E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodrat e Durrësit 12 orë nën flakë

 

DURRES/ OERD ULQINI

Durrësi përjetoi orë ankthi për më shumë se 12 orë, teksa periferia e tij futej dalëngadalë në “darën” e zjarrit. Gjithçka nisi në orët e vona të natës së të mërkurës, kur një zjarr i rënë në lagjen “Spitallë”, për motive akoma të pazbardhura, filloi të shkrumbëzojë kodrat me ullinj, shkurre dhe bar të thatë. Rreth orës 23:00 të një dite më parë është lokalizuar vatra e parë e zjarrit, e cila më pas përfshiu në flakë një sipërfaqe prej të paktën 15 hektarësh. Më e goditur dhe e kërcënuar nga zjarri ka qenë lagjja “Spitallë”, ku afro 15 familje të saj janë bërë gati për të braktisur shtëpitë. Kështu është shprehur 50-vjeçarja S. Nallbani, një banore e zonës, e cila thotë se për fat të keq çdo verë që kalon sjell zjarre masive. Kjo banore, së bashku me mbesat e saj ka braktisur shtëpinë në orët e vona të natës, duke kërkuar ndihmën urgjente të zjarrfikësve. Ajo është dukur e tmerruar kur flakët i janë afruar 50 metra shtëpisë së saj. Për fat ndryshimi i kahut të erës largoi përkohësisht rrezikun nga banesat. Zjarri ushqehej nga era e favorshme dhe temperaturat “tropikale” që kanë goditur këto ditë qytetin. Salla operative e zjarrfikësve është lajmëruar në kohë, por terreni i thyer kodrinor, mungesa e rrugës së asfaltuar dhe distanca e largët nga burimi për t’u furnizuar me ujë ka bërë që ndërhyrja e zjarrfikësve të mos ketë efektivitetin e duhur. Në vendngjarje mbërritën pesë zjarrfikëse, të njësisë antizjarr të Durrësit dhe të Portit Detar. Në vendngjarje kanë mbërritur edhe forca të shumta policie, të cilët kanë ruajtur dhe evakuuar banorët, për t’i paraprirë çdo rreziku. Zjarri është shuar vetëm pas 12 orësh përpjekjeje intensive të zjarrfikësve, policisë, ushtrisë dhe komunitetit të zonës. Vetëm rreth mesditës së djeshme, banorët janë ndier të sigurt për t’u strehuar në shtëpitë e tyre që i braktisën gjatë orëve të natës. Policia e Durrësit ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes që shkrumboi një pjesë të mirë të kodrave të qytetit. Por burimet theksojnë se më shumë se pista e një zjarrvënie të qëllimshme nga piromanët, ekziston mundësia e ndonjë ngjarje aksidentale të provokuar nga barinjtë apo ndonjë banor i pakujdesshëm. Pritet që hetimet që do të kryhen të hedhin dritë mbi shkakun që provokoi flakët, duke sjellë dhe panikun te banorët e zonës së mbipopulluar vitet e fundit. Këto ditë gushti janë përcaktuar nga sinoptikanët si tepër të nxehta, duke bërë që rreziku i rënies dhe i përhapjes në masë të zjarreve të jetë në çdo moment i pranishëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›