E Hënë, 2 Nëntor 2026

ADRIANO E VERON ZEMEROJNE INTERIN

11/06/2005  Braziliani donte të kthehej me vonesë nga Brazili, ndërsa argjentinasi kërkon pagë më të lartë

Roberto Mançini duhet të mendojë për Kupën e Italisë dhe mbi të gjitha për sezonin e ardhshëm, por ndërkaq ka humbur përsëri qetësinë. Trajneri zikaltër është zemëruar me dy nga lojtarët kryesorë të skuadrës, Adrianon e Veronin, të cilët për arsye të ndryshme po shkaktojnë polemika në ambientin zikaltër. Fillojmë nga braziliani që, pasi ka zhvilluar dy ndeshje me Kombëtaren braziliane, ka dashur të kthehet në Itali pasditen e sotme. Por ky lajm ka tërbuar Mançinin, sepse dëshironte ta kishte në dispozicion që dje sulmuesin brazilian, i cili do të luajë vetëm ndeshjen e parë të Kupës së Italisë kundër Romës, që do të zhvillohet nesër në mbrëmje, në orën 21.30. Vendimi i Adrianos ka ngjallur jo pak habi te drejtuesit e Interit, sidomos pas aksionit diplomatik të javëve të kaluara për ta mbajtur të paktën për një ndeshje. Në mënyrë të veçantë, është mërzitur Roberto Mançini, sepse kundër Romës nuk do të ketë në dispozicion as Bobo Vierin. Trajneri zikaltër nuk ka folur, por zhgënjimi është dukur qartë në fytyrën e tij, pas tekës më të fundit të Adrianos, marrëdhëniet me të cilin janë gjithmonë e më të këqija, pas një seri polemikash gjatë sezonit. Por për të zgjidhur atë që mund të transformohej në një problem gjigant para finales së Kupës, ka menduar presidenti Xhiaçinto Faketi, i cili ka biseduar personalisht me lojtarin dhe e ka bindur të nisej që dje për në Itali, ashtu si kishin bërë argjentinasit Zaneti, Kambiaso e Kili Gonzales, të cilët pas ndeshjes me Brazilin u nisën për në Milano. Nuk është hera e parë që Adriano bëhet protagonist i episodeve të tilla. Drejtuesit zikaltër janë ndjerë të tradhëtuar, sidomos pas gjithë atij “sherri” me Federatën Braziliane për ta mbajtur lojtarin në Itali, të paktën për ndeshjen e parë të Kupës. Një tjetër problem për Interin ka lindur nga Huan Sebastian Veron, sepse është zbuluar një prapaskenë rreth takimit të ditës së mërkurë midis manaxherit të Çelsit Piter Kenion e Masimo Moratit, në lidhje me argjentinasin. As Çelsi e as Interi nuk duken të gatshëm t’i paguajnë lojtarit të njëjtën pagë që ka pasur sezonin që sapo u mbyll, që vërtitet rreth 4 milionë eurove. Dy klubet e kishin ndarë këtë shifër, por tani Çelsi do të lejojë rinovimin e huazimit vetëm me kushtin që paga e Veronit të merret përsipër nga Interi. Prokuratori i argjentinasit ka paralajmëruar se Veron nuk nuk do të pranojë shkurtim page dhe ky është një fakt që ka befasuar dhe zemëruar drejtuesit zikaltër, të cilët ishin të bindur se lojtari do të qëndronte në Milano duke pranuar pagën prej 2 milionë eurosh.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›