E Diel, 1 Nëntor 2026

Levan-Vlorë, pas një viti asfaltohen 10 km e parë



Pas një viti nga afati zyrtar kur duhet të fillonin punimet janë asfaltuar 10 kilometrat e parë të autostradës Levan-Vlorë. Ministri i Punëve Publike dhe Transporteve, Sokol Olldashi, ka inspektuar dje punimet në këtë segment, duke theksuar se pavarësisht problemeve që ka pasur në fillim, tani vihet re një progres pozitiv. "Jemi në kulmin e punimeve në sektorin e rrugëve, inspektimi i tanishëm në segmentin Levan -Vlorë është mjaft pozitiv. është një projekt me të cilin ne kemi pasur probleme jo të vogla, probleme të cilat përfundimisht duket se janë zgjidhur dhe progresi i punëve tregon që ka një ndryshim rrënjësor të situatës", tha Olldashi. Ndërkohë që gjatë inspektimeve ishin të pranishëm edhe përfaqësues të kompanisë së kontraktuar për punimet. Këta të fundit kanë pranuar problemet fillestare që sollën vonesa në ecurinë e punës, por garantuan se në vijim janë marrë masat në mënyrë që të respektohen afatet. Autostrada Levan-Vlorë ka një gjatësi prej 25 km, gjerësi prej 31.5 m dhe përbëhet nga 4 korsi. Shpejtësia e lëvizjes së mjeteve do të jetë 120-130km/orë, ndërkohë që punimet priten të përfundojnë në verën e vitin 2011.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›