E Diel, 1 Nëntor 2026

Baze: “Media rrezikohet nga modeli i lajmeve që shpërndan kryeministri me celular”

Intervistë me analistin e njohur politik, Mero Baze

Analisti i njohur, Mero Baze, do të vijë përpara publikut shqiptar për herë të parë me një emision televiziv të përditshëm, i cili do të transmetohet në ekranin e Vizion Plusit. Në një intervistë për gazetën “Albania”, Baze ka zbuluar detaje nga ky emision, që do të nisë mëngjeset në shumë familje shqiptare. Ai bën të ditur se emisioni nuk do t’i qëndrojë aspak larg natyrës së tij për të analizuar fenomene të aktualitetit të jetës së shqiptarëve dhe natyrisht duke kritikuar keqqeverisjen. Baze gjithashtu shton se vendimi për të drejtuar një emision televiziv është marrë për të vënë në vend autoritetin e medias, i cili, sipas tij, së fundi është cenuar. Analisti i njohur jep në këtë intervistë dhe opinionin e tij për situatën politike në vend. Si njohës i mirë i Partisë Demokratike, Mero Baze ngre me shqetësim faktin se kjo parti është inekzistente. Ai madje shton se PD-ja nuk e ka të gjatë qëndrimin në pushtet në rast se nuk shkundet nga klientelizmi i pushtetit të kryeministrit.
Përsa i përket kandidimit të Besnik Mustafajt për postin e kryetarit të PD-së së Tiranës, Baze e shikon atë si një reagim ndaj talljes që po i bën PD-së lidershipi i kësaj partie. Sipas Bazes, Mustafaj po kërkon me finesë të ngrejë autoritetin e kësaj partie. Baze gjithashtu sjell në vëmendjen e publikut dhe disa nga skandalet që kanë shoqëruar qeverisjen “Berisha” gjatë këtyre 3 viteve e gjysmë në pushtet.

Zoti Baze, së fundi jeni angazhuar në një emision televiziv në Vizion Plus. A mund të na zbuloni disa nga detajet e këtij emisioni? Çdo të sjellë të re për publikun?

Është një projekt i imi në përgjigje të një oferte të bërë nga ky televizion për një emision ditor me tema aktuale. Besoj do të nisë në fund të muajit. Ka një format të thjeshtë. Emisioni bazohet në një temë të rëndësishme ditore, mbi të cilat unë jap opinionin tim në fillim të emisionit, një opinion natyrisht me një lloj qëndrimi ndaj fenomenit. Më pas ka një rubrikë që e shtjellon më gjerë këtë zhvillim, pason me një ose dy të ftuar në studio, të cilët debatojnë me mua rreth këtij zhvillimi. Në fund bëhet dhe një analizë e shpejtë e shtypit ditor televiziv dhe të shkruar, për mënyrën se si e ka parë këtë zhvillim. Emisioni mbyllet me një komunikim interaktiv me shikuesit, duke iu kthyer përgjigje disa prej reagimeve të tyre përmes SMS-ve gjatë emisionit. Kjo është struktura klasike e tij. Por natyrisht do të ketë dhe forma speciale të këtij emisioni, ku bëhet fjalë për zhvillime shumë të rëndësishme apo personalitete të njohura. Temat që do të trajtohen do të jenë kryesisht politike, por dhe investigative, dosje kundër korrupsionit, debate kulturore të ditës etj.

Ju jeni pothuajse çdo ditë i pranishëm në median e shkruar me artikujt kritikë dhe analitikë. Cili do të jetë qëllimi i këtij angazhimi të ri profesional nga ana juaj tashmë në televizion?

Është një vendim i marrë nga nevoja për të shmangur cektësimin e përditshëm të shtypit shqiptar. Media shqiptare po bëhet përditë e më e cekët, përditë e më pa kujtesë, përditë e më rozë, përditë e më e dëgjueshme ndaj pushtetit politik, i cili këtu i komandon të gjitha pushtetet e tjera, sidomos ato të botës financiare. Shtypi i shkruar ka epërsitë dhe kufizimet e veta. Mendoj se kam plot energji dhe kohë të provoj faktorizimin e medias në problemet e ditës. Dhe faktorizimi i medias elektronike në problemet aktuale mendoj se është një përpjekje për të rikthyer autoritetin e dëmtuar të medias.

Duke mbetur te media, duhet vënë në dukje fakti se marrëdhëniet midis qeverisë dhe atij që quhet “pushteti i katërt” sa vijnë e tensionohen. Së fundi qeveria ka dërguar një paralajmërim për gjobë ndaj Televizionit Vizion Plus dhe ka gjobitur një tjetër media elektronike. Si i komentoni ju këto veprime të qeverisë?

Ka një histori tinëzare dhe klienteliste të qeverisë me median. Dikë e gjobit, dikë e gostit, dikujt i pret dritat dhe i vë gjoba arbitrare, dikujt i jep para në mënyrë arbitrare, dikujt i prish godinën dhe infrastrukturën, dikë e vë të bëjë rrugë dhe punë publike duke prishur dhe tregun e punëve publike. Është koncepti klasik i një pushteti që kërkon të ketë gazetashkrues dhe lajmelexues, por jo gazetarë. Është modeli i gazetarisë që bëhet me celularin e kryeministrit, një model që rrezikon të vjetrojë dhe reporterët 20-vjeçarë.

Një opinion për situatën politike. Ju jeni një njohës i mirë i Partisë Demokratike. Si e shikoni ju këtë parti, tashmë që ndodhemi gati një vit para zgjedhjeve elektorale? A është PD-ja partia që votuan shqiptarët në vitin 2005 dhe qeveria që prisnin të kishin shqiptarët?

Është një parti që e ka ngrirë jetën e saj politike pas vitit 2005. Dyert e partisë janë të mbyllura dhe çelësat e saj nuk i gjen dot më askush. Prej vitit 2005 kjo parti nuk ka bërë asnjë hap drejt jetës formale institucionale, ka shkelur statutin e saj për çdo detaj të jetës së brendshme dhe ka injoruar misionarët e saj në bazë. Por një parti në pushtet, përveç jetës së saj politike, ka bilanc të parë mënyrën se si qeveris. Shmangia e PD-së nga misioni i saj antikorrupsion, zhytja e saj në klientelizëm dhe copëzim pushteti për hir të numrave, katapultimi në poste kyçe i njerëzve të emëruar nga rrethe klienteliste pranë familjes së kryeministrit, apo grupeve të tjera me ndikim, ka bërë që njerëzit që e votuan këtë parti të mos e njohin ose prekin nga afër pushtetin e saj. Në zyrat e shtetit mund të gjesh çdokënd, por jo njerëzit të cilët u identifikuan me këtë parti në tetë vite opozitë. Ndërmarrjet e mëdha publike u pushtuan nga batakçinj që erdhën, vodhën dhe ikën. Mos e harroni se si u katapultua në krye të KESH-it një drejtor që s’dihet ku iku me milionat e tij. Mos harroni drejtorin e TELEKOMIT, një person në kërkim në Shqipëri, që mbiu një ditë në zyrën e kryeministrit, punësoi djalin e tij, drejtor Juridik dhe nuk i hyri gjemb në këmbë, edhe pse ia vërtetoi auditi i Kryeministrisë që kishte abuzime me miliona dollarë. Mos harroni Elvana Hanën, një ish-eurosocialiste, që për shkak të lidhjeve me gruan e kryeministrit, kapi një post kyç për Shëndetësinë, emëroi gjithë kushërinjtë e saj të parë, apo rekomandimet e fëmijëve të kryeministrit në poste kyçe, kaloi gjithë fondin e ISKSH-së në bankën private të saj dhe nuk i hyri gjemb në këmbë. Mos harroni privatizimin e ARMO-s, një ndërmarrje publike e shitur me marifete teknike realisht te një kompani shqiptare, por formalisht te një konsorcium fantazmë, që disa ditë pasi nënshkruan kontratën jashtë gjithë afateve kohore, kujtohet të thotë se çmimi është shënuar gabimisht në euro, por ata e kanë pas në mendje në dollarë. Arsyeja është se kompania shqiptare, e cila ka pas qenë akuzuar nga Berisha si trafikantja më e madhe e naftës në Ballkan, në fakt arriti të lidhet me familjen e kryeministrit, me gruan dhe vajzën e tij. Personazhet e mëdha të korrupsionit socialist u bën klientë të familjes në pushtet. Delijorgji dhe Taçi, së paku dy të akuzuar të mëdhenj të Berishës, tashmë e vënë në siklet atë dhe nëse ua përmend emrin. Kjo ka bërë që pushteti i PD-së të shmanget nga misioni i 3 korrikut. Tre korriku është tashmë një datë e tradhtuar nga fitimtarët. Dhe kam frikë se PD-ja do të paguajë për këtë tradhti.

Së fundi ka nisur një betejë, më së shumti mediatike, për postin e kryetarit të PD-së së Tiranës. Si e shikoni kandidaturën e vetëshpallur të Mustafajt, emrat e lakuar të Bojaxhiut, apo Imamit për këtë post?

Mendoj se Mustafaj po bën biopsinë e një tumori që ka pushtuar PD-në. Ajo parti, siç thashë, është e ngrirë, e paralizuar dhe informale. Ajo është një parti që ka mbyllur çdo derë, ka pushuar së funksionuari çdo qelizë dhe ka rënë në koma. Njeriu më i rëndësishëm i asaj partie është Flamur Noka, një figurë qesharake, i komanduar nga kryetari për të mos pasur parti. Vendimi i Mustafajt për të kandiduar, duke ndjekur formalisht deklaratat e liderëve të PD-së, është një zhvillim i madh, pasi zbulon së paku talljen e liderëve të kësaj partie me vetë këtë parti. Mustafaj, i cili e di që ata tallen, thjesht e ka marrë seriozisht humorin e tyre dhe ka shpallur garën. Ata tashmë duhet t’i përgjigjen, ose duhet të kërkojnë falje që tallen me PD-në. Gara e Mustafajt është një lëvizje fine, që tenton t’i bëjë tualet një zonje të rënë nga vakti, siç është PD-ja e sotme. Ai po bën sikur s’ka ndodhur gjë dhe sikur nuk e di ende që rrënimi ka ndodhur. Po përdor propagandën e liderëve si informacion dhe po teston deri ku ka shkuar kalbja. Për këtë arsye mendoj se është një akt misionari, një akt që dhe nis, e nuk rezulton në fitore, do të bëjë që shumë njerëz të ndjehen mirë që janë pjesë e asaj partie.
Sa për kandidaturën e Bojaxhiut dhe Imamit ende nuk kam ndonjë informacion. Dëshira e tyre për t’u ingranuar në jetën politike të PD-së është një ëndërr e fshehtë prej vitit 2005. Por prej atëherë partia ka qenë e ngrirë dhe ata nuk kanë pasur fushë ku të luajnë. Imami, njësoj si Mustafaj tani, e mori seriozisht një vit më parë një deklaratë të Berishës se do të hapet gara për lidershipin e PD-së dhe nisi betejën për sekretar të Përgjithshëm. Pasi kaluan disa muajsh e pa që ishte shaka dhe e la në heshtje. Mendoj se ai zhvillim mund ta ketë fyer dhe t’i ketë vrarë nervin politik. Gjergj Bojaxhi po ashtu. Ai vjen nga një botë konkurruese dhe ka pas aspiratë të konkurrojë për t’u bërë pjesë e politikës së PD-së. Por si shumica e tenderave, ai proces është automatizuar dhe butoni komandues gjendet në zyrën e Berishës.

Pse ka filluar të lakmohet kaq shumë posti i kryetarit të PD-së së Tiranës, në një kohë kur kjo degë ka qenë pothuajse inekzistente?

Është e vetmja degë ku mund të bësh politikë. Tirana është kryeqytet dhe ka më shumë shanse të kultivojë garën dhe konkurrencën politike. Është një treg i madh për politikën. Gjithmonë ka qenë e rëndësishme, sidomos për PD-në. Në vitin 1999 Bamir Topi e humbi garën pasi nuk kishte mbështetjen e Berishës, dhe Berishës i kushtoi shumë ajo humbje, pasi krijoi distancë me qytetarët e Tiranës, të cilët nuk ia falën kurrë atë kundërvënie. Dhe ka qenë ajo humbje që ia rriti profilin politik në PD Bamir Topit. Pra është një degë ku mund të bësh politikë dhe duke humbur. Ndaj ka dhe kaq lakmi për të.

Sa shanse ka, sipas jush, PD-ja për të fituar një mandat të dytë qeverisës?

Shanset nuk janë kurrë të humbura nëse arrin ta njohësh realitetin. PD-ja duhet të kapërcejë shumë tabu dhe duhet të bëjë ndryshime të forta në mentalitet. PD-ja duhet të shkëputet me kurajë nga hija e zezë e Gërdecit dhe e gërdecarëve që e kanë futur në kurth. Ajo parti ka ikur një herë nga pushteti në vitin 1997 për shkak të trazirave nga të cilat u vra një njeri deri ditën që ajo dorëzoi pushtetin. Dhe diti ta përballonte. Ajo nuk ka fuqi të mbajë peshën e 26 arkivoleve në shpinë vetëm se disa njerëz që përdorën pushtetin e saj duhet të pasuroheshin me arrogancë dhe pa asnjë pikë mëshire. PD-ja duhet të ketë guximin ta shqiptojë qartë emrin e Mihal Delijorgjit si ish-trafikant që bleu pushtetin e saj, si ish-trafikant që pagoi fushatat e saj, si ish-trafikant që shpërbleu njerëzit rrotull saj. PD-ja nuk duhet të pranojë të hyjë në një betejë elektorale me Fatmir Mediun në listë, pasi do t’i ikë gjysma e fushatës duke dëgjuar shpjegimet e Adrian Vishës, njeriut për të cilin Sali Berisha ka bërë akuza të qarta se është koka e bandës “Hakmarrja për drejtësi”. Nuk ka fuqi tashmë PD-ja të mbajë në shpinë dhe Gërdecin, dhe Fatmir Mediun, dhe Adrian Vishën, dhe “Taçi Oil”-in, dhe Mihal Delijorgjin, dhe Ilir Kukën, dhe Elvana Hanën, dhe shumë mafiozë të tjerë që u bënë klientë të pushtetit të saj. Ajo mund të ringrihet kur t’i shkundë nga shpina e saj këta pasagjerë të paftuar prej saj në rrugën e pushtetit, por të hipur mbi shpinën e saj nga klientelizmi i pushtetit të kryeministrit. Nëse ajo parti ringjallet, nëse aty fillojnë të dëgjohen zëra autoritarë që ngjallin besim se pushteti nuk kontrollohet privatisht, shpresa për fitore mund të mbahet ndezur. Në të kundërt, pushteti do të shkojë falas, pa asnjë mundim, te një lider si Edi Rama, që është i sinqertë në faktin se pas tij ka një tufë nëpunësish pa asnjë vlerë dhe mision politik. Dhe një pushtet që merret falas pa mundim është një pushtet që mund të bëjë kërdinë. Është një pushtet që s’ka më frikë nga askush, pasi miti antikorrupsion në këtë vend varroset bashkë me ikjen e PD-së nga pushteti. Pas kësaj zor do ta kemi të trembim ndonjë zyrtar që ka vendosur të vjedhë dhe të ikë nga ky vend. Prokuroria dhe Drejtësia janë ende larg të qenit armiq të korrupsionit. Ata janë ende klientë të këtij fenomeni.
Intervistoi: Eljona Ballhysa

12 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›