E Shtunë, 31 Tetor 2026

AGPK dënon deklaratën e OVL të UÇK’së

Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës ka dënuar ashpër gjuhën që përdori Organizata e Veteranëve të Luftës të UÇK’së kundër gazetarit Halil Matoshi. Nga Express më 07 janar 2011 në ora 15:31

Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK) dënon ashpër deklaratën e Kryesisë së Organizatës së Veteranëve të Luftës të UÇK’së, në të cilën fyhet dhe kërcënohet gazetari Halil Matoshi, kolumnist në “Koha Ditore”.

“AGPK konsideron se gjuha e përdorur në deklaratën e OVL të UÇK’së është e papranueshme, fyese dhe kërcënuese dhe, si e tillë, nuk kontribuon në konsolidimin e demokracisë dhe besimit të ndërsjellë në shoqërinë kosovare”, thuhet në komunikatën e AGPK’së.

“Po ashtu, AGPK e cilëson këtë deklaratë si sulm ndaj lirisë së shtypit dhe shprehjes në Kosovë dhe si përpjekje për t’ua mbyllur gojën të gjithë atyre që mendojnë ndryshe. AGPK inkurajon z. Matoshi që të vazhdojë të shkruajë dhe kritikojë për fenomene të dëmshme në të mirë të shoqërisë, ndërkaq bën thirrje edhe njëherë që gazetarët të lihen të lirë në punën e tyre”, vazhdon komunikata.

Në një deklaratë publike, OVL e UÇK’së e quajti “tradhtar” dhe “mbetje nga sistemi i kaluar” gazetarin Matoshi.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›