E Diel, 1 Nëntor 2026

Fyen policinë, dënohet zv.ministri i Transporteve



TIRANE - Togat e zeza të Gjykatës së Tiranës dënuan dje me 400 mijë lekë gjobë Adriatik Alimadhin, zëvendësministrin e Transporteve e Punëve Publike dhe njëkohësisht kryetar i Partisë së Ballit Kombëtar. Sipas vendimit të gjykatës, shpallur dje nga gjyqtari Bujar Krasniqi, zv.ministri Alimadhi u shpall fajtor për veprat penale të "kundërshtimit të punonjësit të policisë së rendit publik", "fyerjes për shkak të detyrës" dhe "mosbindjes ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik". Për të njëjtat akuza, gjykata deklaroi fajtore edhe të pandehurën Majlinda Toro, zv.kryetare e Partisë së Ballit Kombëtar dhe e dënoi atë me 300 mijë lekë gjobë. "Mbështetur në nenin 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve, e dënon përfundimisht të pandehurin Adriatik Bektash Alimadhi, me 400 mijë lekë", thuhej në dispozitivin e vendimit të gjykatës për zv.ministrin Alimadhi. Në vendim gjykata i jep 6 muaj kohë për pagimin e gjobës Alinadhit, ndërsa 3 muaj Toros. Alimadhi dhe Toro u morën si të pandehur me tri akuza, pas një përplasjeje verbale me një patrullë policie në një kontroll rutinë në një nga rrugët e kryeqytetit. Ngjarja ndodhi në maj të vitit 2009, kur kryetari i Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi dhe nënkryetarja e kësaj partie, Majlinda Toro, u denoncuan nga punonjës të policisë për kundërshtim dhe për fyerje gjatë një momenti kontrolli në rrugët e Tiranës. Dosja penale u relatua në Prokurori nga komisariati i policisë rrugore të kryeqytetit, që dokumentoi veprimet e paligjshme të kryera nga zv.ministri i Transporteve. Ngjarja fillimisht është bërë e ditur në raportet e shërbimit nga efektivat e policisë, të cilët ndeshën në kundërshtimin e Alimadhit. Më pas policia rrugore, që analizoi ngjarjen, arriti në përfundimin se zyrtari kishte kryer vepër penale dhe e denoncoi atë në prokurori. Organi i akuzës mori të pandehur kreun e Ballit Kombëtar së bashku me shtetasen Majlinda Toro. Efektivat e policisë, që ishin të pranishëm në vendin e ngjarjes, u thirrën për të dhënë deklarime në Prokurorinë e Tiranës, ku konfirmuan sjelljen e paligjshme të kreut të Ballit Kombëtar në momentin që ishte ndaluar për kontroll në automjetin e tij në Tiranë. Pas vendimit të dhënë dje nga gjykata, organi i akuzës, konkretisht sektori i ekz-ekutimit të vendimeve penale, pritet të mbikëqyrë arkëtimin e gjobës së vënë nga gjykata e kryeqytetit. ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›