AH1N1 nuk "pushon" as për festa
Shënohet viktima e shtatë e gripit të derrit. Këtë herë ka humbur jetën për shkak të komplikacioneve një i ri, një tetraplegjik 25 vjeç, i cili ka qëndruar në terapi intensive për disa ditë, por nuk ia ka dalë dot mbanë. "Sot është raportuar një tjetër rast i vdekjes prej gripit të ri pandemik në rrethin e Korçës. Pacienti ishte i moshës 25 vjeç, i cili kishte edhe sëmundje të tjera shoqëruese", ka sqaruar zyrtarisht Instituti i Shëndetit Publik.
Një vajzë e re, shtatzënë në muajin e pestë, e cila pret të lindë dy binjakë, është në gjendje kritike për jetën për shkak të infektimit me AH1N1. Pacientja e ardhur nga Kukësi, prej tri ditësh ndodhet e shtruar në repartin e reanimacionit në spitalin e sëmundjeve të mushkërive "Shefqet Ndroqi". Sipas institutit të Shëndetit Publik janë 376 raste të konfirmuara me grip derri, ndërkohë që sipas statistikave mendohet të jenë infektuar rreth 60 mijë persona në vend.
Gripi i derrit
Sipas Institutit të Shëndetit Publik, këtë muaj kemi një rritje të infeksioneve respiratore krahasuar me javën paraardhëse. "Ajo çka vihet re është se nga tetori kemi një rritje të menjëhershme të infeksioneve respiratore, e cila flet për qarkullim intensiv të një virusi që shkakton epidemi.
Numri më i madh i rasteve të infeksioneve respiratore akute vërehet në moshat fëminore", thuhet në buletinin informativ të ISHP-së lidhur me situatën e gripit në vend.
Lidhur me gripin e ri A/H1N1, deri në datën 22 dhjetor janë marrë 2500 mostra nga Tirana dhe rrethet. Numri më i madh i mostrave është marrë në kategoritë 15-24 vjeç ku dhe vihet re numri më i madh i rasteve të konfirmuara. Numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara me virusin A(H1N1) deri në datën 22 dhjetor është 373. Mosha mesatare e rasteve të prekura në total është 24 vjeç.
Shumica dërrmuese e rasteve janë konfirmuar në Tiranë.
Shenjat klinike të rasteve të konfirmuara gjatë dy javëve të fundit kanë qenë mesatare.
Rastet
Rastet e rënda me grip derri aktualisht trajtohen në repartet e terapisë intensive në spitalin "Nënë Tereza" dhe qendrën spitalore universitare të sëmundjeve të mushkërive, "Shefqet Ndroqi". Shërbimi i Infektivit dhe reanimacioni i "Shefqet Ndroqit" kanë aktualisht pavijonet më të specializuara të terapisë intensive, kjo është edhe arsyeja pse të gjithë pacientët e vendit trajtohen në këto reparte.
Sakaq, ka nisur shpërndarja e vaksinës specifike të gripit të derrit AH1N1. Vaksina do jetë disponibël edhe për qendrat shëndetësore të Tiranës dhe të rretheve të tjera gradualisht për t‘u vënë në dispozicion të grupeve të tjera të riskut siç janë, fëmijët e vegjël apo të sëmurët kronikë. Vaksina dhe vaksinimi është falas. Një urdhër i Ministrisë së Shëndetësisë sqaron se vaksina duhet të nisë shpërndarjen si në kryeqytet ashtu edhe në qytetet e tjera të vendit. Prioritetet janë të shënuara qartë, ndërkohë që përdorimi i vaksinës, mënyra e ruajtjes, transportimit dhe konservimit, janë një tjetër pikë ku duhet mbajtur "vëmendja".