E Diel, 1 Nëntor 2026

AH1N1, analiza edhe për vdekjet e rastësishme

Shqipëria raporton plot 96 të prekur nga gripi i derrit AH1N1. Konfirmimi i analizave ka ardhur nga laboratori i virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik. Nga dita që ka nisur punë, ekzaminimi i kampionëve për AH1N1 llogariten se janë nga 1 deri në dy persona të prekur në ditë prej gripit të derrit.

Deri tani, një pjesë e mirë e të prekurve e kanë kaluar gripin e derrit në fazat e lehta dhe vetëm në disa raste kanë shfaqur komplikacione. Pacienti i shtruar në spitalin e sëmundjeve të mushkërive "Shefqet Ndroqi", ka dalë nga rreziku për jetën.

Lajmi është konfirmuar nga ekipi i mjekëve të Sanatoriumit, të cilët e kanë ndjekur rastin. Ndërkohë që nuk është raportuar asnjë person i vdekur, për shkak të komplikacioneve të prekjes nga gripi i derrit. Dje, Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik konfirmon se janë duke u ekzaminuar edhe pjesë të rëndësishme të monitorimit të situatës dhe rastet e vdekjeve të rastësishme. Konkretisht, sipas Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë kësaj kohe janë marrë kampione për analiza të disa rasteve të pacientëve që kanë gjetur vdekjen dhe shkaqet kanë mbetur të pashpjegueshme.

Situata

Sipas autoriteteve shëndetësore, deri tani situata nuk paraqitet alarmante, por virusi po përhapet me shpejtësi në komunitet.

Gjatë ditës së shtunë dhe të diel janë konfirmuar edhe 20 raste të reja të të prekurve nga gripi i derrit, çka tregon se rastet e AH1N1 po vijnë duke u shtuar ditë pas dite. Sipas Pëllumb Piperos, drejtor në Ministrinë e Shëndetësisë, pritet shtim i rasteve gjatë ditëve kur temperaturat do të vijojnë të ulen në mënyrë të konsiderueshme. Sakaq, rastet e pacientëve të infektivit janë larguar në shtëpi, pasi kanë marrë mjekimin dhe trajtimin sipas protokollit të përcaktuar enkas për kurimin e pacientëve të prekur nga gripi i derrit.

Pacienti 30-vjeçar në Sanatorium ka kaluar rrezikun për jetën dhe ndodhet nën vëzhgimin e mjekëve. Sipas trupës mjekësore të spitalit "Shefqet Ndroqi", një nga përparësitë që kanë sjellë përmirësimin e gjendjes së të riut ishte kapja në kohë e simptomave të virusit AH1N1.

Gripi i derrit

Përhapja e virusit është në monitorim të vazhdueshëm. Por ajo që shqetëson autoritetet shëndetësore, njëkohësisht edhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë, është në kohën e shfaqjes së virusit në forma të "dëmtuara". Veç raportimit të rasteve, OBSH-ja ka kërkuar nga shëndetësia të mbajë nën kontroll situatën, duke raportuar dhe kërkuar në rast se paraqiten raste me kombinime të viruseve apo të prekur nga viruse, të cilat kanë pësuar mutacion.

Sakaq, në laboratorin e virologjisë kryhen analiza, kampionët e të cilave dërgohen çdo ditë në Institutin e Shëndetit Publik nga të gjitha spitalet e vendit. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, janë dërguar materialet e nevojshme në poliklinika, qendra shëndetësore e spitale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›