Tiranë, gruaja plagos burrin me pirun
TIRANE - Një zënkë në tavolinën e bukës mes dy bashkëshortëve është bërë shkak për plagosjen e burrit nga gruaja me një pirun. Ngjarja ka ndodhur në një banesë tek "Rruga e Elbasanit" në Tiranë. I shoqi i autores së ngjarjes ishte ulur për të ngrënë darkë, por ka bërë debat me bashkëshorten për shkak të pakënaqësisë ndaj gatimit. Sherri sipas policisë ndodhi mbrëmjen e së hënës në apartamentin e çiftit Zamir e Mimoza Guri, në afërsi të "Rrugës së Elbasanit" në Tiranë. Burime nga Komisariati nr.1 pohuan se shkak për këtë plagosje të rrallë është bërë pakënaqësia që bashkëshorti i ka shprehur Mimoza Gurit për darkën që ajo kishte gatuar. Gruaja mesa duket ka mbetur e fyer nga përçmimi i të shoqit. Fillimisht mes bashkëshortëve ka nisur një debat të ashpër dhe në një moment nervozizmi e gjaknxehtësie, Mimoza Guri ka shkëputur pirunin nga tryeza, duke e goditur të shoqin në pjesën e supit e të shpatullës disa herë. Nga këto goditje Zamir Guri ka pasur gjakderdhje dhe është paraqitur me urgjencë në Spitalin Ushtarak për të marrë mjekimin e nevojshëm. Kanë qenë mjekët ata që kanë lajmëruar policinë, pasi bashkëshortët kanë dashur ta mbajnë "sekret" incidentin që u ndodhi në tryezën e bukës. Sipas mjekëve, fillimisht gjendja e pacientit është paraqitur e rëndë, për shkak se piruni kishte depërtuar thellë dhe kishte çarë disa enë gjaku të Zamir Gurit, duke vështirësuar ndaljen e hemorragjisë. Ditën e djeshme ai ka lënë spitalin dhe është kthyer në banesë, pasi gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetën. e.d