ACR: Nuk u detyrohemi furnitorëve, borxhi i përket “Italkrom”

Pas ndërhyrjes së sotme të zyrës përmbarimore në Uzinën e Burrelit, ka reaguar edhe Kompania koncesionare “ACR”. Në një njoftim të publikuar për mediat ACR sqaron se borxhi ndaj furnitorëve i përket kompanisë italiane “Italkrom”, e cila administronte uzinën në kohën kur menaxhohej nga “DARFO”.
“"Kompania koncesionare "ACR", e cila prej vitesh ka investuar dhe punon në fushën e kromit në Shqipëri, sqaron opinionin publik në lidhje me një incident që ka ndodhur sot me zyrën përmbarimore. Punonjësit e përmbarimit kanë hyrë në Uzinën e Burrelit dhe kanë tentuar të sekuestrojnë ferrokromin që ndodhen në Uzinë me pretekstin se po ekzekutojnë në vendim të Gjykatës për një borxh që pretendohet se kompania i ka furnitorëve.ACR" sqaron opinionin publik dhe organet shtetërore se nuk bëhet fjalë për një borxh të kompanisë "ACR", por kompanisë italiane "Italkrom", e cila administronte uzinën në kohën kur menaxhohej nga "DARFO". Kjo kompani nuk ka paguar furnizuesit e saj dhe në një moment është zhdukur pa lënë gjurmë”- thuhet në njoftim.
Sipas kompanisë ACR furnizuesit kanë paditur "Italkrom" në Gjykatën e shkallës së parë dhe ajo u ka dhënë të drejtë. Vendimi është kundërshtuar në Gjykatën e Apelit brenda afateve ligjore. Kjo ka bërë që vendimi i shkallës së parë të mos marrë formën e prerë dhe për pasojë të mos jetë ende i ekzekutueshëm.
Më tej "ACR" thekson se është duke ndjekur të gjitha hapat dhe procedurat ligjore pasi beson se vetëm Gjykata është ajo që mund të japë drejtësi në këto raste.