E Hënë, 2 Nëntor 2026

Fondi i Sfidës së Mijëvjeçarit

11/06/2005  Shqipëria konkurron me projekte kundër korrupsionit

Qeveria premton të luftojë korrupsionin me dy projektet për prokurimet dhe tatimorët

Me dy projekte për sektorët e qarkuar me rreth të kuq për nivelin e lartë të korrupsionit, qeveria pret të përfitojë një grant prej 10 milionë dollarësh, por dhe të rifitojë besimin e lëkundur të ndërkombëtarëve. Më pas, në rast se do të jenë të suksesshëm, “dera” e amerikanëve do të jetë e hapur për fonde deri në 100 milionë dollarë në mbështetje të ekonomisë shqiptare dhe reformave institucionale. Luftë kundër korrupsionit në sektorin e tatimeve dhe në atë të prokurimeve dhe në fund rezultat më i lartë në mbledhjen e të ardhurave dhe menaxhimin e fondeve publike. Kjo është ajo çfarë ka premtuar qeveria nëpërmjet një planbiznesi, me të cilin do të konkurrojë në Llogarinë e Mijëvjeçarit, por në një fond të veçantë të hapur vetëm për vendet që kanë demonstruar vullnet politik në luftën kundër korrupsionit.

Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit është një agjenci e qeverisë së SHBA-së, e cila ofron financime në formën “grant” për vendet me demokraci të re, që tregojnë hapa konkretë në gatishmërinë politike dhe operacionale në luftën kundër korrupsionit.

“Ky program u krijua për të ndihmuar qeveritë që kanë demonstruar një përkushtim të qartë ndaj reformave ekonomike thelbësore dhe qeverisjes së mirë”, tha drejtori i USAID–it në Shqipëri, Harry Birnholz. Për vendet që aplikojnë për herë të parë, Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit ka krijuar një llogari nëpërmjet një programi, që quhet “Programi i vendeve të pragut”. Në këtë program jepet mundësia për të aplikuar për projekte, suksesi i të cilave do të tregonte një vullnet politik. “Suksesi në këtë etapë na jep mundësi që të aplikojnë për “grante” në vlera mbi 100 milionë dollarë amerikanë”, ka bërë të ditur zyra e shtypit pranë ministrit të Financave. Kështu, Kryeministri Nano e ka bërë zyrtar dorëzimin e projekt-propozimit të projekteve në Drejtorinë e Misionit të USAID–it si dhe letrën drejtuar Sekretares së Shtetit, Condoleezza Rice.

“Duke vlerësuar maksimalisht mundësinë që na u dha për të konkurruar dhe përfituar nga programi i vendeve të Pragut të Llogarisë së Sfidës së Mijëvjeçarit, qeveria shqiptare është e vendosur që të arrijë rezultate të dukshme, që do të reduktojnë korrupsionin dhe forcojnë kapacitetet në fushën e tatimeve dhe prokurimeve publike”, ka deklaruar Kryeministri Fatos Nano, gjatë ceremonisë së dorëzimit të projekteve. Kështu, qeveria shqiptare ka filluar tratativat që në fund të 2004 për të marrë pjesë në një konkurrim, ku mund të fitohet vetëm me projekte konkrete në luftën kundër korrupsionit. Stafi i Ministrisë së Financave, Njësisë Antikorruspion dhe Ministrisë së Shtetit, kanë bashkëpunuar për të dorëzuar një propozim të detajuar në formën e një planbiznesi, ku janë justifikuar në detaje ndërhyrjet për minimizimin e korrupsionit nëpërmjet modernizimit, si dhe fondet e nevojshme për realizimin e tyre. “Ky propozim është teknik dhe me detaje, që do të justifikojnë buxhetet e kërkuara pranë MCC. Vlera totale e buxhetit që do të aplikohet është 10.500.000 USD, e cila do të jepet në formën ‘grant’”, ka bërë të ditur Ministria e Financave. Dokumenti i projektpropozimit përmban një plan implementimi dhe menaxhimi për Projektin e Reformës në Agjencinë e Prokurimit Publik dhe Projektin i Reformës në Degën e Tatimeve të Tiranës.

Shqipëria, korrupsioni e përjashton dy vjet nga konkurrimi

Shqipëria është përjashtuar në 2002–2003 nga Llogaria e Sfidës së Mijëvjeçarit si pasojë e nivelit të lartë të korrupsionit dhe mosplotësimit të kritereve të konkurrimit. Por, në 2005-ën, emri i Shipërisë nuk ishte në listën e vendeve që përfituan nga kjo ndihmë, për një arsye krejt tjetër. Shqipëria kishte nivel më të lartë të të ardhurave për frymë se sa vendet që konkurronin në Llogarinë e Mijëvjeçarit. Sipas raportit të bërë nga bordi ekzekutiv i Sfidës së Mileniumit për vitin fiskal 2005, kriteret për kandidatët e propozuar fillimisht kishin të bënin me dy kritere, që ishin arritja e të ardhurave për frymë, afërsisht ose më pak se tavani i përcaktuar nga Shoqëria e Zhvillimit Ndërkombëtar për vitin fiskal, rreth 1465 dollarë për frymë. Kriteri i dytë ishte se vendet kandidate nuk kanë pengesa ligjore, që i ndalon ato të marrin ndihmë ekonomike nga Shtetet e Bashkuara, sipas pjesës së parë të Aktit të Ndihmës së Huaj, të vendosur në vitin 1961, që janë qeverisje me drejtësi, liri ekonomike dhe investime në njerëz. Shqipëria nuk i plotëson këto kushte, ndaj duket se është për të tretin vit radhazi jashtë ndihmës amerikane për sigurimin e rritjes ekonomike dhe reduktimin e varfërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›