Nikolla: "ACR duhet të respektojë ligjin"
Kompania "ACR", ka njoftuar se ditën e hënë më datë 12 shtator, ora 7:00, do të fillojë puna në minierën e Bulqizës. Kjo kompani fton te gjithë minatorët të kthehen në minierë ditën e hënë, ku thekson se punonjësit e ACR-së, të cilët nuk do të paraqiten në pozicionet e tyre përkatëse, do të konsiderohen që nuk dëshirojnë të punojnë. Nëpërmjet një deklarte për shtyp, "ACR" thekson se nuk mund të mbetet peng i një grupi njerëzish dhe se përveçse ka plotësuar të gjitha kërkesat e minatorëve, ka qenë e gatshme të bisedojë në çdo kohë me ta.
"Për të mirën e përbashkët të kompanisë dhe minatorëve të Bulqizës, ACR pranoi të ulej në bisedime edhe me drejtuesit e sindikatës, të cilët janë krijuesit e kësaj situate të vështirë. Pavarësisht të gjitha përpjekjeve të ACR, asnjë marrëveshje nuk është realizuar me krerët e sindikatave. Ashtu si dyshohej, lidershipi i sindikatave ka treguar edhe njëherë mos dashjen e pa arsyeshme për zgjidhjen e situatës. Në këto kushte, ACR ka vendosur të ndërpresë çdo komunikim efektiv me kreun e sindikatave, pasi çdo hapësirë negocimi me këtë grup aventurieresh është konsumuar", thuhet në njoftimin e "ACR"-së.
Gjithashtu ACR nënvizon se personat që dëshirojnë të vazhdojnë të punojnë, duhet të raportojnë praninë e tyre në administratën e kësaj kompanie në Bulqizë", ku dhe do të pajisen me kontratat e reja individuale.
"Këto kontrata do të bazohen në kontratat aktuale me modifikimet; paga neto e rritur me 20%, e drejta për kushte të mira pune të vazhdueshme, e drejta për t`u informuar për planet e investimeve në minierë", bënë të ditur "ACR". Për të lehtësuar gjendjen e vështirë financiare të punonjësve dhe familjeve të tyre si pasojë e kësaj greve të jashtëligjshme, "ACR", do t`u paguaj minatorëve rrogën e 13-të brenda javës së ardhshme.
Menjëherë pas deklaratës së Kompanisë "ACR", ka ardhur edhe reagimi i kreut të konfederatës së minatorëve Kol Nikolla. Sipas tij, "ACR duhet që më parë të garantojë kryerjen e investimeve sipas kontratës, të sigurojë kushte më të mira pune, si dhe të garantojë sigurinë në punë". Gjithshtu prej kreut të Konfederatës është kërkuar që kompania pasi të ketë realizuar të gjitha kushtet e kërkuara prej minatorëve dhe ende nuk ka rifilluar puna, t`i drejtohet Gjykatës ose Ministrisë së Punës për ndërmjetësim, sipas ligjit. Ndërkaq, sot minatorët e Bulqizës kanë protestuar sërish duke kërcënuar se nëse deri të hënën, firma ACR nuk plotëson kërkesat e tyre, atëherë ata nuk do i dërgojnë fëmijët në shkollë. Tre kërkesat e tyre janë: "Të largohet administratori, të paguhen ditet e grevës dhe sigurimet shoqërore".