Tiranë, 4 plumba në gjoks për borxhin
Etleva Delia
Një person i shpallur në kërkim nga Policia e Durrësit për "vrasje të mbetur në tentativë", është autori i atentatit ku Roland Doku u plagos me katër plumba mbrë-mjen e të hënës në një lokal në Tiranë. Policia e Tiranës ndaloi shtetasin Hajredin Laçi, me akuzën se ka shërbyer si ndihmës i të dyshuarit Ruzhdi Zoku, ky i fundit i shpallur në kërkim. Sipas policisë, i ndaluari akuzohet se ndihmoi me makinën e tij largimin e autorit të plagosjes nga vendi i ngjarjes. Burime nga grupi hetimor i policisë së kryeqytetit thanë se konflikti mes të plagosurit Roland Doku dhe autorit Ruzhdi Zoku ka ndodhur për një borxh që autori i ngjarjes i kishte personit të plagosur në lokal. Një debat i nisur në lokalin pranë Institutit të Inxhinierisë, ku ndodhi ngjarja, fillimisht u shoqërua me një sherr, pasi Roland Doku qëlloi me pëllëmbë autorin Ruzhdi Zoku, në tavolinën ku ishin ulur duke pirë kafe bashkë me dy persona të tjerë. Pas kësaj, "hakmarrja" ka qenë më e ashpër. I dyshuari, i cili i kishte edhe para borxh të dëmtuarit, ka dalë menjëherë nga lokali dhe me pistoletën që mbante në makinë ka qëlluar katër herë mbi 24-vjeçarin Roland Doku. Të gjithë plumbat janë derdhur në trupin e Roland Dokut, por nuk kanë prekur organet jetësore. I plagosuri u dërgua menjëherë në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Menjëherë pas ngjarjes, autori i krimit, Ruzhdi Zoku, ka dalë nga lokali ndërsa personi tjetër që ndodhej në tavolinë me të plagosurin, shtetasi Hajredin Laçi, ka hipur në makinë bashkë me të kërkuarin, duke e ndihmuar të "arratiset" në drejtim të "21 Dhjetorit" e më pas të humbasë gjurmët. Policia ka ndaluar 36-vjeçarin Hajderin Laçi, i cili po procedohet në gjendje të lirë për "përkrahje të autorit të krimit". Ndërkohë, autori i plagosjes, 25-vjeçari Ruzhdi Zoku, është shpallur në kërkim.
I KERKUARI
Personi i shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës menjëherë pas plagosjes me armë tek Inxhinieria e Ndërtimit në Tiranë, me akuzën e "vrasjes me dashje të mbetur në tentativë", ka çështje të tjera të pazgjidhura me drejtësinë. Policia tha se rreth një vit më parë, Ruzhdi Zoku ishte shpallur në kërkim në Durrës për tentativë vrasje. Më 7 nëntor 2009, Ruzhdi Zoku ishte shpallur në kërkim nga policia, pasi Gjykata e Durrësit e ka dënuar në mungesë për akuzën vrasjes së mbetur në tentativë. Ndërkohë edhe pse ishte shpallur në kërkim, i riu ka arritur t'i shmangej policisë, ndërsa lëvizte duke mbajtur edhe armë në makinë. Dy ditë më parë ai përsëriti veprimin për të cilin ishte shpallur në kërkim në Durrës, duke tentuar të vrasë me katër plumba personin të cilit i detyrohej me një borxh të pa kthyer në para. Mbrëmjen e së hënës Ruzhdi Zoku ndodhej në të njëjtën tavolinë në lokalin ku ndodhi ngjarja, bashkë me të plagosurin Roland Doku dhe me Hajredin Laçin, si dhe me një person të katërt për të biseduar për borxhin. Gjatë natës mes të hënës dhe ditës së djeshme, policia arrestoi vetëm personin që kishte përkrahur autorin e dyshuar të plagosjes, për të cilin është vendosur procedim në gjendje të lirë. Policia tha se për kapjen e Ruzhdi Zokut, Policia e Tiranës po bashkëpunon me strukturat e rendit në Durrës.