E Diel, 1 Nëntor 2026

Kallinjtë e misrit, opozita kryqëzon Gjanën: “Qeveria favorizon Agro-Blendin”

Balla: “Presidenti i kompanisë së farave është kryetari i Bashkisë së Vorës”. “Kompania është përfituesja më e madhe e dëmshpërblimeve nga tragjedia e Gërdecit”

Seanca e djeshme e Kuvendit është përfshirë nga debati midis opozitës dhe ministrit të Bujqësisë Jemin Gjana për çështjen e misrit pa kokrra. Deputetët e opozitës e kanë akuzuar qeverinë për favorizim të kompanisë që u ka shitur farërat fshatarëve shqiptarë. Madje deputeti i PS-së, Taulant Balla, ka vënë në dukje se pronar i kësaj kompanie është kryetari i bashkisë së Vorës, një funksionar i Partisë Demokratike. Ai gjithashtu ka zbuluar se kompania “Agro-Blend” ka rezultuar dhe përfituesja më e madhe e dëmshpërblimit financiar të vënë në dispozicion nga qeveria për të prekurit nga tragjedia e Gërdecit. Balla gjithashtu i bërë thirrje qeverisë që të aplikojë skemën e dëmshpërblimit të propozuar nga PS-ja për fermerët shqiptarë. Por kjo kërkesë është hedhur poshtë nga ministri i Bujqësisë, Gjana. Ky i fundit u shpreh se fermerët do të dëmshpërblehen nga kompania private, dhe jo nga qeveria.
Akuzat
“Do t’ju vërtetoj se është një kompani shtetërore, sepse kjo kompani është përfituesja më e madhe e dëmshpërblimeve të kryera gjatë procesit të dëmshpërblimit të Gërdecit. Në faqen zyrtare të Kryeministrisë rezulton se kompania "Agro-Blend" është përfituesja më e madhe e dëmshpërblimeve që qeveria ka miratuar për shkak të dëmtimeve që u kryen, në shifrat e disa milionëve lekë të rinj, të kryer për shkak të tragjedisë së Gërdecit. Sot kemi një katastrofë bujqësore. Por kjo kompani përfitoi nga një katastrofë tjetër, por është e detyruar të dëmshpërblejë një më një qytetarët shqiptarë për këtë katastrofë bujqësore të kryer për shkak të mosveprimit të organeve shtetërore”, - është shprehur në Kuvend deputeti socialist, Balla. Madje ai theksoi se edhe qeveria ka detyrimin ligjor që të dëmshpërblejë fshatarët. “Është pikërisht neni 44 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, që e detyron qeverinë të marrë përgjegjësitë për këtë katastrofë dhe sigurisht të dëmshpërblejë ajo qytetarët. Është e pafalshme ajo që kam dëgjuar nga ministri apo nga përfaqësues të tjerë të qeverisë, se shteti nuk paska asnjë përgjegjësi për këtë”, - është shprehur Balla. Ai gjithashtu ka rrëzuar poshtë deklaratën e ministrit Gjana, sipas të cilit nga fara e misrit pa kokrra janë dëmtuar vetëm 517 familje. Balla bëri të ditur se vetëm në të tria komuna të qarkut të Elbasanit numri i familjeve të dëmtuara e kalon 1174. “Ky misër shterpë dhe pa kokrra ka prekur edhe zonën elektorale të ministrit, i cili nuk e di se ku është kjo zonë, sepse ka tre vjet që s'ka vajtur në atë zonë”, - ka qesëndisur deputeti i PS-së.
Mbrojtja
Ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana, nga ana e tij, theksoi se në bazë të ligjeve që rregullojnë marrëdhëniet e shtetit me atë të kompanisë private është rënë dakord që dëmshpërblimi i fshatarëve të realizohet nga kompania “Agro-Blend”. Gjana ka bërë të ditur se nuk ka pasur favorizim të kësaj kompanie nga qeveria. Ai ka theksuar se kjo kompani është e certifikuar nga shoqata të njohura ndërkombëtare për tregtimin e farërave. Ministri gjithashtu theksoi se ministria po punon për të bërë analizat e farërave të shitura nga kjo kompani. Gjana gjithashtu bëri të ditur se kompensimi i fshatarëve do të bëhet në bazë të rendimentit.

12 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›