E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherr në Kuvend, grushte midis oficerëve të Gardës dhe deputetëve të PS-së



Dy deputetë të Partisë Socialiste, Andis Harasani dhe Ndriçim Hysa, kanë deklaruar dje se oficerët e Gardës së Kuvendit i kanë penguar me forcë që të fusin në sallën e Kuvendit pesë kallinj misri pa kokrra. Nga ana tjetër, përfaqësuesi ligjor i Gardës së Kuvendit ka deklaruar të kundërtën. Sipas këshilltarit ligjor të Gardës, Renaldo Kruja, deputeti i PS-së, Andis Harasani, ka qëlluar me grushte duke e gjakosur punonjësin e Gardës, Arben Nika, ndërkohë që dhunë është ushtruar edhe ndaj nënoficerit Ilir Çelmeta.
Ngjarja
Deputeti i Partisë Socialiste, Ndriçim Hysa, ka bërë të ditur për mediat se ai dhe kolegu i tij Andis Harasani donin të fusnin në sallën e Kuvendit pesë kallinj misri pa kokrra, që vinin nga pesë qarqe të ndryshme të vendit. Sipas Hysës, këtë veprim donin ta bënin për të ilustruar me fakte konkrete tragjedinë që u ka ndodhur së fundi fermerëve shqiptarë nga farat e pakontrolluara të misrit të shitur nga një kompani e kontraktuar nga qeveria shqiptare. Më tej Hysa ka bërë të ditur se punonjësit e Gardës së Kuvendit janë kontaktuar nga kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, e cila ka dhënë urdhër që dy deputetët të mos lejohen të futen në sallë me kallinjtë e misrit. Fill pas marrjes së urdhrit, tregon Hysa, punonjësit e Gardës ka përdorur forcën për të penguar dy deputetët opozitarë. “Ne kishim marrë pesë kallinj misri pa farë, që vinin nga pesë qarqe të vendit. Jozefina, me ta marrë vesh se ne u futëm, urdhëroi gardistët dhe i tha ‘në asnjë mënyrë të mos futen me misër’. Me sa duket e ka alergji, meqenëse ka punuar në Institutin e Misrit në Shkodër. Gardistët u sulën drejt nesh. Harasani reagoi, po unë i bëja thirrje që të mos bien e pre e urdhrave të Topallit”,- ka bërë të ditur pas sherrit deputeti Hysa.
Akuza
Pas këtij incidenti ka reaguar nëpërmjet një raporti komandanti i grupit të sigurisë së sallës së Kuvendit, Arben Nika. Ai ka bërë të ditur se deputetët Andis Harasani dhe Ndriçim Hysa kanë refuzuar të kontrollohen nga oficerët e Gardës duke tentuar të fusin në sallë objekte që bien ndesh me vendimin e Byrosë Parlamentare. Ai bën të ditur se deputetët e kanë goditur duke e rrëzuar në tokë, dhe për pasojë ka pësuar një çarje në këmbë. Sipas Nikës, po këta deputetë kanë goditur me grusht dhe nënoficerin Ilir Çelmeta, që ishte në vend-shërbim. Për këtë incident ka reaguar dhe këshilltarit ligjor i Gardës, Renaldo Kruja. Ky i fundit njoftoi se Garda do të bëjë kallëzim penal ndaj deputetëve Andis Harasani e Ndriçim Hysa. Ai gjithashtu bëri të ditur se për incidentin e ndodhur në sallë është vënë në dijeni dhe kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, si dhe ministri i Brendshëm, Bujar Nishani.

12 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›