E Hënë, 2 Nëntor 2026

JUVE - KASANO, NUK KA MBARUAR

11/06/2005  Të enjten u fol për një afrim të ndjeshëm të Interit me Kasanon, dje ka reaguar Juventusi, që është vënë në lëvizje dhe ka parakaluar Interin. Provat për këtë parakalim vijnë nga fjalët e Roberto Betegës, Franko Zavaljas (prokurator i Mutusë) dhe Pantaleo Korvino, drejtori i ri sportiv i Fiorentinës. Së pari, zëvendëspresidenti i Juventusit, në një intervistë lëshuar për të përditshmen ‘Gazzetta dello Sport”, ka thënë: “Po bëjmë gjithçka për të ndihmuar Moxhin, që është një mjeshtër për të bërë surpriza. Edhe pse në fakt ne nuk kemi nevojë për ndryshime të mëdha, në krahasim me skuadrat e tjera”. Një surprizë: Kasano apo Xhilardino? Më e mundur duket ajo e sulmuesit të Romës, duke parë që Xhila kërkon të kalojë te Milani. Një tjetër provë vjen nga deklaratat e agjentit të Adrian Mutusë, i cili ka lënë të kuptohet se rumuni mund të përfshihet në një shkëmbim të mundshëm merkatoje: “Mutu ka mbërritur në Torino për të luajtur, megjithëse mund të largohet, nëse Juventusi do ta përfshijë në ndonjë operacion gjigant”. Prova e tretë vjen nga Firencja, ku drejtori i ri sportiv i Fiorentinës, Pantaleo Korvino, ka shprehur dëshirën për të mbajtur Mikolin, Mareskën e Kielinin. Shitja përfundimtare e Mikolit e Mareskës mund t’i sjellë Juventusit rreth 10 milionë euro, ndërkohë që Kielini do të vazhdojë të huazohet. Paratë që do të vijnë nga Fiorentina, do të ishin të mjaftueshme për të kaluar ofertën e Interit, me 15 milionë euro dhe kartonin e Adrian Mutusë. Tani pritet përgjigja e drejtuesve të Interit, që të dielën do të takohen me drejtuesit e Romës me rastin e finales së vajtjes të Kupës së Italisë. Gjithsesi, Juventusi ka avantazhin se ka ndërtuar një linjë të privilegjuar me Romën, duke qenë se me shumë mundësi, drejtori i ri i përgjithshëm i Romës do të jetë Alesandro Moxhi, djali i “Big Luçianos”. Pa harruar që në stolin bardhezi ulet Fabio Kapelo, të cilin Kasano e konsideron si një baba.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›