E Hënë, 2 Nëntor 2026

Drejtori i Doganave jep dorëheqjen

11/06/2005  Largohen nga detyra dhe tre drejtorë tatimesh

Drejtori i Doganave, Shpëtim Idrizi, ka dhënë dorëheqjen nga pozicioni i drejtorit, duke respektuar rregulloren për fushatën zgjedhore. Kandidimi si deputet e obligon drejtorin e Doganave të japë dorëheqjen. Drejtori i Doganave ka dhënë dorëheqjen në një ditë me drejtorin e KESH-it pas debateve të shumta në shtyp, në lidhje me konfliktin e interesave që shkaktonte pozicioni i tyre.

“Për të siguruar vijimësinë normale të drejtimit të doganave, deri në përfundim të procedurës së përzgjedhjes, në bazë të Kodit Doganor dhe parimeve të ligjit ‘Për Statusin e Nëpunësit të Shërbimit Civil’, ministri i Financave, Arben Malaj, do t’i propozojë Kryeministrit drejtorin e komanduar të përgjithshëm të Doganave”, ka bërë të ditur zyra e shtypit pranë ministrit të Financave. Ndërkaq për të njëjtën arsye i kanë paraqitur dorëheqjen drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve tre drejtues të administratës tatimore në rrethe, kryetari i Degës së Tatimeve në Tiranë, përgjegjësi i Policisë Tatimore të Tiranës dhe përgjegjësi i Policisë Tatimore të Shkodrës. Deri në përfundim të procedurës së përzgjedhjes në bazë të kuadrit ligjor për Statusin e Nëpunësit të Shërbimit Civil të drejtuesve të këtyre degëve, drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve do të komandojë në këto poste punonjës me përvojë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›