Policia, operacion me helikopterë për të zbuluar parcela me hashash
Tiranë – Policia e Tiranës vëzhgon nga qielli rrethinat e kryeqytetit për të zbuluar parcela të mbjella me hashash.
Aksioni me helikopterë është organizuar dje nga Seksioni Kundër Narkotikeve në Policinë e Tiranës në bashkëpunim me Sektorin Kundër Narkotikeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, të cilët kanë realizuar monitorimin ajror në territorin e qarkut Tiranë, me synim identifikimin dhe zbulimin e parcelave të mbjella me Cannabis sattiva. Përgjatë monitorimeve u konstatuan se në fshatin Kuç, komuna Vorë, disa parcela të dyshuara se ishin të mbjella me bimë narkotike Cannabis sattiva.
Kështu, specialistët e Seksionit Kundër Narkotikeve, shkuan menjëherë në fshatin Kuç të Vlorës dhe Badinak të Shijakut, ku u konstatuan shtatë parcela të mbjella me rreth 1053 rrënjë të bimës Cannabis sattiva. Ndërkohë, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 8 rrënjë të kësaj bime, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua me anë të djegies, duke e shoqëruar edhe filmimin përkatës. U pyet në cilësinë e personit që tregon rrethana të hetimit kryeplaku i fshatit Kuç, ndërsa u kryen të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale, dje po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të mbjelljes së kësaj bime.
I morën varësen e floririt nga qafa një adoleshenti, arrestohen
Tiranë – Dy të rinj janë arrestuar nga policia pasi i vodhën më dhunë varësen e floririt një adoleshenti. Efektivat e Komisariatit të Policisë Nr. 3 arrestuan ditën e djeshme 16-vjeçarin A. L., lindur në Dibër dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për vjedhje dhe 21-vjeçarin Orjol Kuqi, lindur në Dibër dhe banues në Tiranë. Arrestimi i tyre u bë pasi dje në Rrugën e Durrësit, dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin i kanë vjedhur me dhunë varësen e floririt nga qafa një 16-vjeçari. Burime nga policia thanë se dy të rinjtë e kanë rrahur adoleshentin dhe më pas njëri prej tyre i ka këputur varësen nga qafa. Pas denoncimit të të dëmtuarit policia mundi të identifikonte dhe të arrestonte dy autorët e dyshuar.
22 Gusht 2009