E Shtunë, 31 Tetor 2026

AH1N1, konfirmohen katër raste të reja në vend



Emanuela Sako

Konfirmohen edhe katër raste të tjera me virusin e gripit të derrit në vendin tonë. Tashmë numri i të prekurve ka shkuar në 20 persona dhe pritet që kësaj liste t’i shtohen shifra të reja brenda një kohe të shkurtër. Kjo do të ndodhë, për shkak se janë shtuar problemet e infeksioneve respiratore në të gjithë popullatën dhe situata pritet të jetë më e rënduar në ditët në vijim. Të dhënat janë bërë publike nga ISHP-ja, e cila ka bërë një raportim të plotë të situatës dhe mundësitë që ka ky virus për t’u përhapur në një shkallë më të madhe. ISHP nuk ka pranuar të japë detaje të tjera rreth gjendjes shëndetësore të pacientëve të prekur, por shton se ata janë banorë të kryeqytetit. OBSH-ja ka premtuar se do të sigurojë fondet për shpërndarjen e vaksinës për disa vende të botës, të cilat nuk kanë mundësi për ta blerë atë. Ndërsa kanë bërë të ditur se tashmë do të nisë faza e dytë e përhapjes së gripit të derrit, e cila do të jetë edhe më e rrezikshme se më parë. Virusi i gripit të derrit do të mundë të krijojë një kombinim me gripin e zakonshëm dhe kjo do të bëje që të ketë një numër tepër të lartë të infektuarish.
Dyshimet
Specialistët kanë pranuar se 20 raste mund të jetë një numër mjaft i vogël në krahasim me numrin e vërtetë të të prekurve. Por shumë të infektuar e kalojnë gripin në formë viroze, duke mos u vizituar te mjekët. Specialistët e Shëndetit Publik dyshojnë edhe për dy fëmijë të moshës 5 dhe 14 vjeç. Mostrat e fëmijëve janë nisur për t’u analizuar në laboratorin e Bukureshtit, në Rumani. I vetmi problem që ekziston me këto raste është se kthimi i përgjigjeve është mjaft i vonuar dhe lë pak mundësi për kurimin e specializuar të personave të prekur. Infeksionet respiratore janë shtuar së tepërmi ditët e fundit, çka e bën virusin e gripit të derrit më të predispozuar për t’u përhapur në popullatë. Njëkohësisht, problemet respiratore pritet të pësojnë rritje në muajin shtator, ku duhen edhe disa ditë. Ndërkohë që gjithçka varet nga ndryshimi i temperaturave, të cilat do të pësojnë luhatje gjatë kësaj fundjave.
Situata
Nga të dhënat e fundit të Institutit të Shëndetit Publik, bëhet e ditur se aktualisht janë marrë 440 mostra në të gjithë qytetet e vendit. Një pjesë e tyre janë duke u analizuar në ISHP dhe më pas nëse do të ketë rezultatet negative do të dërgohen për ekzaminime më të specializuara në Bukuresht. Laboratori i virologjisë në ISHP është pjesë e rrjetit europian të survejancës së gripit
dhe raporton çdo javë pranë këtij rrjeti. Aktualisht në këtë laborator po analizohen mesatarisht mbi 30 mostra çdo javë. Në këtë laborator kryhet testi i Imunofluoreshencës Direkte dhe testi i shpejtë që japin përgjigjen paraprake të identifikimit të virusit brenda 2 orësh. Më pas kryhet kultura në linja qelizore
nga ku izolohet virusi dhe kjo procedurë zgjat nga 24-72 orë dhe më pas deri në 1 javë.

Analizë për rastet e konfirmuara me grip pandemik AH1N1 në Shqipëri
Grupmosha: 4 raste 15-24 vjeç, 10 raste 25-44 vjeç, 2 raste 45-59 vjeç

Shumica e rasteve i përkasin moshave aktive dhe deri tani asnjë rast nuk është vënë re në moshat e vjetra apo ato nën 14 vjeç
Gjinia: 10 meshkuj dhe 6 femra, plus 4 rastet e reja

Vendbanimi: Tirana - 11 raste, Durrës - 4 raste, Saranda -1 rast

Paraqitja në spital: Janë paraqitur 13 raste dhe janë shtruar në spital 8 raste

Pranë Departamentit të Sëmundjeve Infektive në QSUT janë paraqitur 8 raste

Shenjat dhe sindromat klinike:

Kolla ka qenë e pranishme në të gjitha rastet dhe në 5 raste është vënë re kollë me gëlbazë

Dhimbje fyti apo rrjedhje hundësh kanë qenë të pranishme në të gjitha rastet

Temperatura kryesisht mbi 38ºC ka qenë e pranishme në të gjitha rastet

Vështirësi në frymëmarrje në 2 raste

Rinofaringit si dhe riniti apo faringiti kanë qenë të pranishëm në 12 raste

Trakebronkiti është vënë re në 6 raste

Bronkiti difuz i pranishëm në 2 raste

Bronkopneumoni intersticiale në 2 raste

Insuficiencë respiratore akute në 1 rast

Ecuria e shenjave klinike dhe trajtimi:
Në dy raste me vështirësi në frymëmarrje është vënë re rëndim i menjëhershëm i frymëmarrjes dhe hipoksi
Kolla është shenja klinike, e cila është zhdukur më me vonesë duke arritur deri në tre javë pas fillimit të shenjave të sëmundjes
Tamiflu është përdorur në 4 raste
Përdorimi i Tamiflusë ka përmirësuar menjëherë shenjat e sëmundjes, kur është përdorur menjëherë në ditën e dytë apo të tretë të fillimit të këtyre shenjave
Rastet kanë qenë pa temperaturë në përgjithësi pas ditës së tretë të sëmundjes përveç rasteve që kanë pasur bronkopneumoni intersticiale dhe bronkiti difuz bilateral
Tamiflu është përdorur në ato raste kur ka pasur komprometim të sistemit respirator si trakebronkit, bronkiti difuz bilateral dhe bronkopneumoni intersticiale
Dy raste që kanë pasur si sëmundje shoqëruese diabetin, kanë paraqitur forma të rënda të sëmundjes, si bronkopneumoni intersticiale dhe insuficiencë respiratore
Në një rast me bronkopneumoni intersticiale, Tamiflu është përdorur për 7 ditë, duke sjellë përmirësim të shenjave klinike të sëmundjes
Në 2 raste të tjera Tamiflu është përdorur për 5 ditë
Antibiotikoterapia është përdorur në 12 raste, kryesisht me ato me kompromentim të sistemit respirator si edhe në disa raste me rinofaringit

HIV/AIDS, 17 raste të reja në 6 muaj

Numri i të prekurve me HIVAIDS duket se po përhapet shumë shpejt në vend. Autoritetet shëndetësore përkatëse raportojnë se numri i personave të prekur nga muaji janar dhe deri në gusht, ka shkuar në 17 persona. Të dhënat jepen nga Instituti i Shëndetit Publik në bazë të rrjetit të të dhënave për vitin 2009, për qytetin e Tiranës. Sipas informacionit të grumbulluar, nga analizat dhe ekzaminimet e detajuara që janë kryer, shumica e të infektuarve e kanë marrë virusin nëpërmjet rrugëve seksuale, marrëdhënieve të pambrojtura, të cilat janë transmetuar nga njëri partner te tjetri. Nga janari i vitit 2009 deri në fillim të muajit gusht, nga analizat e laboratorit specifik të Institutit të Shëndetit Publik ka rezultuar se listës së të prekurve nga HIV/AIDS i janë shtuar edhe 17 raste. Të prekurit kanë marrë informacionin për virusin që mbartin, ndërkohë që kanë marrë edhe këshilla për mënyrën e trajtimit dhe vizitat që duhet të kryejnë periodikisht te mjekët e disa specialiteteve. Interesante është se në raportin e ISHP-së për vitin e kaluar, për të njëjtën periudhë kohore kjo shifër është e njëjtë. Aktualisht në vendin tonë numërohen rreth 300 raste të të prekurve. Bazuar në numrin e personave të diagnostikuar dhe të raportuar, Shqipëria konsiderohet një vend me prevalencë të ulët të infeksionit HIV. Megjithatë, tendenca në rritje e numrit të rasteve dhe vlerësimet sugjerojnë një numër më të madh të rasteve të padiagnostikuara. Kjo ndodh sepse në vend nuk është krijuar kultura e vizitave të shpeshta tek mjeku. Për më tepër, personat që dyshojnë se janë me virusin e rrezikshëm, kanë frikë nga paragjykimet apo nga diferencimet që u bëhen nga shoqëria.

22 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›