AFADA: “Agro-Blend” do t’i dëmshpërblejë fermerët e dëmtuar
Kompania “Agro-Blend”, që merret me prodhimin dhe importimin e farërave dhe fidanëve, do të dëmshpërblejë me misër të gjithë fermerët që kanë mbjellë farën e misrit “Aliseo”, të importuar nga Franca, që nuk prodhonte kokrra. Këtë e ka deklaruar dje në një konference për shtyp, Tritan Çako, drejtor Ekzekutiv i shoqatës shqiptare të imputeve bujqësore “AFADA”, anëtare e së cilës është dhe firma “Agro-Blend”. AFADA ka ndjekur me vëmendje situatën e krijuar në disa zona të vendit, ku fermerët kanë blerë farë misri “Aliseo”, të importuar nga Franca, e cila nuk ka dhënë prodhim misri dhe ka dëmtuar kështu ekonomitë e tyre. "Është e vërtetë që ka pasur problem me një pjesë të kontingjentit të farës së misrit dhe kompania tregtuese ‘Agro-Blend’ është në pritje të analizave të marra nga mostrat e misrit si nga kompania prodhuese, po ashtu dhe nga ekspertet vendas të dikasterit të bujqësisë, të angazhuar për këtë çështje”,- tha Çako. AFADA vlerëson seriozitetin e kompanisë “Agro-Blend” dhe masat që kjo kompani ka marrë për të zgjidhur situatën, duke verifikuar me ekspertë në terren parcelat e mbjella me qëllim që të kryhet një kompensim sa më i saktë. Ndërkohë, pritet përgjigja nga kompania prodhuese për të evidentuar shkaqet që sollën këtë fenomen.
12 Shtator 2008