Kapen me 93 kilogramë marijuanë dy lazaratas
Operacioni i koduar "Porosia" i organizuar nga policia e Gjirokastrës në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, është finalizuar me bllokimin e 93 kg marijuane dhe prangosjen e dy trafikantëve droge. Lënda narkotike që vinte nga Lazarati kishte për destinacion Sarandën dhe transportohej nga dy banorë të fshatit, që mendohet të jenë edhe prodhuesit. Burime të policisë së Gjirokastrës bëjnë të ditur se operacioni në fjalë është organizuar mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative. Ishte mësuar se një sasi lënde narkotike do të transportohej pasditen e së dielës me dy automjete nga Lazarati në drejtim të Sarandës. Shërbimet e policisë organizuan menjëherë operacionin që u përqendrua në aksin rrugor Gjirokastër-Sarandë, mbi fshatin Jorgucat. Sipas të njëjtit burim mësohet se rreth orës 18:00 të së dielës, automjetet janë afruar në postbllokun e ngritur nga shërbimet e policisë. Automjeti i parë tip "Benz" me targa greke IEN 5766, që drejtohej nga 21-vjeçari Mikel Aliko, sapo ka parë uniformat blu ka tentuar të largohet me shpejtësi, por nuk ka mundur, pasi është përplasur me makinën e policisë, e cila kishte bllokuar rrugën. Shoferi ka braktisur makinën dhe është larguar në drejtim të fushës së lumit Drino, ku është kapur pas pak minutash. Automjeti i dytë, tip "Renault" me drejtues Donalt Alikon, 20 vjeçar ka tentuar të kthehet mbrapsht, por është përplasur me makinën tjetër të policisë, e cila ishte vënë në ndjekje të tyre. 20-vjeçari është izoluar nga policia dhe është arrestuar në flagrancë. Në brendësi të makinave policia ka sekuestruar 93 kilogramë marijuanë. Ndërkohë, mësohet se policia e Gjirokastrës në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit po vazhdon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes për të kapur dhe çuar përpara drejtësisë personat e tjerë të implikuar në këtë trafik.
En.Se.
En.Se.