E Shtunë, 31 Tetor 2026

Punësimi jashtë vendit, Italia ndryshon rregullat për vitin e ardhshëm



Jonida Tashi

Ndryshon marrëveshja e punësimit të shqiptarëve në Itali. Qeveria ka miratuar në mbledhjen e saj të fundit disa ndryshime në marrëveshjen e nënshkruar midis vendit tonë dhe Italisë për punësimin sezonal. Burime zyrtare nga Ministria e Punës bëjnë të ditur se sipas ndryshimeve të bëra në marrëveshje, punësimi sezonal në Itali nuk do të realizohet më në mënyrë individuale, por do të përfshihen edhe institucionet shtetërore, në varësi të Ministrisë së Punës për realizimin e këtij procesi. Për rrjedhojë, aplikuesit e rinj për punësim në Itali do të përzgjidhen fillimisht nga drejtuesit e dikasterit të Punës, për të vijuar më tej me procedurat e punësimit. Sakaq, janë përcaktuar edhe dy kushtet kryesore që duhet të plotësojnë të interesuarit për punësim në Itali, që janë zotërimi i një kualifikimi profesional si dhe njohja e gjuhës italiane. Kush prej aplikuesve nuk do të plotësojë qoftë edhe njërin prej kushteve të mësipërme, për të përfituar nga punësimi në shtetin fqinj do të jetë i detyruar që t’i nënshtrohet kurseve për tu kualifikuar profesionalisht ose për të mësuar italishten.
Procedurat
Zyrtarisht procedurat e aplikimit për punësimin e rregullt në Itali, për vitin 2010-2011 do të nisin në muajin dhjetor të këtij viti. Para çeljes së këtyre procedurave, Ministria e Punës pritet të zbardh paketën e plotë me rregullat e reja që do të ndiqen nga aplikuesit për tu punësuar jashtë vendit. Sipas burimeve nga Ministria e Punës mësohet se të parët që do të përzgjidhen për tu punësuar në Itali vitin e ardhshëm do të jenë ata kandidatë që këtë vit janë punësuar në këtë vend, për arsye se tashmë ata kanë krijuar lidhje me punëdhënësit italian. Fillimisht kualifikimi më i rëndësishëm për të punuar në Itali është aftësia për të folur gjuhën italiane. Më pas vijnë kualifikimet profesionale ose tregtare, që janë të nevojshme për të punuar në pjesën më të madhe të fushave në Itali dhe gjithashtu ato nevojiten për t’u vetëpunësuar apo filluar një tregti. Aplikuesit duhet të kenë parasysh se ekzistojnë penalitete për ata që fillojnë punë pa pasur certifikata të pranuara, si për shembull, gjoba të mëdha, konfiskim i makinerive ose mjeteve, deportim ose ndalim i hyrjes në Itali për një numër të caktuar vitesh.
Sektorët
Përveç përcaktimit të kualifikimeve, tregu italian i punës ka përcaktuar dhe sektorët përkatës, ku i nevojiten forcat e punës. Kryesisht ky treg ka shfaqur nevoja për kujdestari në familje dhe punëtorë shtëpie, por edhe sektorë të tjerë siç janë ato të ndërtimit dhe fushat e ndryshme mekanike. Restorantet, hotelet dhe ambientet turistike që punësojnë staf sezonal për t’i ndihmuar gjatë periudhave kryesore turistike janë një tjetër sektorë i tregut italian që ka nevojë punëtorë. Gjatë periudhës së verës punëtorët nevojiten për bregdetin dhe liqenet, kurse në dimër për ambientet malore. Sipas autoriteteve italiane që merren me fushën e punësimit, më shumë se 50 për qind e fuqisë punëtore për bujqësinë vjen nga shtete jo anëtare të BE-së dhe sektorë të tërë varen nga punëtorët imigrantë, që nga vjelja e frutave dhe perimeve deri në blegtori.

Kushtet për aplikuesit që nuk plotësojnë kriteret

Shtetasit e huaj nga shtete jo anëtare të BE-së, që synojnë të shkojnë në Itali për të kryer aktivitet të pavarur si të vetëpunësuar, nëse plotësojnë kërkesat ligjore mund të bëjnë kërkesë të posaçme për miratim për punë të pavarur/vetëpunësim, pranë kuesturës kompetente, vetëm pas botimit të dekret flukseve, që për këto hyrje rezervon një kuotë të caktuar. Mes kërkesave të tjera ligjore, ky shtetas i huaj duhet të zotërojë një të ardhur vjetore, që vjen nga burime të ligjshme, në një masë të nivelit minimal të parashikuar nga ligji për përjashtimin nga shpenzimet sanitare(8 400 euro). Prova e zotërimit të disponibilitetit ekonomik mund të ofrohet përmes parave kesh, llogarive bankare, titujve të kreditit, garancive bankare apo policave sigurimesh, ose përmes çdo dokumenti tjetër të vlefshëm, që provon burimet e të ardhurave.

22 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›