E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Ujë, 12 orë ujë në ditë,energji elektrike 24 orë”

09/06/2005  Nënkryetari i Bashkisë, Fatos Mullai premton

SARANDE - Saranda do të furnizohet me 12 orë ujë në dite dhe energji pa ndërprerje gjatë sezonit veror.

Fakti është bërë i ditur nga zëvendëskryetari i Bashkisë së këtij qyteti, Fatos Mullai. Sipas tij, ky qytet do të ketë gjatë ditëve të nxehta 12 orë ujë në ditë në bazë të orareve që do të caktohen nga Drejtoria e Ujësjellës-Kanalizimeve në bashkëpunim me bashkinë dhe kërkesat që do të kenë konsumatorët për vendosjen e orareve të furnizimit.

Numri dy i bashkisë së qytetit bregdetar, Mullai, duke folur për gazetën “Metropol”, tha se qendra e qytetit do të ketë një orar më të zgjatur me furnizimin e ujit të pijshëm, ndërkohë që orari i lartëpërmendur do të jetë për lagjet në periferi dhe disa zona, të cilat kanë shfaqur probleme në këtë drejtim deri para pak kohësh. I njëjti burim tha se aktualisht në çezmat e banesave të qytetit bregdetar ka 9 orë ujë, gjatë 24 orëve.

Masat që po merren nga Drejtoria e Ujësjellës-Kanalizimeve pas kujdesit dhe kërkesës së herëpashershme të bashkisë do të zvogëlojnë në minimum problemin e hershëm të ujit në Sarandë. Mullai tha se stafi i bashkisë së Sarandës po kërkon që Drejtoria e Ujësjellës-Kanalizimeve duhet të kalojë në varësi të bashkisë, gjë e cila, sipas tij, do të sillte një mirëmenaxhim të saj dhe rritje të efektivitetit të punës së saj dhe eliminim te avarive në sistemin e furnizimit me ujë të pijshëm.

Një vit më parë, në stacionin e pompave të Vrionit, nga ku furnizohet qyteti i Sarandës, pati një avari të rëndë. Kjo avari solli një ndërprerje të ujit në Sarandë për 7 ditë në muajin gusht, kur numri i turistëve pesëfishohet krahasuar me numrin e tanishëm. Drejtuesit e bashkisë, por dhe të institucioneve vendore të tjera sigurojnë se janë marrë të gjitha masat që një gjë e tillë të mos ndodhi sërish.

Promovohet udhërrëfyesi për pushuesit

Saranda me guidën e saj turistike

SARANDE - Ditët e fundit, qyteti i Sarandës dhe pikat e saj turistike kanë guidën e re, që është hedhur në treg për të gjithë turistët vendas dhe të huaj, që janë të interesuar për këtë qytet. Kjo guidë është hartuar nga drejtoria e turizmit në bashkinë e Sarandës.

Drejtorja e kësaj drejtorie, Matilda Andoni, e vlerësoi këtë botim si një hap pozitiv në çelje të sezonit turistik për pasqyrimin e vlerave natyrore dhe kulturore të Sarandës dhe rrethinave të saj. Andoni vuri në dukje se botimi i ri turistik ka 150 faqe dhe është në gjuhën shqipe.

Guida ka një informacion të bollshëm për të interesuarit dhe është një nga botimet me cilësore dhe më të pasura me shifra dhe fakte të ndryshimit të Sarandës vitet e fundit. Në këtë botim gjendet gjithçka duhet për Sarandën si numri i hoteleve, i shtretërve, çmimet e tyre dhe gjithçka tjetër, që është e nevojshme për pushuesit që të zgjedhin qytetin jugor bregdetar për të kaluar ditët e nxehta të kësaj vere.

Drejtorja e drejtorisë së turizmit tha gjithashtu se kjo drejtori ka publikuar ditët e fundit edhe disa fletëpalosje të reja, të cilat gjenden në çdo hotel, që pasqyrojnë disa nga elementët më të rëndësishëm të vlerave natyrore të Sarandës.

Gjithashtu, këto fletëpalosje janë të shpërndara edhe në pikat hyrëse kufitare të Sarandës, veçanërisht në portin e Sarandës për t’u dorëzuar te turistët që futen në qytet, përfundon drejtoresha Matilda Andoni.

Duke vlerësuar këtë botim kryetari i bashkisë së Sarandës, Edmond Gjoka, tha se kjo guidë synon jo vetëm të informojë qytetarët dhe turistët, por edhe t’u krijojë atyre mundësinë që të zgjedhin.

“Ne kemi hyrë, theksoi kryebashkiaku, në atë pjesë të industrisë ndërkombëtare të mikëpritjes dhe po shikojmë që së bashku me ruajtjen e vlerave të trashëgimisë arkeologjike natyrore dhe kulturore të bëjmë ç’është e mundur të përmirësojmë infrastukturën, cilësinë e shërbimeve dhe të shpalosim vlerat e mikëpritjes të kulturës dhe edukatës qytetare.

Kreu i bashkisë, duke promovuar guidën e re turistike, tha se Saranda ka mbi 3 mijë metra katrorë plazh dhe këto hapësira po zgjerohen çdo ditë me interesimin e bashkisë duke qenë në gjendje të pres një numër më të lartë turistësh.

Ndërkohë, drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve, Aristotel Koçi, bëri të ditur se janë liçensuar 80 taksi dhe 12 mikrobusë si dhe 38 autobusë brenda dhe jashtë qytetit. Taksitë janë ta pajisura me taksimetër. Çmimi i lëvizjes me taksi për një kilometër është 1 euro. Çdo ditë nga Saranda në drejtim të Tiranës lëvizin 5 autobusë, ndërkohë që në drejtim të qyteteve të tjera të vendit kryejnë transportin e udhëtarëve me shumë se 15 autobusë.

Në dispozicion të pushuesve

3 mijë m2 plazh

80 taksi

12 mikrobusë

38 autobusë

Porti i Sarandës, trampolina për një ditë e turistëve të huaj

Deri tani, 1800 vizitorë të huaj

SARANDE - Lëvizja e pasagjerëve nga porti i Sarandës në drejtim të ishullit grek të Korfuzit, asnjëherë nuk ka shfaqur probleme, vetëm në rastet kur ka patur keqësime të kushteve atmosferike.

Burime zyrtare nga ky port bënë të ditur për gazetën “Metropol” se në drejtim të ishullit helen nisen çdo ditë tragetet “Kaliopi”, “Sotiraqi” dhe “Delfini”. Udhëtimi zgjat një orë e tridhjetë minuta. Nisja e trageteve nga porti i Sarandës bëhet në orët 09.13 dhe 14.

Ndërkaq, futja e turistëve njëditor në qytetin jonian bëhet nga shoqëri të ndryshme turistike.

Informacioinet e marra nga këto shoqëri tregojnë se në këtë qytet nga porti i Sarandës që prej çeljes së sezonit veror deri me sot kanë hyrë 1800 turistë nga vende të ndryshme të botës, shumica prej tyre nga Britania e Madhe. Të gjithë turistët e futur në qytet kanë qenë turistë njëditor.

Ende mungon interesi i turistëve të huaj për të qëndruar në Sarandë më shume se një ditë. Vitin e kaluar Saranda u vizitua nga 63 mijë turistë. 15 mijë prej tyre ishin turistë të huaj, shumica prej tyre britanik që mbërritën në qytetin jugor nga ishulli i Korfuzit.

1 800 turistë viti 2005

63 000 turistë viti 2004

Sallata e Lëkurësit më e preferuara nga pushuesit, të huajt e kryeministrat

Sallata e Lëkursit, e shijuar nga Berluskoni, por e pëlqyer edhe në Hamburg të Gjermanisë

SARANDE – Kalaja e Lëkurësit tashmë nuk ka më vetëm historinë e saj të vjetër mbi supe. Shumëkush atë mund të identifikojë dhe me një sallatë. Nuk është shaka, por kalaja e rikonstruktuar dhe e kthyer prej disa vitesh në një restorant piktoresk dhe shumë të veçantë ka dhe një sallatë që mban emrin e saj. Atë e kanë shijuar që nga kryeministrat e deri te pushuesit e thjeshtë. Kastriot Musai, 31 vjeç, banor i Sarandës, aktualisht emigrant në Gjermani, tregon për gazetën “Metropol” se si lindi ideja që të servirte në tavolinë sallatën e Lëkurësit.

“Ishim duke punuar së bashku me shokët në pikën turistike të Kalasë së Lëkurësit dhe biseduam që mund të bënim diçka të re, që të kishte emrin e Lëkurësit. Vendosëm të uleshim dhe të punonim për një gjë të tillë. Grumbulluam speca të shtrira, tranguj të shtypur, domate, sallate ruse, fasule të konservuara me kokra të mëdha dhe patëllxhana. Pas një pune prej 50 minutash arritëm që kjo lloj fantazie të ishte gati për në tavolinë dhe ndiheshim shume të kënaqur, kur ajo pati një shije krejt ndryshe nga çfarë prisnim. Ishte me të vërtet fantastike.”

Më tej Kastriot Musai tregon hezitimin për ta bërë publike sallatën e re të pagëzuar me emrin e kalasë.

“Fillimisht vendosem ta servirnim te disa shokët tanë dhe kështu bëmë. Në fund, pasi ata e kishin shijuar atë, i pyetëm se a ishte e shijshme dhe ata u përgjigjën. ‘e mrekullueshme’”.

Më pas, kjo lloj sallate pëlqehej dhe kërkohej nga të huajt që vinin në Lëkurës, sepse bëheshin kurioz edhe nga emri i saj.

“Kemi arritur që gjatë një dite të servirnim 20 pjata të tilla duke patur parasysh se kjo lloj sallate servirej me pjata goxha të mëdha”, shton Musai.

Interes për sallatën e Lëkurësit shfaqnin dhe politikanët shqiptarë, të cilët thuajse e kishin të preferuarën e tyre.

“Më kujtohet që një sallate të tillë ka shijuar edhe Kryeministri italian, Silvio Berluskoni, gjatë një qëndrimi të tij në Sarandë”.

Por pasioni për sallatën e Lëkurësit nuk e kanë vetëm shqiptarët e pushtetarët aktualisht, ka treguar më tej Kastriot Musaj, unë punoj si kuzhinier në restorantin “Jonis” në qytetin e Hamburgut.

“Aty unë e servir të njëjtën sallatë me të njëjtin emër dhe e gjithë klientela ime e ka në menunë e vet, pasi më drejtohen me shprehjen duam atë sallatën shqiptare. Ndihem shumë i kënaqur që një fantazi imja e rastit është kthyer në një nga prodhimet më të kërkuara të kuzhinës sarandiote, veçanërisht në pikën turistike të kalasë së Lëkurësit, ku unë kam punuar për 3 vjet. Në ditët e sezonit turistik, sallata e Lëkurësit kushton 500 lekë.

Shumë i kërkuar në qytetin bregdetar është dhe oktapodi, i cili serviret me verë të kuqe dhe kushton 12 mijë lekë në restorante, ndërsa në pika turistike çmimi ndryshon sipas specialitetit dhe shërbimit të atjeshëm.

Restoranti “Tre trëndafilat” më i preferuari nga turistët

SARANDE - “Tre trëndafilat” është ambienti më i pëlqyer nga turistët. I vendosur në një distancë 30 metra larg detit, me një eksperiencë pune 13-vjeçare, ky restorant është nga më të pëlqyerit në stinën e verës.

Siç na thotë dhe administratori i këtij restoranti, Dritan Kola, këtë vit, nëpërmjet prenotimit nga agjencitë turistike kemi siguruar 3 mijë prenotime, shumica prej tyre janë dreka me pjesëmarrje më shumë se 30 persona. Gjella e preferuar në këtë vend të veçantë është peshku pëllumb me ullinj, me një çmim nëntëqind lekë për çdo klient, pa dalluar turistët vendas me ata të huaj, siç ndodh shpesh në Sarandë.

Administratori Kola pranon se gjatë një sezoni vere nga lokali serviren më shumë se 2500 pjata me peshk pëllumb, një shifër kjo goxha e lartë për një restorant që pikun e punës së tij e ka në tre muajt më të nxehtë të vitit.

Këtë vit mendohet, shprehet i njëjti burim, të kemi rreth 10 mijë turistë në lokalin tonë, shumica prej tyre turistë vendas, pasi janë njohur prej vitesh me menunë tonë. Një vit me parë në tryezat e restorantit “Tre trëndafilat” drekuan dhe darkuan 8 mijë turistë. Shumica prej tyre janë klientë në këtë vend që prej disa vitesh, duke u rikthyer me konsideratat për kuzhinën e detit që kanë gjetur te “Tre trëndafilat“.

Sipas burimeve jozyrtare në Sarandë, ka rreth 100 bare dhe restorante, shumica prej të cilave me prodhime tradicionale shqiptare. Gjatë kësaj vere pritet të dalë guida e parë turistike, e cila do të pasqyrojë të gjithë aktivitetin vjetor të bareve dhe restoranteve në Sarandë.

500 lekë sallata e Lëkursit

700 lekë rracioni karkalecit

900 lekë rracioni peshkut të egër

700 lekë rracioni pëllumbit me ullinj

800 lekë rracioni kallamar i mbushur

600 lekë rracioni peskatrice me rigon

1200 lekë rracioni oktapodit

Flet Judy Green, specialiste amerikane në Drejtorinë e Turizmit në Sarandë

Parajsa e jugut ku mund të prenotosh me internet

SARANDE – Janë plot 107 hotele që janë pothuajse plotësisht të gatshëm për të pritur pushuesit veror. Kushtet e hoteleve nga specialistët cilësohen si mjaft të mira. Ndërkohë që pushues të shumtë në vend të një dhomë hoteli zgjedhin banesa private, të cilat janë me një çmim më të lirë. Për gjithçka ndodh gjatë 3 muajve të verës në Sarandë, për atë çka pritet të ndodhë sivjet dhe për mënyrat e reja të menaxhimit ka pranuar që të japë një intervistë për gazetën “Metropol” Judy Green, specialiste amerikane në drejtorinë e turizmit në Bashkinë e Sarandës.

Sa është numri i hoteleve që janë të regjistruar nga zyra juaj në Sarandë?

Ne tani sapo kemi përfunduar një punë të gjatë për nxjerrjen e statistikave për shifrën e saktë të hoteleve në qytetin e Sarandës dhe periferi, kur dihet që shumica prej tyre janë të vendosur në periferi. Puna për nxjerrjen e statistikave u realizua nga drejtoria jonë në bashkëpunim me shkollën e mesme teknike ekonomike–hoteleri turizëm “Antoni Athanas”. Nxënësit e kësaj shkolle në bashkëpunimn me specialistë të drejtorisë së turizmit në bashkinë e Sarandës kanë shkuar në çdo hotel për të grumbulluar të dhënat që parashikonte pyetësori i përgatitur nga ana jonë. Në Sarandë, në bazë të shifrave të nxjerra, janë 107 hotele. Shumica prej tyre janë të vendosur në periferi të qytetit në veçanti në zonën Turizëm - Kanali i Çukës.

Sa është numri i shtretërve dhe dhomave në këta hotele?

Gjithnjë sipas të njëjtave statistika, numri i dhomave të këtyre hoteleve është 1359. Një punë e konsiderueshme është bërë nga ana jonë edhe për numrin e shtretërve. Nga puna e bërë rezultoi se në 107 hotele numri i shtretërve është 2285. Këto shifra janë 10 për qind më të larta nga ato të një viti më parë të nxjerra nga drejtoria e turizmit. Ndërkohë shumë prej hoteleve kanë edhe suita, të cilat vihen në dispozicion të pushuesve. Deri tani janë 8 hotele që në ambientet e tyre kanë suita, numri i të cilave shkon në 23 në të gjithë hotelet. Ndërkaq po 8 është dhe numri i hoteleve që kanë pishina në Sarandë, përveç atyre që janë në ndërtim e sipër, të cilët shumica janë me pishina.

Cilat janë çmimet që aplikohen në hotelet e Sarandës në këtë periudhe ku sezoni veror ka filluar?

Po të flas si vizitore amerikane, në Sarandë, për mua, çmimet në shërbimin turistik nuk janë të larta, duke krahasuar me disa vende të tjera mesdhetare, ku unë kam shkuar. Në qytetin e Sarandës çmimi i një dhome tek në hotel për një natë shkon nga 20 euro deri në 90 euro. Për sa u përket dhomave çift, ky çmim varion nga 25 euro deri në 130 euro. Ndërkohë çmimi i suitave varion nga 25 euro deri në 250 euro që është në Hotel “Butrinti”, ku dihet që dhe kushtet janë më të mirat në këtë moment. Çmimet thuajse janë ato të një viti më parë duke patur një rritje të vogël te çmimet minimale, ndërsa ato maksimale janë të njëjta me ato të vitit të kaluar.

A ka hotele që kanë adresa dhe të dhëna në internet?

Deri tani, sipas informacioneve që ne disponojmë, ka 5 hotele që kanë çelur një adresë në internet dhe që kanë nisur të kenë klientelën e tyre nga kjo mënyrë e re pune në Sarandë. Hotelet që kanë adresë imeili janë Hotel Butrinti, Grand Hotel, Hotel Freskia etj. Meqenëse kjo ide pune është e re, ka shpresa për një ecuri të mbarë në qoftë se do të aplikohet edhe nga hotelierët e tjerë të qytetit që ushtrojnë aktivitet në Sarandë. Unë do të sygjeroja që një gjë e tillë të aplikohej duke patur parasysh që një hotel në Bosnjë Hercegovinë prenoton më shumë se 3 mijë dhoma nga interneti.

Mund të përdoret kredit kard për të prenotuar një hotel në Sarandë?

Po, sigurisht, një gjë e tillë është e pranishme tani edhe në qytetin e Sarandës, falë interesit të vazhdueshëm të pronarëve të hoteleve. Hotelet që tani janë të gatshme të presin një prenotim nga interneti janë Hotel Butrinti, Hotel Çakalli, Hotel Dea, Hotel Delfini etj. Në këto hotele 10 për qind e klientelës prenoton nëpërmjet kartkreditit. Një fakt pozitiv në këtë drejtim është dhe prania e 5 bankave private me filialet e tyre në qytet. Në bazë të numrit të popullsisë besoj se Saranda është duke ndryshuar me shpejtësi dhe vetë banorët do të jenë pjesë e ndryshimit me kujdesin për vlerat natyrore dhe arkeologjike që janë pasuria më e madhe e këtij qyteti të rrallë.

Cilat janë statistikat që drejtoria e turizmit në bashkinë e Sarandës disponon për turizmin familjar?

Ne këto momente që po flasim, nuk disponojmë asnjëlloj shifre për turizmin familjar në Sarandë. Kjo për vet faktin se turizmi familjar nuk është i reklamuar dhe është tepër e vështirë të saktësosh se kush e liron një dhomë për turista, apo kush e liron shtëpinë për 15 ditë për një grup vizitorësh. Ky është një shqetësim, sepse këta persona, që realizojnë një biznes të tillë, nuk janë të regjistruar nga organet e tatim-taksave apo në bashki që të paguajnë një farë takse për aktivitetin e tyre sezonal. Kemi menduar që të organizojmë një pyetësor për këtë qëllim, por kuptohet që vështirësia është tepër e madhe, sepse jo të gjithë do të jenë të sinqertë në pyetjet që ne do të bëjmë dhe tek informacioni që do të marrim. Sipas informacioneve të marra nga banorët, një hyrje, e cila lëshohet me qira për 15 ditë në verë në Sarandë varion nga 300 mijë deri në 700 mijë lekë, në varësi të kushteve dhe pozicionit të saj. Gjithnjë sipas informacioneve jozyrtare në Sarandë janë rreth 400 familje, të cilat japin ambientet e shtëpive të tyre me qira, gjithmonë te të njohurit dhe miqtë e tyre nga qytete të ndryshme të Shqipërisë. Një vit më parë në Sarandë kanë qëndruar në ambiente familjare 6 mijë pushues me kohë qëndrimi të ndryshme.

107 hotele plotësisht të gatshëm

1359 dhoma gjithë hotelet

23 suita në 8 hotele

2285 shtretër për pushuesit

8 pishina në 8 hotele

20 – 90 euro në natë një dhomë hoteli teke

25 - 130 euro në natë një dhomë hoteli çift

400 banesa private për psuhuesit

30 - 70 mijë lekë në natë një shtëpi ëpr 15 ditë

Policia bashkiake ka vrarë 140 prej tyre

Sezoni pa qen rrugaçë

SARANDE - Gjatë këtij sezoni turistik, Saranda do të ketë më pak qen rrugaçë. Kjo bëhet e ditur nga shefi i policisë bashkike, Musa Ahmeti. Sipas tij, në kuadrin e masave që po merr bashkia për një sezon turistik të suksesshëm edhe policia bashkiake është e angazhuar në këto masa. Njëra prej tyre është eliminimi i qenve rrugaçë, që nuk janë të paktë në numër.

Ky aksion, sipas të njëjtit burim, ka nisur një javë më parë dhe do të vazhdojë edhe gjatë sezonit veror. Deri tani, sipas Ahmetit, janë vrarë 140 qen rrugësh. Për çdo qen të vrarë, efektivat e policisë bashkiake shpërblehen me 200 lekë.

Shumica e qenve të vrarë janë gjetur në lagjen 3 dhe 4 të qytetit. “Për momentin - theksoi shefi i policisë bashkiake - nuk ka asnjë qen në rrugë nga numri i lartë që janë eliminuar, por dhe nga të shtënat e armëve të gjahut, me të cilat ne kryejmë eliminimin, ata janë trembur dhe nuk besoj të kemi shfaqje të tyre në rrugë në ditët e nxehta”.

Më shume efektiva të policisë rrugore në qytet

SARANDE - Në ditët e nxehta në rrugët e Sarandës qarkullimi i automjeteve rëndohet së tepërmi. Sipas statistikave, numri i automjeteve 4-fishohet krahasuar me numrin e ditëve të zakonshme. Për këtë arsye komisariati i policisë në këtë qytet ka menduar të shtojë efektivat e policisë rrugore me 40 policë, të cilët do të vijnë nga komisariatet e Tepelenës, Gjirokastrës dhe Përmetit. Shefi i komisariatit, komisar Gjon Suli, sqaron se shtimi i efektivave të policisë rrugore është një një nga masat që po merr policia për mbarëvajtjen e sezonit turistik. Këto masa janë të domosdoshme vuri ne dukje ai në kushte kur kemi një fluks të madh automjetesh kryesisht në fundjavë. Prania e policisë rrugore, sipas tij, në rrugët problematike dhe në rrugët e ngushta ku kalohet me vështirësi parandalon mundësinë e aksidenteve automobilistike.

15 ditë pas çeljes zyrtare të sezonit veror në Sarandë nuk është shënuar asnjë aksident automobilistik me pasojë vdekje personi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›