Dhjetëra shtëpi në rrezik shembjeje
Dy fshatra të Komunës Levan në rrethin e Fierit rrezikohen seriozisht nga shembja e banesave. Dhjetëra shtëpi kanë pësuar dëmtime të mëdha si shkak i rrëshqitjes masive të tokës. Kryetari i Komunës Levan, Agim Qejvani, shprehet se rrëshqitja ka nisur gjatë shirave të ditëve të fundit. Banorët e fshatrave Peshtan i Madh dhe Peshtan i Vogël në Komunën Levan të Fierit kanë shkuar në fillim të javës pranë komunës dhe kanë kërkuar ndërhyrjen e saj, pasi banesat e tyre po rrezikohen të shemben. Drejtues të komunës menjëherë kanë ngritur një komision verifikimi për dëmet konkrete në terren, si dhe për gjetjen e shkakut. Kreu i Komunës Levan, Agim Qejvani, ka thënë për “Shqip” se “Verifikimet e kryera dy ditët e fundit nga grupi i punës në komunë kanë nxjerrë që 14 shtëpi kanë pësuar dëme të mëdha dhe dhjetëra të tjera dëmtime më të pjesshme”. Ai thotë gjithashtu se tashmë katër banesa janë bërë të pabanueshme. Shtëpitë janë ndërtuar pas vitit 1990, por ndonëse të reja ato tashmë kanë pësuar çarje të mureve, dyshemeve dhe tavaneve. Banorët akuzojnë komunën për krijimin e situatës, pasi nuk ka bërë prita mbrojtëse, edhe pse ka pasur paralajmërim për shkarjet. Ndërkaq vijon prej më shumë se një jave izolimi i komunave Hysgjokaj dhe Ballagat në rrethin e Lushnjës. Sipas nënprefektit të Lushnjës, Daut Sulaj, tashmë situata është në mëshirën e kushteve atmosferike dhe padyshim ndërhyrjes së autoriteteve qendrore.
#