E Hënë, 2 Nëntor 2026

Anijet e sekuestruara rrezikojnë sigurinë portuale

09/06/2005  Lihen në harresë, në prag të mbytjeve

DURRES - Megjithë kërkesat e përsëritura të Autoritetit Portual

si dhe alarmet e lëshuar nga kapiteneria e portit të Durrësit për anijet e ngujuara në lindje të portit, vazhdon të mos gjejë rrugëzgjidhje siguria e tyre.

Bëhet fjalë për anijet e sekuestruara me vendim të prokurorisë së Durrësit, të cilat kanë vënë në rrezik sigurinë portuale në Durrës, pasi krahas gjendjes shumë të vështirë teknike kanë edhe një numër të kufizuar ekuipazhi, për të mbajtur nën kontroll anijet në rast stuhie detare.

Pesë anijet e sekuestruara gjatë këtij viti janë vendosur nën ruajtjen e policisë në portin detar të Durrësit, ndërkohë që për të liruar hapësirat për përpunimin e mallrave për eksport dhe atyre të improtit ato janë transferuar në kalatën lindore.

Ndonëse të gjitha mjetet lundruese janë nën mbikëqyrjen e vazhduar, drejtoria e Autoritetit Portual në Durrës është shprehur se ato rrezikojnë të mbyten, ndërkohë që kostoja e nxjerrjes nga deti do të kërkojë krahas fondeve në shuma të mëdha edhe muaj të tërë kohe.

Burime zyrtare nga drejtoria e Autoritetit Portual, bënë të ditur se trageti "Media V" dhe anijet "Eni", "Joni", "Poseidon" dhe së fundi “Frojdi” vazhdojnë të jenë pa asnjë shpresë për sa i përket

mundësisë së tyre për lundrim.

Në pjesën më të madhe të këtyre anijeve, pronarët janë penalizuar sipas rastit për çështje që lidhen me kontrabandë të mallrave, trafikim të qenieve njerëzore si dhe për moslikuidim të borxheve ndaj agjencive huadhënëse. Por janë ankoruar njëra pranë tjetrës në kalatën lindore të portit, ndërsa anija "Frojdi" vazhdon të qëndrojë e bllokuar nga prokuroria që prej dy javësh në kalatën

qendrore. Të ngujuara në port prej disa muajve ato kanë vështirësuar manovrat e anijeve aty pranë ndërsa në kushtet e motit të keq, sipas kapitenerisë, ato nuk kanë asnjë garanci sigurie pasi mund të dalin në det dhe të godasin anijet e tjera. Mosha mesatare e anijeve të sekuestruara për kontrabandë cigaresh dhe trafiqe njerëzore i kalon të 40 vjetët dhe në kushtet

e mungesës së mirëmbajtjes rreziku i mbytjes së tyre është edhe më i madh. Një vit më parë në kalatën lindore pikërisht pranë vendit ku janë sistemuar anijet e sekuestruara janë "Lycky mar", "Ermelana", "Makis", "Lezha" etj., dhe për t’i nxjerrë nga deti u

deshën mijëra euro.

“Është pikërisht ky fakt që na ka shqetësuar si ne edhe kapitenerinë që prej disa muajsh”, ka thënë drejtori Sokol Limani.

Të njëjta reagime kanë ardhur edhe nga kapiteneria, burime të së

cilës kanë paralajmëruar se mbytjet e mundshme do të shkaktojnë një imazh shumë të keq në kohën që porti i Durrësit është përfshirë në projektet e krijimit të standardeve të plota të sigurisë portuale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›