Shëndetësia, nënshkruhet marrëveshja e parë me Serbinë
Ministria e Shëndetësisë nënshkruan të parin memorandum zyrtar për bashkëpunim në këtë fushë me Serbinë. Ministri Petrit Vasili ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Beograd me ftesë të ministrit serb Tomica Milosavjlevic. Sipas memorandumit të bashkëpunimit, pritet ndërmarrja e hapave të bashkëpunimit për çështjet e shëndetit dhe ato mjekësore mbështetur mbi bazat e sigurisë, të drejtave dhe avantazheve të barabarta, në kuadrin e kompetencave dhe legjislacioneve respektive. Bashkëpunimi do të fokusohet në trajnimin, shkëmbimin e specialistëve, në fushën teknike dhe teknologjike, promovimin e shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare në rajon dhe të ndihmojë në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë të rajonit. "Në përputhje me objektivat e këtij memorandumi mirëkuptimi dhe bashkëpunimi do të promovojnë krijimin dhe zhvillimin e lidhjeve të bashkëpunimit ndërmjet organizmave publikë dhe privatë për çështje që kanë të bëjnë me mbrojtjen e shëndetit dhe mjekësinë", tha theksuar ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, në përfundim të kësaj vizite. Shumë shpejt, sipas këtij memorandumi të nënshkruar pritet të fillojë shkëmbimi i informacionit mbi programet shëndetësore në të dyja vendet si edhe shkëmbim i publikimeve teknike dhe shkencore. Gjatë qëndrimit të tij dyditor në Beograd Vasili vizitoi gjithashtu Institutin e Shëndetit Publik "Batut" dhe kompaninë farmaceutike "Galenika". Ministri i Shëndetësisë është zyrtari i dytë që zhvillon një vizitë zyrtare në Serbi. Vizita zyrtare e ministrit Vasili ka përfunduar me një konferencë të përbashkët për shtyp mes dy ministrave të Shëndetësisë dhënë në selinë e Qeverisë. Ministri serb i Shëndetësisë, me ftesë të Vasilit pritet të vizitojë vendin tonë. Vizitë kjo që do të pasohet në nënshkrime të tjera për bashkëpunim mes institucioneve shëndetësore shqiptare dhe palës serbe.