Vetëvaren 19-vjeçari dhe emigranti
LUSHNJE/ ELBASAN
Varfëria dhe grindja me familjarët se po bënte shpenzime të tepruara, çojnë në vetëvarje një 19- vjeçar në Lushnje. Ndërsa në Elbasan gjendet i vetëvarur, në verandën e banesës së tij, një emigrant 38-vjeçar. Policia ka nisur hetimet për të dyja këto ngjarje të rënda, por shkak dyshohet të jetë depresioni.
LUSHNJE
Policia e Lushnjës bëri të ditur se në fshatin Gjazë të këtij rrethi është gjetur i vetëvarur 19-vjeçari, Amarildo Demiri. I riu ishte vetëflijuar në kasollen e bagëtive. Ai u gjet i pajetë nga familjarët e tij dje rreth orës 10:00. Policia ende nuk ka dalë në një version zyrtar për ngjarjen, por paraprakisht burimet u shprehën se 19-vjeçari e ka kryer aktin e vetëvarjes në kushte depresive, të shkaktuara nga një debat me familjarët e tij. Mësohet se viktima, Amarildo Demiri, punonte në një lavazh pranë fshatit të tij. Me të ardhurat që ai siguronte nga puna, mbante familjen e tij e cila jeton në kushte mjaft të vështira ekonomike. Pikërisht të ardhurat të cilat mesa duket ishin tkurrur kohët e fundit ishin bërë burim i debateve në familjen e 19-vjeçarit. Ndikuar nga varfëria dhe nga shpenzimet e shtuara të adoleshentit, kohët e fundit familja Demiri kishte nisur të shprehte pakënaqësinë e saj, duke i tërhequr vëmendjen djalit të tyre për një ekonomi më të mirë. Por duket se i riu është ndier keq dhe i vënë në sedër, aq sa kohët e fundit mosmarrëveshjet e tij me familjet e kishin çuar në depresion. Ai ka gjetur momentin kur në familje mungonin prindërit dhe ka marrë një litar, të cilin e ka lidhur në kasollen e bagëtive. Aty ai kreu vetëvarjen, ku më pas u gjet rreth orës 10:00 nga prindërit e tij. Më kot u munduan t'i japin ndihmën e parë, pasi i riu kishte ndërruar jetë disa minuta para se ata të mbërrinin në vendngjarje. Ata sinjalizuan policinë, e cila pasi mbërriti në vend dhe kreu veprimet e para, nisi hetimet për shkakun e ngjarjes. Pas deponimeve të familjarëve të viktimës, blutë arritën në rezultatin paraprak se shkak i vetëflijimit mund të jetë varfëria dhe konfliktet me të riun.
ELBASAN
Një emigrant u gjet pa jetë mëngjesin e djeshëm në hajatin e banesës së tij në lagjen "Skenderbej në qytetin e Elbasanit. Ngjarja ndodhi mëngjesin e djeshëm, kur fqinjët që po kalonin në rrugë kanë parë Leonard Ibrahimllarin të vetëvarur në katin e dytë të banesës së tij. Mësohet se viktima ishte kthyer gjatë fundjavës së kaluar nga Greqia, për të kaluar pushimet pranë familjes në qytetin e Elbasanit. Por dje ai u pa i vetëvarur në verandën e shtëpisë, duke shokuar familjarët, fëmijët dhe bashkëshorten e tij. Policia mbërriti në vend ngjarje menjëherë pas marrjes së njoftimit, por ende nuk dihen motivet e flijimit të 38-vjeçarit. Viktima ishte babai i dy fëmijëve. Ai jetonte dhe punonte prej vitesh në Selanik të Greqisë me dokumente të rregullta. Policia mori dëshmitë e familjarëve të tij dhe po heton edhe ndonjë konflikt të tij jashtë Shqipërisë. Depresioni apo ndonjë konflikt me familjarët e tij po hetohen si shkaqe të mundshme që e kanë detyruar babain e dy fëmijëve të vetëflijohet. Policia tha se ngjarja ka ndodhur në katin e dytë të një banese ende të papërfunduar, ku viktima është vetëvrarë me një mjet rrethanor, tel. m.r/a.k
I vuri gjobë gjykata, tenton vetëflijimin
FIER- Mesazh ekstrem për drejtësinë fierake nga ana e një 42- vjeçari. Gëzim Bushi, nga fshati Hamabraj i komunës Cakran, ka mbështjellë litarin rreth qafës duke kërcënuar se do të vetëvarej, pasi Gjykata e Fierit e kishte dënuar atë me një gjobë të padrejtë, të cilën ai nuk mund ta paguajë. Roja e Gjykatës ndërhyri në kohë, duke evituar vetëflijimin e 42- vjeçarit. Në vendin e ngjarjes mbërriti edhe policia. "Kam rreth 5 muaj që endem nëpër dyert e gjykatës, por nuk kam gjetur asnjë zgjidhje" u shpreh Bushi. Sipas tij, në fillim të këtij viti, vëllai i tij M.Bushi e ka kanosur me armë për shkak të pronësisë. Frika se mos përsëritej e njëjta situatë, e cila mund të precipitonte edhe në gjakderdhje, bëri që 42-vjeçari ta kallëzonte në polici të vëllanë "Pasi bëra kallëzimin, prokuroria nisi hetimet. E morën vëllanë dhe e pyetën, po kështu edhe mua. Kur çështja ishte duke u hetuar, vëllai më erdhi në shtëpi dhe më kërkoi falje. E fala. Pas kësaj shkova dhe takova oficerin që po hetonte çështjen. Ai ma bëri shumë të vështirë, duke më thënë se nuk mund ta hiqja kallëzimin. Ai më tha që të ndryshoja denoncimin dhe jo ta hiqja atë. Më detyroi që unë të thosha që nuk ishte vëllai ai që më kërcënoi, por e anasjellta. Por më pas më akuzuan për dëshmi të rremë". U shpreh 42-vjeçari pas kërcënimit për vetëflijim. Sipas tij, për këtë shkak Gjykata e Fierit e kishte dënuar me 3 milionë lekë gjobë. Apeli la në fuqi këtë vendim, por Bushi pohon se vendimi është i padrejtë dhe ai nuk mundësi të shlyejë paratë. m.r
Vetëvarja në verandën e shtëpisë në ndërtim
Familjarët e 38- vjeçarit në Elbasan janë tronditur kur panë trupin e pa jetë të varur në katin e dytë të shtëpisë të cilën viktima kishte kohë që e kishte nisur, falë kursimeve që kishte arritur të grumbullonte nga emigracioni prej dhjetë vitesh. Por ai nuk arriti ta gëzonte banesën e projektuar për të jetuar me familjen dhe fëmijët e tij.