AFTËSIA INTEGRUESE
është tmerrësisht e vërtetë se të zotërosh aftësinë integruese (nuk është një aftësi e re, por që ka qarkulluar me emra të vjetër tradicionalë) ka rëndësi të jashtëzakonshme për personalitetin e njeriut, ka rëndësi sesi motivohesh në arritjen e qëllimeve, se si e mban një qëndrim të caktuar dhe çfarë arritjeje ke në punë. Gjithçka buron nga vetja, ç’rëndësi i jep personit tënd, si ecën, sa lexon dhe sa përvetëson, ç’dukje i ënd pranisë sate në konferenca, në takime, në biseda televizive; sa pjesëmarrës je në politikë, në veprimtaritë krijuese e televizive, ç’debat bën dhe si i gjen pikat e përbashkëta me bashkëvepruesit dhe bashkëbiseduesit.
Në politikën e ditëve tona ky aspekt social dhe psikologjik duket pak (është pak i pranishëm) nëpër veprimtaritë e përbashkëta. Le të marrim tryezën Berisha-Rama tek Presidenti. Të dy bashkëbiseduesit e zotërojnë më së miri aftësinë e të biseduarit, kanë motivimin politik e social por duket se tek ata mungon aftësia integruese. Asnjëri (me qëllim apo pa qëllim kjo nuk mund të thuhet qartë!) prej tyre nuk dha sinjale për këtë lloj aftësie. Psikologjikisht nëse u përcaktojmë të paktën tri kërkesa të dyve dhe u kërkojmë që të gjejnë të përbashkëtën (edhe mund ta shohin qartë të përbashkëtën ata ndodh që i bëjnë bisht asaj!) dhe pikërisht te kjo duhet të mbështeteshin. E përbashkëta e çështjeve që shtrohen në tryezën e sertë të bisedimeve është zor të pranohet, të kapërdihet, të përtypet, por jo të duket. Madje ajo mund të jetë mjaft e madhe në dukje, ndoshta sa një “buall”, por ose nuk zotërohet aftësia integruese, ose lihet qëllimisht jashtë zonës së shikimit.
Nëse do ta linim paksa jashtë pikëvështrimit tonë gjetjen dhe zotërimin e aftësisë integruese në politikën që zhvillohet para hundës sonë dhe do të shihnim diku gjetkë, do të ndodhte që aftësia integruese do të qe guri i themelit në veprimtarinë e përditshme, ose në skenë. Në se hartohet një ligj i ri (siç mund të jetë ligji i dosjeve, ose ligji i amnistisë fiskale, për shembull) dhe do të kërkonim përmes disa pozicionimeve të përbashkëta, gjendet menjëherë kjo pikë midis palëve dhe ndizet drita jeshile. Kështu në ligjin e amnistisë fiskale përtypet e ripërtypet vijimisht interesi i ekonomisë për të thithur më tepër para. Kjo nevojë është e dukshme, po kur në mes hyn një aktor tjetër, i sertë, jo pragmatist, kokoRroç etj., atëherë miliardat lihen jashtë loje dhe kënaqet oreksi i pangopur i njeriut të keq për të mos e krijuar këtë mundësi. Politika në këtë rast bëhet mazokiste dhe shtron një terren antiaftësi integruese.
Para se të imagjinojmë një aftësi integruese të mençur dhe të saktë si “Omega”, duhet të njohim veten tonë, integritetin tonë, ndijën dhe perceptimin e vetes, të menduarin rreth saj dhe botës që e rrethon, si dhe motivimin e saj në jetë e në veprimtari të ndryshme, në sjellje e në krijimtari. Ti, i dashur mik, mendon se kjo dukuri sociale ka këtë emër (dhe ti e këtillon atë “kryengritje”, “puç”, “sovranitet” etj.) dhe këtë e thua hapur, kundërshtari yt i menjëhershëm dhe shpërthyes bëhet dëshira për të të kundërshtuar dhe s’ka më të lehtë se sa gjetja e kundërshtarit dhe e motivacionit të tij, pa tentuar aspak se ku është e përbashkëta. Të mendosh ndryshe dhe me kundërshtim të hapur është shumë e thjeshtë. Por sigurisht është mjaft e vështirë të gjesh pikën e përbashkët, atë që krijon emëruesin, atë që integron. Polet krijohen lehtë. Bashkësia heziton dhe mbetet në një zonë gati gri dhe neutrale. Këtë vështirësi zhbirojnë dhe interlokutorët e mëdhenj, prandaj dhe marrëveshjet e mëdha kërkojnë befasi integruese dhe jo thjesht përdorim të termit “integrim”. Në këtë rast kjo nuk do të kishte pikë vlere.
Ose në një diskutim të thjeshtë televiziv, në një të ashtuquajtur debat, si nuk e sheh asnjëherë tendencën për të gjetur pikën e përbashkët, aty ku rëndon universi i bisedës, aty ku dhemb “dhëmballa”, aty ku është “thembra e Akilit”. Mirëpo të gjithë sherrnajën kemi dëshirë ta quajmë debat kundërshtarësh, duke tundur më pas trofetë e fjalëve të bukura që kanë mbetur pas kokulura e të thërrmuara keq, të uritura për të mbllaçitur diçka të fisme e të shtrenjtë, e cila në rastin tonë do të kishte qenë heshtja.
Por edhe aty ku nxjerr krye nganjëherë dëshira për të gjetur të përbashkëtën, afrimin me realitetin, pikëmbështetjen integruese, tharmi i folësve bëhet aq bajat sapo ti vëren se duan t’ia këpusin kokën kësaj shprese. Nuk është rasti që këtë aftësi të çmuar ta futësh në rol, ndonëse edhe në kësi dukjesh e qasjesh do të duhej një kombinacion matematik i lojës aktoriale me ndjenjën që shpërthen nga bota e madhe dhe e pasur e fjalëve me maturinë eksituese të veprimeve. Por pragmatizmi i justifikimit të veprimeve tona, sapo shquajmë që diku po buit një shpresë për t’u bërë i efektshëm dhe po dallohet drita jeshile për ta gjetur të përbashkëtën tonë të mirë, na kthen edhe një herë nga e para. Dhe përsëri “unë”, “unë”, “unë” të pa fundta!
Na duhet të themi dhe të pranojmë se aftësinë integruese mund ta gjejmë me konsensusin e famshëm edhe në familje, në marrëdhëniet e punës së përditshme, në rrugë, ashtu si dhe në kupolën e politikës e të administrimit të vlerave. Vetëm e vërteta tronditëse të detyron të shohësh thellë në brendësi të vetes, duke kërkuar i mahisur atë që duhet të qe tharmi i së vërtetës me kohë: aftësinë integruese, për t’u marrë vesh, për t’u lidhur fort pas hijeshisë së të përbashkëtës dhe jo për të tëharrur madhështinë e gënjeshtërt të fjalëve boshe e pa lidhje! Në këtë rast do të ishin me vend fjalët aq therëse e goditëse të dy psikologëve amerikanë Braun & Djuton (2005) se “aftësinë integruese e ka çdo njeri, të gjithë e shohin ku lidhet litari i mendimit të tyre, por asnjëri – kur nuk ka interesa të përbashkëta dhe mbi të gjitha kur nuk ka një botë të brendshme të mirë e prirje pozitive të vlefshme – nuk e pranon, bën sikur nuk e shikon dhe mbi të gjitha bëhet amnezik dhe duket sikur e harron...”.
Më duket se kjo formulë do t’u shkonte për shtat këtyre ditëve edhe interlokutorëve të ngjarjeve tona të ditës dhe atyre që marrin vlerë të madhe më pas...
#