AED merr "OK" nga Ministria e Financave për shitjen e kasave
Ministria e Financave i ka dhënë "OK" kompanisë AED (Albanian Electronics Distribution) duke autorizuar kështu shitjen e kasave fiskale nga kjo e fundit. Pas procedurave përkatëse të testimit për certifikimin e pajisjeve, AED është e dyta kompani në vend nga pesë të licencuara fillimisht, që ka siguruar lejen e tregtimit në vazhdim. Ky autorizim i ministrisë vjen pas amullisë së krijuar në treg për shkak të problemeve që shfaqën një sërë pajisjesh fiskale, që lidheshin edhe me transmetimin online të të dhënave. Gjithsesi pas testeve nga ana e Financave u gjykua që AED të procedojë normalisht me shitjen në tregun vendës, si kompani e licencuar. Kompania nga ana e saj garanton se pajisjet fiskale që tregtohen janë në përputhje me vendimin që Qeveria miratoi në muajin mars. Sipas sistemit të ri të miratuar për pajisjet elektronike fiskale, përcaktohet se ato duhet të jenë të plotësuara me modem që transmeton të dhënat, qark shiriti elektronik dhe me një rul letër, që bën të mundur memorizimin e të dhënave. AED, e cila tashmë është ricertifikuar nga Ministria e Financave pasi kaloi me sukses testimin dhe ka marrë lejen e tregtimit, ofron çdo detaj të kasave fiskale sipas sistemit të ri. Ky i fundit është një sistem i dizenjuar dhe prodhuar nga dy kompani të fuqishme, njëra nga Italia dhe tjetra nga Izraeli. Pajisje të tilla fiskale të ngjashme dhe shumë efikase tregtohen dhe janë në përdorim në vende të tilla si Italia, Franca, Izraeli, çekia apo Turqia, vende që kanë adoptuar para nesh pajisjen e biznesit me kasa për një formalizim tërësor të ekonomisë.