E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skautistët, mbrojtësit e vetëm të parkut kombëtar të Gjinarit



I njohur prej vitesh si një prej vendeve më piktoresk dhe më të bukur të Shqipërisë, parku kombëtar i Gjinarit në rrethin e Elbasanit, është sot në mëshirë të fatit. Kjo jo sepse askush nuk kujdeset për të, apo se ai është një mall pa zot, por sepse dora shkatërrimtare e njeriut është më e fortë se sa autoritet modeste që kujdesen për ruajtjen e tij. Edhe pse vitet e fundit për këtë park kombëtar, i rrallë për bukuritë e tij malore është bërë shumë nga autoritet e komunës së Gjinarit, batërdia e prerjeve të drurëve pa kriter, si dhe gjuetia e faunës së këtij parku pa asnjë lloj kujdesi, kanë bërë që pyllit ti mbesë vetëm emri. Banorët e Elbasanit, Gramshit, zonave përreth, por dhe nga vende të ndryshme të Shqipërisë, vijnë aty çdo vit për pak ditë turizëm malor, bashkë me ta vjen dhe rreziku i ndotjes, shkatërrimit, apo dhe djegies. Shtrimi i rrugës automobilistike që lidh Gjinarin me qytetin e Elbasanit dhe me të gjitha komunat përreth, e ka shtuar kohët e fundit fluksin e vizitorëve dhe turistëve të apasionuar pas klimës malore. Por të vetmit “roje” besnike këtij parku kombëtar i kanë mbetur të rinjtë skautistë të Shoqatës së Gjurmuesve Shqiptar, të cilët për çdo vit kthehen në Gjinar për të realizuar aktivitetin e tyre më të madh të vitit, “Kampin Kombëtar Veror”. Edhe këtë vit gjatë muajit korrik ata zhvilluan aty kampin e radhës ku sërish përveç bujarisë dhe mikpritjes së vendasve u përballën edhe me problemet që ka parku kombëtar. E vetmja gjë pozitive këtë vit ishte rruga e re, e cila ndryshe nga vitet e shkuara të ngjiste pa probleme deri në komunën Gjinar. Të rinjtë skautist të ardhur nga shumë rrethe të vendit vendosën që këtë vit ndryshe ngaherë ta ngrinin kampin e tyre 10 ditor në një lartësi prej 1400 m të zhytur në pyllin e dendur të parkut kombëtar, i konsideruar prej tyre si një “vend ideal” për të ngritur tendat e shumta dhe gjithçka që u duhej për t’u përshtatur me botën e egër dhe natyrën. Kjo u përshtatet edhe stilit të tyre, “të shkrihesh njësh me natyrën duke u përshtatur me terrenin”. Por këtë vit atyre iu desh më shumë punë duke u përballur me papërgjegjshmërinë e vizitorëve të cilët në jo pak raste rrezikonin ekzistencën e parkut, si dhe dëmtonin sistematikisht faunën dhe florën e tij. Për këtë skautistët u përshëndetën dhe nga kryekomunari i Gjinarit dhe autoritet lokale.

22 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›