Universiteti i Tiranës, do pranohen 7000 studentë
zirina llambro
Universiteti i Tiranës do të pranojë këtë vit rreth 7000 studentë. Janë 5665 vende për sistemin me kohë të plotë, ndërsa 1305 studentë pritet të pranohen për ciklin part-time. Krahasuar me një vit më parë, UT kërkon 100 kuota më shumë për sistemin e ditës, ndërsa part-time nuk ka ndryshime të dukshme. Degët më të kërkuara mbeten Ekonomiku, Drejtësia e Punët Sociale për të cilat këtë vit do të ketë rritje të pranimeve. Propozimet prej disa muajsh janë dërguar në Ministrinë e Arsimit, ndërkohë që brenda muajit gusht pritet që Qeveria të japë miratimin e saj për numrin e studentëve që do të pranohen jo vetëm në UT, por në të gjithë institucionet publike të arsimit të lartë. Fakultetet e Tiranës kanë kërkuar gjithashtu rritje të tarifave të shkollimit nga 5 mijë deri në 15 mijë lekë. Nuk dihet nëse Qeveria do të plotësojë këtë kërkesë të përsëritur. Vitin e kaluar megjithëse universitetet kërkuan rritje të tarifës së shkollimit, Këshilli i Ministrave vendosi që ajo të mbetej e njëjtë, në mënyrë që të mos rëndoheshin studentët. Tashmë maturantët i kanë dhënë fund Maturës Shtetërore. Me shpalljen e notave të provimeve me zgjedhje në ditët në vijim ata do të kenë duar rezultatet e të pesë komponentëve të maturës. Mbi bazën e tyre do t'u llogariten pikët. Fituesit pritet që të shpallen në shtator nga Agjencia e Pranimit në institucionet e arsimit të lartë. Përzgjedhja e tyre do të bëhet në mënyrë elektronike. Kush ka ngelur në një prej provimeve të maturës, humb automatikisht të drejtën për të konkurruar në shkollat e larta. Pjesa tjetër do të plotësoje pas datës 15 korrik formularin A2. Ministria e Arsimit ka vendosur ta publikojë pas notave të lëndëve me zgjedhje. Kjo risi vjen për t'u ardhur në ndihmë maturantëve, në mënyrë që të llogarisin siç duhet pikët me të cilat hyjnë në garë. Me anë të tij do të renditen 10 degët e preferuara. Maturantët do të shpallen fitues vetëm në një degë. Veç kandidatëve të këtij viti, aplikojnë për në universitet edhe rreth 4000 të tjerë, të cilët nuk kanë mundur të regjistrohen në asnjë prej shkollave të larta vitet e shkuara.