E Shtunë, 31 Tetor 2026

Greqi, kryeministri Lukas Papadhimos: Zgjedhjet, më 6 maj

ATHINE - Të dielën, më 6 maj do të mbahen zgjedhjet parlamentare, njoftoi zyrtarisht kryeministri grek Lukas Papadhimos, gjatë fjalës së tij në mbledhjen e fundit të kabinetit qeveritar të drejtuar prej tij. 

Më pas, kryeministri do të vizitojë pallatin presidencial dhe do t'i kërkojë Presidentit të Republikës të nxjerrë dekretin për të shpërndarë parlamentin dhe të bëjë thirrje për zgjedhje parlamentare. 

Parlamenti i ardhshëm do të mblidhet për herë të parë më 17 maj.

Kryeministri iu bëri thirrje ministrave që do të jenë kandidatë për zgjedhje, që edhe gjatë fushatës elektorale të përmbushin detyrat e tyre si anëtarë të qeverisë, duke theksuar se "Qëllimi i dytë nuk duhet të arrihet në kurriz të qëllimit të parë" dhe se "nuk duhet humbur asnjë ditë."

Sonte në mbrëmje kryeministri Papadhimos do t'i dërgojë një mesazh opinionit publik, për të njoftuar datën e zgjedhjeve, por mesazhi i tij do të përqëndrohet në nevojën e vazhdimit të reformave. 

Zgjedhjet e ardhshme janë shumë të rëndësishme për situatën e brishtë në të cilën ndodhet vendi. Sipas sondazheve, asnjë parti deri tani nuk siguron shumicën e duhur për të krijuar qeverinë, dhe lideri i partisë që kryeson sondazhet, Antonis Samaras ka ripërsëritur disa herë se nuk do të bëjë koalicion me PASOK. “Nëse nuk do të ketë maxhorancë qeveritare, do të imponohet përsëritja e zgjedhjeve, sepse vendi nuk mund të mbetet pa qeverisje. Unë dua t’i kem duart të zgjidhura që të mundem të marr vendimet e nevojshme”, ka theksuar Samaras. 

Ndërkohë kreditorët e Greqisë nuk e kanë fshehur shqetësimin për atë që do të ndodhë pas zgjedhjeve në vend dhe për rrezikun e ngadalësimit të reformave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›