj. "Ruaje këtë" ka mbledhur pranë vetes 19 autorë, fotografë nga Shqipëria, Gjeorgjia, Holanda, Austria, Bosnjë-Hercegovina, Maqedonia, Singapori, Belgjika, Greqia etj. Ata janë pjesëmarrës me fotografitë e tyre në këtë konkurs dhe ekspozitë fotografike, e cila ka lindur si ide e projektit 5.6.
Box
Sotiri, fotografi avangardë
Kristaq Sotiri ishte mik i ngushtë me Vangjush Mion. Të dy dilnin shpesh bashkë... Mio pikturonte e Sotiri fotografonte. Një pjesë të mirë të peizazheve të dy i kanë "ngecur" në të njëjtën kohë, njëri në një foto e tjetri në tablo... Sotiri ishte një nga profesionistët e parë që ndërtoi traditën e fotografisë në Shqipëri. Bashkë me emra të tjerë të fotografisë shqiptare, Kristaq Sotiri la gjurmë në historinë e fotografisë në vend.
"U mendua që konkursi të quhej ‘Sotiri‘, sepse për kohën kur ai ka bërë fotografi ka qenë një fotograf avangardë. Ai vetë kërkonte të ishte i tillë. Në fakt, një grup artistësh korçarë synonin t‘i bënin "rezistencë" kohës për të sjellë këtë frymë të re, ndryshe nga sa qarkullonte ato vite", thotë Alketa Kurrizo, kuratorja e ekspozitës "Sotiri". Por ka edhe një arsye tjetër që i shtyu organizatorët ta quanin "Sotiri", sepse kishte ardhur momenti që emri i këtij fotografi të rehabilitohej. Ndërsa për mikun e tij, Vangjush Mio, dhe për veprën që ai la pas është folur, krijimtaria e Kristaq Sotirit është thuajse e panjohur. Fotografi korçar, Kristaq Sotiri, i lindur në vitin 1883, u formua si fotograf në SHBA. Gjatë gjithë krijimtarisë së tij ai fotografoi dhe portretizoi qytetarinë shqiptare, jetën kulturore dhe protagonistët e saj sipas stilit amerikan të kohës. Fotot e tij asnjëherë nuk janë përdorur apo shfaqur në ndonjë aktivitet. Arkivi i fotografive, me rreth 15 mijë negativë, që disponojnë trashëgimtarët e Sotirit, përbën esencën e gjithë punës së mjeshtrit. Kryesisht janë portrete, realizuar brenda dhe jashtë studiove tipike të zanatit, dhe peizazhe që nuk shkojnë përtej Korçës, rrethinave dhe fshatrave të saj. Në krahun tjetër të Marubëve, që kishin krijuar dinastinë e tyre, peshonte juglindja me Sotirin. Ai është vlerësuar si një fotograf lirik. Sotiri, ashtu si një pjesë e mirë e korçarëve, emigroi sa në Amerikë apo në Francë, drejt "tokës së premtuar". Deri në vitin 1919 ai kishte një studio të vetën në New York. Më pas u njoh me fotografin kalifornian, Georg Steckel. Prej tij ai mësoi më shumë për teknikën specifike të ndriçimit, të cilës i mbeti besnik deri në fund. Në vitin 1922 u kthye në atdhe, në qytetin e lindjes, ku hapi studion "Sotiri". Në fotoarkivin e tij që ruhet në kushtet e shtëpisë, përveç portreteve, një vend të rëndësishëm zënë peizazhet, momentet nga jeta sociale. Vdiq në vitin 1970, në moshën 87-vjeçare. "Ndryshe nga sa ishte traditë për fotografinë e kohës në Shqipëri, me ekzorcizmin e theksuar të fotove të Marubit, Sotiri, nëse do të bëhej një krahasim, solli një frymë tërësisht ndryshe. Fotoja e Sotirit është më borgjeze, ai sjell portrete, shumë peizazhe, një formë fotografie alla amerikane. Imazhi i tij është më i shumuar. Sotiri ka bërë edhe shumë foto familjare. Nuk ka familje të vjetër në Korçë që të mos ketë foto prej tij", vazhdon kuratorja Alketa Kurrizo. Krijimtaria e Kristaq Sotirit është në pronësi të familjarëve të saj.