Shkodër, spitali me skaner dhe rezonancë
Dy ekzaminimet e reja, skaner dhe rezonancë manjetike, do t’i shtohen spitalit të Shkodrës brenda këtij viti. Futja e dy aparaturave të tilla do të shkurtojë kohën e diagnozës.
Në të njëjtën kohë, urgjencës së spitalit do t’i shtohet dhe një sallë operacioni. “Motoja e punës sonë është reforma që ndryshon shëndetësi”. Kjo ishte deklarata e ministrit të Shëndetësisë, Petrit Vasili, në analizën vjetore të sistemit parësor dhe spitalor në Qarkun e Shkodrës. Në analizë u referua se në Shkodër janë realizuar rreth 25 mijë vizita mjekësore vetëm nga mjekë të familjes. Ndër to, 3074 kanë qenë vizita pediatrike. Ndërkohë që sipas drejtorit të spitalit, Namik Kamberi, vërehet një ulje e numrit të aborteve, 171 aborte ku peshën më të madhe e mban fshati. Ndërkohë që janë regjistruar 1989 lindje, rreth 80 për qind e të cilave janë kryer në rrugë natyrale. Ajo që mbetet për t’u vlerësuar është se prej gati 15 vjetësh, Shkodra nuk ka regjistruar asnjë vdekje amtare. Gjatë vitit të kaluar është vërejtur një rritje e ndërhyrjeve kirurgjikale onkologjike. Sipas drejtorit Kamberi, pas futjes së aparaturës së mamografisë në këtë spital, janë regjistruar rreth 600 ekzaminime mamografie dhe 250 eko të gjirit, duke mundësuar zbulimin e dhjetëra rasteve tumorale në faza të hershme të sëmundjes.
Në fjalën e tij, Vasili u ndal gjatë në situatën e fundit të përmbytjeve dhe mënyrën sesi u përballua ajo nga sistemi shëndetësor i këtij qarku. “është kënaqësi dyfishe pune, jo vetëm për sa i takon analizës, por dhe faktit që takohemi në një normalitet të ri pas vështirësive të kaluara së bashku në përballimin me sukses të plotë të katastrofës dhe një bashkëpunimi intensiv”, sqaroi Vasili. Sipas tij, sistemi shëndetësor në Qarkun e Shkodrës është një sistem i qëndrueshëm dhe i ekuilibruar. Prova u kalua edhe në rastin e katastrofës, në mënyrë të veçantë nga shëndeti publik.
Ministri i Shëndetësisë, e cilësoi spitalin rajonal të Shkodrës një sfidë më vete.
“Kam vlerësime pozitive për të gjithë specialistët e Higjienës dhe epidemiologjisë që punuan me orar dhe pa orar për kontrollin e situatës higjieno-sanitare, por dhe detyrave që dalin më pas, si sanifikimi i zonave të përmbytura, që është një plan operativ dhe që është në zbatim”, theksoi ministri.