E Diel, 1 Nëntor 2026

Dëmtohet nga shpërthimi shtëpia e Vasil Bollanos

Shtëpia e Vasil Bollanos në Himarë është dëmtuar në orët e para të mëngjesit të së dielës nga shpërthimi i një sasie lënde plasëse. Burime jozyrtare të policisë së Vlorës njoftojnë për një shpërthim që ka ndodhur pranë banesës së kryebashkiakut të Himarës, i cili është njëkohësisht kryetar i organizatës së minoritetit grek në Shqipëri, por sqarojnë se objekt i "atentatit" nuk ka qenë shtëpia e tij. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:00 të mëngjesit të së dielës, në hyrje të Himarës, ndërkohë që dyshimet e para bien mbi një konflikt pronësie. Lënda plasëse është vendosur pranë një ure të vogël për këmbësorët. Vala e shpërthimit ka shkaktuar thyerjen e disa xhamave në dy banesa, fatmirësisht pa shkaktuar pasoja të tjera. Nga hetimet dyshohet që shkak për këtë të ketë qenë hapja e një kanali nga ana e një familjeje të zonës, çka ka pasuar me kundërshtimin e fqinjëve. Sipas burimeve policore në Himarë, disa familje kanë pasur mosmarrëveshje me njëra-tjetrën për hapjen e rrugës së lagjes. Burimet policore saktësojnë se Qirjako Bollano dhe Napolon Rondo janë grindur me dy kryefamiljarë të tjerë, që janë Niko Goro dhe Pano Dhimolaksi. Sipas policisë, mendohet se dy të parët, Bollano dhe Rondo, kanë vënë një sasi lënde plasëse në urën që përdornin familjet e tjera. Nga ky shpërthim janë thyer disa xhama të banesave që ndodheshin pranë, midis të cilave është edhe ajo e Vasil Bollanos. Për këtë rast janë shoqëruar në postën e policisë së qytetit personat e dyshuar si të përfshirë në konflikt dhe po punohet për sigurimin e provave për vënien para përgjegjësisë të autorëve të shpërthimit.

mi.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›