Leskaj: “PS-ja, dakord me kufizimin e imuniteteve, kundër uzurpimit të institucioneve”
Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, deklaroi dje se Partia Socialiste asnjëherë nuk është shprehur kundër propozimit të kufizimit të imuniteteve. Por Leskaj theksoi se kjo çështje është e lidhur me forcimin e pavarësisë institucioneve të pavarura. “Natyrisht, përsa i përket çështjes së imunitetit, që është përmendur dje nga kolegu i grupit të PD-së, unë dua të them se ne si grup parlamentar i PS-së nuk jemi shprehur asnjëherë kundër, përkundrazi, kemi dhënë edhe opsionet tona. Çështja e imunitetit duhet të jetë e lidhur edhe me forcimin e pavarësisë së institucioneve të pavarura, në radhë të parë të Prokurorisë dhe pavarësisë së Gjyqësorit dhe larg tendencës për t’i uzurpuar ato”, - tha Leskaj. Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste konfirmoi edhe njëherë rezervat e PS-në në lidhje me ligjin për Prokurorinë dhe administratën gjyqësore. Ajo theksoi se këto ligje tentojnë cenimin e këtyre institucioneve të pavarura. “Ajo që na ndan ne nga maxhoranca janë reformat dhe ne jemi për reforma që kanë lidhje me sistemin dhe nuk jemi për arnime sistematike, siç është rasti u fundit i tre ligjeve që janë në proces, që janë propozuar nga maxhoranca. Ai që ka të bëjë me Prokurorinë, me Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm apo me administratën e Gjyqësorit më së shumti janë ligje që nuk sjellin asnjë përmirësim përsa i përket efektivitetit dhe pavarësisë së këtyre institucioneve, përkundrazi, janë propozime të cilat shkojnë kundër qëllimit të mirë që duhet të kenë të dyja palët bashkë për të përmirësuar eficencën dhe pavarësinë e institucioneve të pavarura”, - vijoi Leskaj. Ajo tha se PS-ja do të votojë kundër ligjit “Për prokurorinë”, të propozuar nga maxhoranca, sepse nuk garanton pavarësinë dhe eficencën e këtij institucioni të rëndësishëm. “Përsa i përket ligjit të Prokurorisë unë jam prononcuar dhe në deklaratën që kam bërë në emër të grupit parlamentar socialist ditën e hënë dhe kam thënë që ne nuk do të votojmë asnjë ligj të Prokurorisë, i cili nuk është në standarde, nuk do të votojmë asnjë ligj prokurorie që nuk garanton pavarësinë dhe eficencën e Prokurorisë, që do të thotë që ne në radhë të parë duhet të garantojmë institucionet”, - tha Leskaj.
12 Shtator 2008