GJERGJ XHUVANI, kineasti me “tre yje” i komedisë dramatike shqiptare
Petrika GROSI
Personazhi i kësaj jave në suplementin “Albania Weekend” është regjisori i mirënjohur, Gjergj Xhuvani. Ai ka pranuar të rrëfejë për gazetën mbi jetën e tij, filmat, vështirësitë e produksioneve dhe gabimet që nuk duhen bërë, kujtimet e fëmijërisë. Gjithashtu, regjisori Xhuvani nuk heziton të shfaqë mendimin e tij mbi tema e diskutime që janë aktuale sa i takon problematikës dhe zhvillimeve të kinemasë shqiptare.
Le të flasim fillimisht për aktualitetin. Pas mbylljes së sezonit në Akademinë e Arteve, me çfarë tjetër po merreni?
Kam qenë me pushime dhe jam në pritje të premierës në tetor, ndërkohë po përgatis një film me produksion të Top Channel-it, një film televiziv, por jo telenovelë. Është në logjikën siç ka qenë dikur “La piovra” (Oktapodi), por s’ka lidhje me të. Një film me koncept kinematografik, por i xhiruar në formatin televiziv dhe i ndarë në dhjetë seri nga një orë secila. Është një ndërmarrje mjaft e vështirë që e bëj për herë të parë dhe shpresoj të arrij një rezultat. Kemi zhvilluar fazën parapërgatitore dhe xhirimet do të fillojnë më 20 tetor. Stafi do të jetë ai italian, me të cilin realizova “Lindje, Perëndim, Lindje”. Edhe stafi i kamerës dhe i zërit do të jetë ai me të cilin kam punuar më parë.
I keni zgjedhur aktorët?
Edhe aktorët do të jenë të po atij kasti me të cilin unë punoj. Nuk mund t’i deklaroj të gjithë emrat, por në rolin kryesor të investigatorit ndoshta do të jetë Kastriot Çaushi, sigurisht do të jetë dhe Ndriçim Xhepa. Të tjerët do t’i deklaroj më vonë.
Përmendët investigatorin, do të jetë një lloj thrilleri?
Vetëkuptohet që të ruash substancën në një film me dhjetë seri duhet të gjesh një zhanër të pranueshëm, i cili e thith spektatorin. Në fund të fundit, në një film televiziv destinacioni i publikut merr një rol parësor.
Duket sikur thrilleri është një gjini e paprekur këtu. A përbën kjo një sprovë për ju?
Ka pasur disa përpjekje. E kam fjalën për disa filma serialë televizivë që janë bërë para viteve të demokracisë, por që janë ndikuar shumë nga koncepti televiziv i të bërit film. Sot, përvoja televizive europiane bën filma të karakterit kinematografik, por në format televiziv. Një nga filmat me të cilët herën e fundit pata mundësinë të jem në të njëjtën studio prodhimi ishte “Romani kriminal”.
Ndërkaq, ç’mund të themi për premierën e filmit me metrazh të gjatë që presim këtë tetor?
Kam përshtypjen se është një film që ka një lidhje të ngushtë me publikun dhe do të gjejë rezonancë direkte me të. Ka tendencën e një lloj kinemaje hermetike, “estetike” dhe mendoj se çdo shqiptar, brenda e jashtë Shqipërisë, do të gjejë copëza të jetës së tij.
Thuhet se artisti vazhdimisht përsërit veten në mënyra të ndryshme?
Nuk besoj. Po t’i shikojmë të katër filmat e mi, ata nuk kanë lidhje me njëri-tjetrin dhe përveç stafit të teknicienëve e ndonjë aktori, apo emrave në titra, këta filma nuk kanë asgjë të përbashkët. Kuptohet, stili i autorit ndihet dhe unë po përpiqem ta konsolidoj veten në zhanrin e komedisë dramatike. Gjithsesi, filmi mbetet brenda zhanrit “dramë – komedi” ose “komedi – dramë”.
Keni menduar ndonjëherë të provoni edhe zhanrin e komedisë së mirëfilltë?
Komedia e mirëfilltë është një zhanër me të cilin kam frikë të ndeshem. Më pëlqen kinemaja e jetës, ajo e vërteta. Ndarja me thikë e zhanrit do të çonte një hap larg nga e vërteta e përditshme, aty ku ne gjejmë komedinë, elementin dramatik e herë – herë edhe tragjiken.
Çfarë po ndodh me ata regjisorë të rinj që thuhet se dalin për vit, por që pak po i shohim në ekranin e vogël dhe atë të madh?
Nuk jam skeptik në këtë drejtim, por duhet kuptuar se krijimi i një regjisori kërkon kohë. Ai nuk mund të piqet dhe të formohet menjëherë pas mbarimit të një akademie. Pa u bashkuar tri elemente, siç janë përvoja kulturore e përgjithshme, përvoja jetësore dhe përvoja profesionale, është vështirë se del një regjisor i mirë. Ky fenomen ndodh njësoj në të gjithë botën dhe do të na duhet të presim të nesërmen e të pasnesërmen për t’i parë në ekran këta regjisorë të formuar.
Si ka mundësi që kur shikon prodhimet tona, menjëherë e kupton se është një film shqiptar, ndryshe nga e gjithë kinemaja bashkëkohore?
Cilësimi film “shqiptar” nuk është pezhoritar. (Qesh.)
Por, filmat tanë, në shumë elemente, nuk e bindin shikuesin dhe duken si të stisur, apo nuk jeni dakord?
Nuk e personalizoj. Duken si të stisur dhe kjo vjen për një fakt të thjeshtë; këtu ka munguar përgatitja profesionale dhe shpesh regjisorë janë bërë njerëz të rastësishëm, pa dyshim, që kanë pasion dhe këtë nuk ua mohojmë, por që u ka munguar brumi për t’u bërë regjisorë. Njerëz që mbarojnë për gjuhë e letërsi, apo për pikturë, hyjnë direkt në kinema. Kjo është absurde. Nuk ua mohojmë dot këtë të drejtë pasi përvoja botërore tregon se dhe një inxhinier apo ekonomist është bërë një kineast gjigant. Por, këta janë njerëz që u kultivuan, u frymëzuan dhe investuan për kinemanë... Problemi te ne është se dikush shikon një film dhe thotë: “Kur e ka bërë Gjergji këtë film, pse të mos e bëj edhe unë?!” Është e vërtetë ajo që thatë ju për filmin shqiptar, madje kam propozuar që të krijohet një sistem vlerësimi për filmat që prodhohen nga ne. Problemet janë disa; së pari na mungon kritika filmike, ato yjet me të cilat vlerësohen filmat, na mungojnë shifrat e hyrjeve të njerëzve në kinema, nuk dimë se sa kohë një film shfaqet nëpër salla dhe as se ku shpërndahet jashtë shtetit. Filmi nuk është për t’u shfaqur disa herë dhe për t’u mbyllur pastaj në arkiva. Që të arrijmë të bëjmë filma europianë dhe jo vetëm shqiptarë, duhen zbatuar parametrat artistikë dhe teknikë, si dhe disa parametra të tjerë profesionalë siç janë temporitmet e duhura, kolona zanore etj. Shpesh shohim filma në asikron, nëse një pushkë qëllon nga krahu i majtë, zëri vjen nga krahu i djathtë. Filmi ka me qindra aksesorë dhe elemente të ndryshme. Vërtet mund të kesh talentin, kulturën etj., por duhet të jesh dhe një njohës i mirë i teknologjisë së filmit.
Shumë nga regjisorët shqiptarë të filmit me metrazh të gjatë bëjnë filma në retrospektivë dhe mungon filmi i ditëve tona. Pse?
Është shumë më e vështirë që të bësh një film epoke, sesa të bësh një film aktual. Në retrospektivë të duhet të ndërtosh një kohë, e cila do mentalitetin e vet, mënyrën e të folurit, psikologjinë e asaj kohe... Mos shkojmë shumë larg; personazhet e viteve ’90 nuk mund të flasin si ata të sotmit. Nuk e kam fjalën për gjuhën letrare, pasi ajo është një tjetër temë, por të paktën mentaliteti i tyre nuk mund të jetë i njëjtë. Pra, kur i kthehesh një vepre duhet të hysh në mendësinë e personazheve të tij dhe të kohës kur ata kanë jetuar. Te filmi “Parullat”, një i ri nuk mund të flasë njësoj si të rinjtë e vitit 2009. Janë bërë dhe filma të mirë me temë retrospektive, siç është “Tirana, viti zero”.
Përmendët më parë vlerësimin e filmave me yje. Sa yje ka marrë regjisori Gjergj Xhuvani deri sot për filmat e tij?
Nga pesë yje, që është vlerësimi maksimal, në Francë kam arritur të vlerësohem me tre yje për filmin “Parullat”.
Cili është shqetësimi më i madh për ju teksa punoni me një film?
Sot vlerësohet shumë gjetja. Ajo është çelësi i hapjes së subjektit, mendimi filozofik që do të përçosh. Ndërsa flasim në botë ka shumë regjisorë profesionistë. E veçanta është gjetja, mënyra se si do të transmetohen idetë e mesazhet sepse këto të fundit nuk janë shumë novatore për hir të së vërtetës. Ky, pra, është makthi më i madh, i pari, pastaj vijnë dhe plot të tjerë. Një gjë ke të sigurt kur fillon një film: humbjen. Pra, në film hyn i humbur, rrugës kërkon të paktën barazimin dhe në fund mund të dalësh ose jo i fituar.
Meqë përmendëm filozofinë, sa ju bie në sy mungesa e saj në filmat shqiptarë, si dhe mosprania e mendimeve të thella filozofike, analizave mbi jetën, idetë dhe rrymat e vyera që nga antikiteti helen, egjiptian e babilonas e deri te krishterimi, budizmi, islami etj?
Me përjashtim të dy-tre kolegëve të mi, janë shumë të rrallë regjisorët, të cilët jetojnë në Shqipëri si regjisorë. Pra, që të flasin me kulturën, filozofitë kontemporane, filozofitë e miksuara. Që të jesh regjisor, duhet të jesh një qytetar shumë i kualifikuar në anën psikologjike, estetike, filozofitë sociale që ekzistojnë apo që largohen nga shoqëria njerëzore, nënshtresat filozofike, të cilat kanë pushtuar shpirtrat njerëzorë dhe ato fenomene sociale të paparashikueshme që lindin, zhduken e rivijnë krejt papritur, pa asnjë lloj burie paralajmëruese. Vetëm kështu një film mund të godasë në shenjë. Le të kujtojmë disa produksione si “Closer” apo “American beauty”, të cilët patën sukses të madh dhe erdhën aq të papritur, sa dhe një epidemi gripi. Duhet të dish ta thithësh në kohën e duhur atë fenomen social që lind. Duhet të jesh gjithmonë në avangardë me fenomenet dhe problemet që kalon shoqëria. Është njësoj si një vaksinë që duhet bërë në kohën e duhur, para se të bjerë sëmundja.
A ka ndodhur që të frymëzoheni e të mendoni për një film epik, mbi ndonjërën nga figurat tona historike kombëtare?
Së pari, ne nuk kemi kushtet dhe na mungon buxheti për një projekt të tillë; së dyti, nuk kam kurajën që në këtë moshë dhe status që kam ta mendoj seriozisht këtë gjë. Duhet shumë përvojë dhe një staf i specializuar historianësh për t’u konsultuar. Gjithashtu, nevojitet shumë asistencë e huaj. Në fakt, gjatë disa pauzave të mia kam menduar ashtu si për shaka mbi figurën e Ali Pashës, për të cilin kam lexuar mjaft libra dhe më intrigon.
Erotizmi në filmat shqiptare. ǒmund të thoni?
Është pjesë e jetës dhe doemos edhe e filmit. Edhe te Robinson Kruzoja ka erotizëm. Erotizmi mund të jetë si akt, ose edhe në mendime. Nuk mund të ketë një jetë pa dashuri, pa urrejtje, pa intriga, pa mëkate dhe pa erotizëm. Nëse këto mungojnë, do të thotë se filmi ka mangësi. Sado që ta kanalizosh subjektin për të devijuar erotizmin, nuk mund ta anashkalosh duke e mohuar atë, me përjashtim të ndonjë rasti kur ka një gjetje të veçantë.
Sa i takon formimit profesional, çfarë ju ka dhënë shkolla shqiptare që nuk mund ta merrnit dot jashtë?
Jashtë kam qenë me disa specializime të shkurtra dhe një më të gjatë në Republikën Çeke, ndërsa këtu kam mësuar disiplinën artistike dhe trajtimin e aktorëve. Mësuesit në kohën time insistonin në shkollë për vërtetësinë dhe realizmin në maksimum. Për këto dy elemente i jam shumë mirënjohës shkollës shqiptare.
Dhe çfarë morët jashtë, që mungonte këtu?
Gjithë të tjerat, pa mohuar se vij nga një familje artistësh dhe jam rritur me regjisorë si Viktor Gjika, Dhimitër Anagnosti, Rikard Larja e Muharrem Fejzo, të cilët ishin miq të prindërve të mi. Nuk mund ta mohoj dot ndikimin dhe frymën e artit që shkaktohej nga vizitat e tyre në familjen time. Dua të them, gjithmonë veshi im ka qenë i kultivuar me artin dhe letërsinë. Mendoni, kam dëgjuar përralla direkt nga shkrimtarë si Dhimitër Pasko që në kohën kur nuk lexoja.
Fëmijëria tuaj?
Si gjithë të tjerët, por i rrethuar nga librat dhe nga intelektualët. Mbaj mend pushimet në turizmin e vjetër të Pogradecit, takimet me njerëzit me të cilët im atë pinte kafe. Mbaj mend Lasgush Poradecin, pavarësisht se nuk bisedoja me të. Të mbeten në mendje pa dashur figurat e kësaj plejade pranë së cilës ke pasur fatin të jetosh dhe në mënyrë të çuditshme të shtyjnë të bësh gjithmonë diçka më tepër. Duket e pabesueshme, por nga brenda ndien një si detyrim...
Cilat ishin disa nga ëndrrat tuaja rinore për të ardhmen?
Një prej ëndrrave të mia ishte që të bëhesha ushtarak, oficer, por kjo ka ndodhur shumë kohë më përpara. Pastaj jam marrë me sport dhe bëra shkollën te Politeknikumi për Inxhinieri Mekanike, gjë që më ka ndihmuar shumë me mizanskenat filmike, të cilat janë një lloj gjeometrie.
Si ndodhi që i hytë kinemasë?
Në atë kohë isha i dashuruar pas Çehovit dhe Xhek Londonit. Vendosa që bashkë me miqtë e mi, asokohe të bënim një teatër. Tentuam të shkruajmë një vepër për historikun e shkollës dhe gjëra të tjera naive e pastaj bëmë disa regji për vepra që viheshin në shkollat 8-vjeçare. Më tej kam qëndruar pranë tim ati gjatë xhirimeve të filmave të ndryshëm. Mbaj mend “Mëngjese lufte” në Pogradec, kur njerëzit në mëngjes vinin të veshur si “të mirë”, ndërsa në pjesën tjetër të ditës bëheshin të egër dhe vishnin uniforma gjermane...
Sa jeni ndikuar nga babai juaj?
Babai më ka edukuar me shijet më të bukura të artit, të letërsisë botërore dhe të asaj shqiptare. Nuk mund ta mohoj se në njëfarë mase jam produkt i tij.
Pjesën më të madhe të filmave të para ’90-s i kemi me ushtarakë dhe luftë kundër turqve, gjermanëve e italianëve. A mendoni se mbetet sot ndonjë prej këtyre filmave që t’i ruajë vlerat?
Përgjigjen time e kam dhënë me filmin “I dashur armik”.
A ka ndikuar bashkëshortja në krijimtarinë tuaj dhe nëse po, si ka ndikuar?
Sigurisht që kur jeton në një familje nuk mund të mos ndikohesh dhe influencohesh nga të afërmit. Duke qenë vetë aktore filmi, toleranca dhe mirëkuptimi i saj kanë qenë absolute dhe reciproke. Pastaj, kur diskuton me një njeriun tënd, është më mirë dhe më lehtë sesa të flasësh me një koleg, me të cilin duhet të ruash ekuilibra dhe nuk mund ta ndash tamam ndjesinë apo atë që mendon.
A ka ndodhur që të bëheni xheloz për gruan tuaj për shkak të profesionit apo ndonjë skene provokuese të saj?
Absolutisht jo. Skenat erotike ajo i ka kryesisht te filmat e mi. Edhe nudon, ndonëse mentaliteti shqiptar nuk është gati, po të ishte një gjë e domosdoshme, që ia vlente, pse jo, do ta pranoja. Nuk kam paragjykime dhe ato që them i mbështes në fakte.
Së fundi, po e mbyllim me një pyetje që kërkon pak hamendësim; nëse do ta kishit tani mundësinë për të bërë filmin e jetës suaj, cili do të ishte stafi hipotetik i aktorëve kryesorë?
Nuk ëndërroj kot për gjëra që nuk realizohen kurrë. E kam parim. Kur kam dashur aktorë të nivelit europian, kam arritur t’i kem në filmin tim, siç ndodhi te “I dashur armik”, me Piter Lomajer, një personalitet i padiskutueshëm i kinemasë gjermane e më gjerë.
22 Gusht 2009