Barnat e pacientëve, kontroll në të gjithë spitalin
Shërbimet shëndetësore në qendrën spitalore universitare “Nënë Tereza” do të jenë nën vëzhgim, nën kontrollin e inspektorëve.
Të njëjtat kontrolle që nisën me intensitet në shërbimin e onkologjikut, do të vazhdojnë të jenë pjesë e punës së përditshme për inspektorët e “Nënë Terezës”.
Sipas administratës së QSUT-së, kryesisht kontrollet do të drejtohen drejt dyerve të “farmacive” të shërbimeve, të cilat menaxhojnë ndarjen dhe shpërndarjen e ilaçeve të pacientëve të cilët marrin kujdes shëndetësor në qendër.
Po ashtu këto kontrolle do të përqendrohen edhe në shpërndarjen e dozave të medikamenteve, sasive dhe trajtimeve, nëse ato janë të rregullta, nëse jepen siç duhet apo ka keqpërdorime.
KontrolletPak kohë më parë nga këto kontrolle, të cilat nuk nisën intensivisht, inspektorët kapën në gabim, kryesisht punonjësit e farmacive. Fiziologjiku, preparati i përdorur nga të gjithë shërbimet për serume, u përllogarit gabim, në listën e kërkesave të spitalit. Ishte kjo arsyeja që për tre prej punonjësve të farmacive u mor masë administrative dhe penalizim deri në largim nga puna. E njëjta masë u mor edhe për ndihmësfarmacistin e shërbimit të onkologjikut, i cili duke abuzuar me detyrën, kishte dhënë me ‘kursim” medikamentet për pacientët që trajtohen me tumore si dhe kishte kryer shpërndarje të parregullt të barnave që mbajnë pullën spitalore. Gjatë rrugës, kontrolli kishte verifikuar se punonjësi nuk zotëronte as arsimin përkatës, për të qëndruar në një pozicion të tillë punë. “Duke u nisur nga të gjithë këta precedentë, por duke marrë parasysh edhe ankesat e pacientëve, drejtoria do të vazhdojë kontrollet në çdo shërbim, në dobi të kujdesit të pacientit”, ka sqaruar zyrtarisht qendra spitalore universitare “Nënë Tereza”.
Duke u nisur nga problemi i barnave, por njëkohësisht edhe dëshira për të përmirësuar shërbimin, qendra spitalore ka miratuar parimisht, projektin për afishimin e listës së barnave në çdo shërbim.
BarnatBarnat spitalore të çdo shërbimi, bëhet fjalë për ilaçet dhe pajisjet bazë të çdo pavijoni, do të afishohen në dyert e spitalit. Në këtë mënyrë, pacienti do të jetë në dijeni për medikamentet që disponon shërbimi, pa pasur nevojë të shkojë dhe t’i blejë ato në farmaci.
Kjo është një nga projektet e QSUT-së për vitin 2010, duke i bashkangjitur kësaj liste edhe publikimin e të drejtave të pacientëve, sipas ligjit, në ambiente të dukshme spitalore.
Sakaq, dyshimi për më pak barna spitalore është larguar dje pas miratimit, parimisht të qeverisë, të buxhetit për qendrat shëndetësore për vitin 2010. Sipas këtij vendimi, spitalet sigurohen gjatë një viti me barna. Bashkë me to dhe pagat e personelit shëndetësor.
#